Rrëfimet e ndaluara për Adamin dhe Evën në prozën e Abilekës

Foto 1 nga 2 Pas Para

Një libër me esse, episode, rrëfime, tregime e novela nga shkrimtari Novruz Abilekaj. Në të ai zbulon me stilin e artit, se jemi bijë e bija të Adamit dhe të Eves. Në këtë libër, sipas kritikut Gjini, mësojmë edhe sesi ne kemi lindur nga dashuria midis tyre dhe i përkasim pasionit të mishit e të gjakut

Nga MIHO GJINI, Mjeshtër i Madh

Jo më pak se 10 vite të shkuara, publicisti Novruz Abilekaj më “trembi” tek më solli për të promovuar në Lidhjen e Shkrimtarëve e të Artistëve Shqiptarë në Athinë (“Litter-Art), që mezi e kishim krijuar e ligjëruar këtu, një libër për Enver Hoxhën, pikërisht në atë kohë, kur në vendin tonë i qe vënë dryni Lidhjes analoge dhe, kur këtu në vendin fqinjë ishte ende i nxehtë “fenomeni fshesa” për ne të paligjshmit që erdhëm këtu për një jetë më të mire, nga malet e shtigjet e përrenjve. Kisha vuajtur aq shumë nën diktaturën e tij, jo më për një fjalë goje kundra, po për shikime e përkrahje shfaqjesh skenike, të ashtuquajtura “revizioniste” nga Udhëheqësi i Partisë  (sikundër flitej për “Njollat e Murme” dhe “Historia e një Vajze”), që më krijuan kalvarin e gjatë të dënimit, me afro një dekadë heqje lirie (!), saqë do të rrëqethesha përsëri me këtë libër të Abilekës. Por, do ta lexoja me durim dhe do të gjeja ndër faqet e këtij libri me karakter publicistikë e me një frymë të pastër letrare, rishikimin e vetvetes, njëfarë “autopsie” së gjalli të një ish komunisti që dikur i besoi kësaj ideologjie të Diktatorit, që e idealizoi atë, mandej edhe i shërbeu me devocion vite të tëra, derisa do të ndjente nën lëkurë e brenda shpirtit të vet zhgënjimin e madh! “S’ka gjë më të rëndë se sa drama e besimit të gënjyer,-thash atëherë në promovimin e këtij libri me karakter reflektues, si vlerë dhe antivlerë, për të mbaruar aq çiltër në sinqeritetin e vetvetes, tek Njeriu Abilekaj, çliruar më në fund nga vargonjtë e asaj politike ekstreme që na degradoi si njerëz të lirë, mënjanë botës së civilizuar.

Dhe ja tek kemi tani një libër diametralisht të kundërt me propagandën e tërbuar që bënte Enver Hoxha kundër moralit perëndimor të njeriut: “Eva, kjo fajtore e përjetshme”, të shkruar po nga ky njeri që kishte në xhep teserën e partisë, mësuesi i dikurshëm i brezit të ri, publicisti e shkrimtari nga Vlora me emrin Novruz Abilekaj, të cilin, po te ishte ende ajo kohë e tmerrshme, nuk do të kryente më 10 vjet internim e burg, sa bëra unë, po do ta priste litari a pushkatimi, sikundër priti shumë nga poetët e shkrimtarët tanë të atëhershëm (Nelajn, Blloshmin e të tjerë) që ngritën krye kundra atij regjimi obskurantist. Po fatmirësisht jetojmë në një tjetër kohë dhe e kemi për mision që të rifitojmë vetëdijen e humbur, moralin bashkëkohës, filozofinë e zhvillimit njerëzor dhe etikën qytetare. Të shkruajmë edhe për ato tema që dikur quheshin “tabu”, të dëmshme e të rrezikshme, apo të kundërta me moralin komunist. Se, po të shprehej atëherë ky Novruz Abilekaj kundër teorisë së Darvinit se “Njeriu nuk e ka origjinën nga majmuni” dhe, as nga ajo që i thoshte e ëma e vet se “kishte lindur nga nënsqetulla!”, apo që të fliste për Legjendën e Adamit dhe të Evës më pastaj, si edhe, si mësues që ishte, të ngrinte zërin në shkollën ku jepte mësim, se përse në programet mësimore mungonte lënda e “Edukimit Seksual”, me siguri që do ta “pinte e zeza”!

E megjithatë, edhe Nokja, edhe kushdo tjetër që e ndjente se po jetonin në një kohë të errët e të egër, lexonin fshehtazi “Bijën e mallkuar” të një autori të huaj nga “Letërsia e verdhë” e viteve 30. Kalonin dorë më dorë  “Greminën e Dashurisë” të shkrimtarit tonë Mustafa Greblleshi që dergjej në burg akoma.  Me të mësuar se u ndalua qarkullimi i novelës së Gollsuorthit “Lulet e Mollës” që fliste për dashurinë e dy të rinjve, lexuesit e kërkonin  me ngut , sikundër edhe “Dekameronin“e Bokaçios që ‘’rrëshqiti” në publik në atë periudhë, vetëm si një denoncim kundër imoraliteteve  fetare, nëpër skutat e kishës, edhe pse kishte në epiqendër moralin më të guximshëm të mesjetës në pohimin e marrëdhënieve të lira midis njerëzve. Ndërkohë në Shqipëri ndalohej rreptësisht të botohej letërsia e huaj klasike e ajo moderne, nuk mundej ta shihte dritën e botimit as Dostojevski rus, as Kazanova  e mesjetës italiane  e as Bukovski amerikan i ditëve të sotme. Le pastaj te flitej për anën tjetër të Pushkinit (në jetën e tij private ne Oborin e Carit !), poet që mësohej nëpër shkollat tona, duke e mbajtur të censuruar “Ditarin” e tij të famshëm  që qarkullonte në të gjithë botën! E as që mund të përfytyrohej që gjysmë shekulli më pas, Ministria  jonë e Kulturës të jepte Çmimin e parë një vëllimi poetik me titullin “Vrima”që shkruante thjeshtë për seksin, bile prej një autoreje femër! Atëherë censurohej kinematografia e huaj në kinematë tona, duke hequr të gjitha skenat erotike dhe sidomos kur personazhet e të dy sekseve putheshin me njeri-tjetrin. Po, edhe në skenat e teatrove tona, edhe në sheshet e xhirimit, për ta shprehur dashurinë  duhej të qëndronin një metër larg njeri-tjetrit, për të mos u cenuar “morali proletar”! Dhe s’ka pak vite  që tek ne në Athine erdhi aktorja jonë e shquar Luiza Xhuvani për të shfaqur në komunitetin Shqiptarë në Greqi monodramën e huaj “Zonjusha Margaritë”, e cila, me interpretimin e saj të thjeshtë, bindës e emocional e bëri “Zap” një publikë të madh në numër që mbushte sallën e teatrit, me një leksion sugjestiv-artistik mbi edukatën seksuale, ku frymëmarrja u shua aty, si të ishim në një klasë të vetme, ku nxënësit-spektatorë duhej të dëgjonin “gjërat e padëgjuara” të jetës së tyre, të cilat, po t’i thoshte një dikur me zë të lartë, të dënonte edhe ligji!. Dhe nuk do të habiteshim më kur do ta shihnim edhe aktorin tone Laert Vasili nudo në skene, duke interpretuar “Ditarin e një të Çmenduri” të Gogolit ne mes të Athinës , nën regjinë e një regjisori Angles, apo aktoren tonë Marsela Lena, krejt të zhveshur në rolin e vet, në një teatër të Pireut, në shfaqjen e regjisorit më prestigjioz Grek Niko Mastoraqi, në shfaqjen e tij “Fanari i Kuq”, kundër prostitucionit!

E ja tek kemi tani librin e Novruz Abilekës që ka 178 faqe të shkruara po me këtë  frymë, me esse, episode, rrëfime, tregime e novela, që zbulojnë në stilin e lartë të artit e të psikoanalizës se jemi bijë e bija të Adamit dhe të Eves, se kemi lindur nga dashuria midis tyre dhe i përkasim pasionit të mishit e të gjakut, dashurisë reale midis njerëzve të lirë, për të thënë mandej  disa të vërteta të patjetërsueshme. A kemi këtu sakrilegj, një faj a një “krim”, sikundër mund ta quanin dje një të vërtetë të shprehur bukur në marrëdhëniet njerëzore? Në të gjithë këtë paraqitje panoramike të marrëdhënieve të dashurisë, të erotikës së mirëfilltë e të anës sensuale, nuk ka asgjë pornografike, banale apo denatyrore. As atë shpjegim teologjik për “mëkatin e ngrënies së mollës së ndaluar”! Rrëfimi që bënë Abileka është në anën realiste të poetikës së letërsisë e të artit, me karakter social dhe etiko-moral, në natyrën e lindjes së natyrës njerëzore. Legjenda e Adamit me Evën, është sjellur natyrshëm në rikrijimin e shtimin e jetës , si nevojë e domosdoshmëri fiziologjike, sa më larg gënjeshtrës e devijimeve të tjera fetare. Kemi këtu një transplantim të devijimeve të legjendës së moçme në kohën e sotme. Mësuesi Abilekaj nuk nguron t’i vendos personazhet e vet në bangat e asaj shkolle reale ku ka ka kryer po vet  procesin e mësimdhënies dhe ka vënë re natyrën e çiltër të nxënësve të tij, duke pëshpëritur në afërsi në bangat e fundit, për jetën dhe dashurinë , me spontanitetin e natyrës së tyre të “zjarrit” që i “djegë e i përvëlon” nga brenda shpirtit. Në librin e Abilekës janë një sërë tregimesh të shkurtra e të gjata, me një erotikë afirmative nga të dyja sekset, përbrenda një “bote enigmatike”, në këndvështrime të këndshme, të thjeshta  e me një humor të lehtë që rrjedh vetiu, në të gjitha rrethanat, etapat e moshat e njeriut. Mandej ai thotë se marrëdhënie të tilla nuk e prekin moshën në këtë dëshirë të përjetshme, deri në “perëndimin e jetës”.

Episode të ndryshme nga jeta  e bejnë librin tërheqës, me po ato kënaqësi të rralla, dehje të pafundme. Pe edhe me zhgënjime nganjëherë. Jo pa qëllim autori trillon episode gjatë gjithë jetës njerëzore, që para Krishtit, duke vazhduar me mesjetën, po edhe në vitet që do të vijnë  me shekullin e ardhshëm, për të thënë se janë po ato dëshira që evoluojnë e ndryshojnë në përputhje me rrethanat e jetës, të kohës, të realiteteve shoqërore që ecin e përsosen, të psikologjisë njerëzore që përpunohet e zhvillohet pa pre në këtë “Univers Shpirtëror” që u është dhuruar frymorëve-njerëz,-nënvizon shkrimtari, duke i vendosur personazhet në situata e rrethana nga më të ndryshmet e duke e marrë jetën si u vjen njerëzve ne rrethana e çaste të caktuara e të befta, kur “syri çan edhe gurin” shprehet Ai e kur zemra rreh me pulsimin e fortë të gjakut. Dhe në tregimin e fundit, që ka trajtën e një novele, është një rrëfim i dhimbshëm për moshën fundore të një gruaje që dikur, në rininë e saj, për të shkuar tek burri i panjohur, është këmbyer me një mushkë! E ajo do të stepet tani para ekranit të televizorit, duke parë e shushatur skena filmike me marrëdhënie të tjera të dashurisë e të seksit e do të kujtojë jetën e vet të rënduar , kur është përdorur si plaçkë tregu, bile edhe si kafshë pune e seksi primitive. Ndërkohë autori do të zbulojë edhe një të fshehtë të saj, kur dikur i ka ndritur një feks i ndjenjës së pastër, ashtu spontanisht dhe i fshehte, kur i është dridhur shpirti nga afërsia e një burri që e ka dëshiruar gjatë jetës së saj të zymtë, pa diell e pa dashuri të vërtetë.

Shkrimtari Novruz Abilekaj përshkruan në këtë libër të rrallë, të shkruar me vërtetësi jete, herë me një dritësim shpirti, herë me vuajte të ëmbla dashurie dhe befasira të erotikës, në një BOTË më vete, ku e shëmtuara, e prapambetura, anakronikja është e pleksur edhe me disa kënaqësi shpirtërore që “flenë” përbrenda njeriut, ku ndodhet e kredhur e bukura dhe ndjenja e madhërishme e shpirtit njerëzor. E kjo është e shkruar si një bisedë fare e zakonshme, me “eshkën” e zjarrit e të humorit brenda. “Dashuria ime, -duket sikur thërret ai, që ta dëgjojnë të gjithë njerëzit, edhe ai nxënësi që çuçuriste me vajzën që e do, në bankën e fundit të klasës, edhe ai 16-vjecari që sheh diçka “të ndaluar” tek trupi i vajzë e i prishet gjumi, edhe ai emigranti i pesëqindmijtë në Kifisia të Athinës, që kapitet duke lare pjata tërë ditën e ditës e që e humbet ndjeshmërinë ndaj femrës që i zbulon enkas diçka prej saj, pra-” dashuria ime, musht jete më dhuro/, këto çaste të jetojmë/,çastin tjetër nuk e di: do jem apo jo ky që jam/, do jesh kjo që je  dhe ty!”

Ndërsa Legjenda  e moçme e Adamit me Evën do të mbetet kurdoherë në faqet e një libri të vjetruar e të zverdhur nga koha e gjatë, apo e fiksuar përjetësisht në bazoreljevet prej mermeri të ndonjë Muzeu. E skalitur bukur, me trupat  e tyre lakuriq, me “mollën e ndaluar”, në dorën e Adamit dhe me po atë “gjethe” të fiksuar  rrezëkofshëve të Evës!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet