Ronaldo: Boll më me fishkëllima

Publikuar më 01. 06. 2017 nga Jola Alimemaj

Cristiano Ronaldo nuk ka qenë në formën e tij më të mirë në këtë sezon që lamë pas dhe kjo ka sjellë edhe pakënaqësinë e tifozëve të Real Madrid. Në ndeshjet në shtëpi këtë sezon ylli portugez është fishkëllyer në shumë raste çka ka sjellë edhe irritim nga ana e sulmuesit. Ai së fundmi ka shprehur edhe pakënaqësinë e tij në lidhje me këtë çështje duke theksuar se ka dhënë gjithmonë më të  mirën nga vejta. “Kam shumë durim. Nuk më pëlqen kur më fishkëllejnë, sepse nuk është normale që diçka e tillë të ndodh në stadiumin tënd.

Një person që jep 100 për qind, kur nuk shkojnë gjërat mirë duhet të duartrokitet dhe të motivohet nga tifozët. Në Manchester kurrë nuk më ka ndodhur. Mentaliteti është ndryshe, por unë jam i lumtur në Spanjë edhe pse më mungon Unitedi”, shprehet Cristiano Ronaldo. Portugezi e ka shprehur edhe më parë se kur nuk luan mirë ka nevojë për mbështetjen e tifozëve në mënyrë që të motivohet dhe jo të fishkëllehet. Ronaldo do të zhvillojë dhe ndeshjen më të rëndësishme të sezonit ndaj Juventusit në finale të Championsit dhe mbetet të shihet se çfarë performance do të dhurojë ai.