Rrëfimi i Shkëlqim Prinit: Si ndryshoi jeta ime pas tragjedisë së Gërdecit

Nga Mimoza Ibra

Plot 10 vite të shkuara nga tragjedia e Gërdecit, për ata të cilët e kanë jetuar në lëkurën e tyre, kanë qenë të mbushura me sfida. Njëri prej tyre është edhe Shkëlqimi, i cili rrëfen udhëtimin e tij, nga humbja e së dashurës në tragjedinë e Gërdecit deri sot

Librat kanë krijuar një rreth. Ai gjendet midis tyre dhe në dorë diçka mban. E lexon me kuriozitet dhe përhumbet mes rreshtash e rrëfime historish. Kalon një faqe, dhe një tjetër, por për një moment diçka e kthen nga bota e ëndrrave. Zhytet në kujtime dhe nis të rikthehet pas në kohë. Mendimet e bëjnë të udhëtojë në muajin mars të vitit 2008. Nëse ka një ngjarje e cila ka lënë gjurmë të thella tek jeta e Shkëlqim Prinit, ajo është padyshim tragjedia e Gërdecit. Sot është 30 vjeç dhe ka krijuar një familje të fortë me bashkëshorten dhe 3 vajza që janë e gjithë bota për të, por në datën 15 mars para një dekade ai ishte një njeri ndryshe.

Shkëlqim Prini është një ndër viktimat e tragjedisë së Gërdecit. 10 vite më parë ai ndjehej i lumtur, i rrethuar me dashuri nga familja, por dhe përkrah kishte vajzën e ëndrrave. Së bashku me 18-vjeçaren Zelie Leti thurnin çdo ditë ëndrra për jetën e tyre, por as që e dinte se kjo lumturi do t’i zgjaste shumë pak. “Ishim njerëz të etur për punë. Aty fillova të krijoj një bazë të mirë parash sepse unë jam një njeri shumë i dhënë pas punës”, më shpjegon Shkëlqimi. Nuk kaloi shumë kohë, dhe ai me një nga vajzat me të cilat punonte u dashurua. Zelie Leti i rrëmbeu zemrën dhe për djalin e ri 20-vjeçar të asaj kohe, ajo ishte princesha e përrallave. Për këtë arsye, ai vendosi që lidhja e tyre të merrte një kuptim tjetër dhe duheshin shkëmbyer unazat me njëri-tjetrin. “Shkonim shumë si çift, ishim perfekt për njëri-tjetrin.

Mirëpo zgjati shumë pak”, tregon Shkëlqimi. Në datën 15 mars të vitit 2008, Shkëlqimi humbi të fejuarën për shkak të një shpërthimi të fuqishëm në vendin ku ata punonin. Ajo datë ndryshoi mënyrën e tij të të menduarit dhe jetuarit. “Vazhduam punën normalisht si çdo ditë. Ishte ora 11:30 minuta kur u dha urdhri të magazinohej baruti që ishte hequr nga municionet. Nuk zgjati më shumë se disa rrugë transporti kur rreth orës11:45 dëgjova zërat e njerëzve duke bërtitur “mori flakë”. Pastaj pashë një flakë shumë të madhe që u sul drejt nesh dhe nisëm të vraponim si të çmendur”, rrëfen 30-vjeçari. Njerëzit nën panik kërkonin të gjenin shtigje për tu larguar nga ai vend, ndërsa Shkëlqimi ecte dhe mendonte për fatin e të afërmve të tij dhe shtëpisë së tij. “Si pasojë e shpërthimit, mami im u plagos rëndë.

Edhe unë isha prekur pak nga flakët, por më shumë kisha problem me gjendjen time shpirtërore, sesa fizike”, shprehet Shkëlqimi. U deshën 3 ditë që të bashkohej me familjarët, por një boshllëk shumë i madh vijonte në zemrën e tij. Akoma nuk dinte asgjë për të fejuarën e tij. “Mu desh të udhëtoja drejt Zvicrës për një kurim më të mirë për time më, mirëpo nga ana tjetër trishtimi po më mbyste sepse nuk kisha asnjë lajm nga e fejuara”, shprehet babai i 3 fëmijëve sot. Teksa vuante në pritje për kurimin e nënës se tij, pas 20 ditësh nga tragjedia e Gërdecit u përballë edhe me lajmin e humbjes së gjysmës së tij të zemrës. Pikërisht kjo ditë do të niste edhe transformimin e tij. U shndërrua në një person të ndjeshëm dhe të kujdesshëm, por nuk do t’i mungonin as kapriçot.

“Kaluan shumë muaj dhe pak nga pak filluam ta rindërtonim shtëpinë e prishur, mirëpo ngjarja e rëndë më la shumë pasoja. Sjellja ime ndryshoi. Isha shumë i shpërqendruar dhe i çrregullt”, tregon Shkëlqimi. Këtë sjellje ai e pasqyroi edhe tek lidhja tjetër e tij. Një vit pas tragjedisë, familjarët e Shkëlqimit menduan se tashmë kishte ardhur koha që një femër e re të hynte në jetën e tij. Luhatjet e 21-vjeçarit në atë kohë bënë që kjo fejesë të mos ishte aspak e lehtë. Kishte momente kur kujtimet e ruajtura në kompjuter e mbyllnin në dhomë për orë të tëra duke menduar për personin që humbi, aspak për fajin e tyre. Pasi u mbushën 2 vjet nga shpërthimi i Gërdecit, çifti mendoi që të kurorëzonte në martesë marrëdhënien e tyre. Por problemet nuk e lanë të qetë as atë ditë.

“Edhe ajo ditë mu duk si tragjedi sepse mendoja se po martohesha me ish-të fejuarën time. Hera-herës më shfaqej vegimi i saj dhe përjetova një gjendje jo shumë të mirë. Madje për një moment më erdhi në mendje edhe të anuloja dasmën”, rrëfen 30-vjeçari. Marrëdhënia me gruan e re kaloi shumë peripeci sepse, ashtu siç Shkëlqimi tregon, ai i kërkonte gjëra të pamundura. Pas një debati që pati me njerëzit e të shoqes 6 muaj pas martesës, Shkëlqimi vë jetën në rrezik duke u hedhur me makinë në humnerë, duke reflektuar edhe një herë pasojat e lëna nga humbja e pësuar. “Unë fluturova me makinë dhe për një moment shumë gjëra fluturuan po ashtu. U duk si një ngjarje e rëndë dhe e shëmtuar, por një lajm i mrekullueshëm do ia zinte vendin kësaj.

Ajo qe fshihej brenda saj do mbyllte të gjitha keqkuptimet dhe do hapte një kapitull të ri”, thekson Shkëlqimi. Në momentin që dëgjoi për ardhjen në jetë të fëmijës së tij të parë, ai i bëri një premtim vetes që çdo të ndryshonte. Do të shkundte të gjithë pluhurin e të kaluarës për t’ia lënë radhën të ardhmes. Zënkat do t’i linin pas, planet e tij për të bërë gjëra jo të përshtatshme për familjen do të harroheshin. Por këto mbetën vetëm fjalë sepse “çmenduria” e radhës e priste me lindjen e vajzës së parë. Tentativat e tij për tu larguar nga ky vend e për të harruar gjithçka ndodhi e “hodhën” në çmendurinë e radhës. “Mora biçikletën dhe, edhe pse kisha familje, vendosa të largohem ne drejtim të paditur. Synimi im ishte Italia, Zvicra ose Gjermania. Doja të largohesha nga ky vend ku më mbysnin kujtimet e këqija”, shprehet Shkëlqimi. Që pas tragjedisë, është i lëkundur dhe nuk përshtatet dot në asnjë punë, sepse padrejtësitë nuk i duron dot.

Edhe pse vështirësitë financiare janë të shumta, ndërrimi i punëve është i shpeshtë. “Një herë u dëmtova në shtyllën kurrizore dhe për këtë arsye tani nuk bëj dot punë të rënda. Por kjo më ka ndihmuar që të bëj një punë tjetër ku për mua do jetë eksperienca ime më e bukur që kam kaluar. Është pikërisht shitja e librave ajo që më ka dhuruar një qetësi shpirtërore”, rrëfen “aventurieri”. Para tre vitesh mori disa libra në dorë dhe nëpër rrugicat e trotuaret e Tiranës nisi t’i shiste. Pak nga pak libri u shndërrua në mikun e tij më të mirë. Me të ndihet i sigurt dhe i qetë.  Kur shfleton faqet e librave, Shkëlqimi reflekton. Kjo punë i dha jo vetëm të ardhura, por edhe mundësinë që të kuptojë se ku ka gabuar.“Që prej datës 1 janar të këtij viti kam mbajtur një bllok ku shënoj çdo progres timin, por edhe gabimet e vogla që nuk duhet t’i përsëris. Kam si objektiv që çdo vuajtje ta lemë pas, unë t’i përkushtohem një pune, të cilën ta bëj me qejf.

I kam bërë një premtim vetes që çdo e keqe do të ngelet pas. Zelien do ta kem në zemër, por do të mësoj të jetoj vetëm me pjesët e bukura të asaj periudhe. Nesër do të jetë ditë e re dhe do të bëj gjëra edhe më të mira”, rrëfen Shkëlqimi. Shkëlqimi është i vendosur të mos e lejojë dhimbjen ta mposhtë, por të triumfojë. Keqardhjen nuk e do më. “Qëllimi im është që nga një histori tragjedie, ta përkthej në një histori suksesi”, thotë Shkëlqimi. Dhe për ta bërë realitet objektivin e tij, 30-vjeçari ka nisur nga puna. Hapat e parë të suksesit i ka nisur duke hedhur themelet e një biznesi modest, por interesant. “Në janar të këtij viti kur të ardhurat ishin minimale u gjenda në një udhëkryq që s’dija çfarë të bëja. Kredinë e kisha, borxhe po ashtu, e në kokën time valëvitej një pikëpyetje e madhe. Për dy net e harrova gjumin dhe kërkoja i palodhur për diçka të re.

Kisha diku tek 11.000 lekë të reja që po i mblidhja për kredinë, por nuk e mendova 2 herë dhe u nisa drejt Durrësit pasi gjeta në internet një dyqan të pjesëve për biçikleta”, tregon Shkëlqimi. E kishte gjetur, biznesi i tij do të mbante emrin “Servis Universal Çimi” dhe do të ishte rreth biçikletave. Do të merrej me rregullimin e tyre dhe rrjetet sociale do t’i shfrytëzonte për të rritur volumin e punës dhe suksesin. “Bleva pjesët kryesore për biçikleta dhe sapo erdha në lagje i publikova në rrjetet sociale pjesët dhe shërbimin që unë ofroja. Nuk zgjati shumë dhe filluan kërkesat e para për shërbime që kishin nevojë”, flet i entuziazmuar Shkëlqimi. Ai po i shfrytëzon të gjitha energjitë e tij në maksimum për të bërë diçka në jetë. Tashmë aventurieri i pandreqshëm po ndreqet.

Jeta

Shkëlqim Prini sot është 30 vjeç dhe ka krijuar një familje të fortë me bashkëshorten dhe 3 vajza

Kur ishte 20 vjeç punonte në fabrikën e municioneve në Gërdec, ku dashuroi një vajzë me të cilën do të fejohej

Në datën 15 mars të vitit 2008 Shkëlqimi humbi të fejuarën për shkak të një shpërthimi të fuqishëm në vendin ku ata punonin.  Ajo datë ndryshoi mënyrën e tij të të menduarit dhe jetuarit.

Kur ishte 22 vjeç u martua.

Pak kohë më vonë fluturon në humnerë, në një aksident

Para disa vjetësh, u largua për në emigracion

Pasi kalon shumë aventura dhe drama familjare, vendos të nisë një jetë re, të lërë pas të shkuarën dhe nga 1 janari ka hapur një biznes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet