Romët, egjiptanët dhe koha për punë

Publikuar më 12. 10. 2017 nga Xhensila Demollaj

Orëve të pasdrekës mobilieria e Sali Zere nuk pushon. Prej portës së jashtme ndjehen zhurmat e mëdha të drurëve dhe makinerive. Z. Zere ka një jetë që merret me këtë profesion. Ai dhe bashkëshortja e tij janë shpërngulur nga Korça në Durrës prej më shumë se 25 vitesh, ku edhe hapën biznesin e tyre, mobilerinë, me të cilën punojnë edhe sot. “Me këtë firmë unë kam rreth 22 vjet. E nisa thjesht kam punuar me gruan. Ndërtimi i parë që kam bërë me dru nuk e mbaj mend, por kam bërë divane të thjeshtë, më vonë me këndet. Këtu ka gjëra që shiten nga 10 mijë lekë deri në 100 mijë lekë. Unë e kam me pasion këtë punë, por edhe të jep fitime”, thotë me buzëqeshje Sali, teksa më tej na tregon edhe për punëtorët romë të punësuar në fabrikën e tij. Përveçse janë të zotë në vegla muzikore, romët dinë edhe të bëjnë punë të tjera. Mjafton thjesht pak motivim dhe një dëshirë e madhe për tia dalë mbanë. Ata nuk kanë pasur synime të veçanta, por thjesht i kanë thënë po punës së tyre të parë. Antonio Avdia dhe Bajram Zeqiri janë punësuar qysh shkurt të 2016 ndërsa Sokol Elezi dhe Klevi Abazi janë punësuar së fundmi. Projekti Fuqizim Ekonomik dhe Social i Romëve dhe Egjiptianëve me fonde të Bashkimit Europian dhe i zbatuar nga PNUD ka arritur tashmë të punësojë rreth 229 persona romë dhe egjiptianë, të cilët deri më sot ishin të papunë. Projekti mbështet punëdhënësin me pagesën e 5 muajve rroge me detyrimin kontraktual që punëdhënësi të paguajë pjesën tjetër të kontratës prej një viti të këtyre individëve. Të katër individët, kanë qenë të papunë. “Fillimisht nuk dinin dhe nuk e njihnin zanatin, unë i kam angazhuar me punë të lehta me sistemime, gjëra, më tej duke parë edhe shokët që punojnë, mësuan. Tani njëri gati është bërë mjeshtër. Antonio është tapicier, ndërsa Bajrami ka kaluar punëtor i shkallës së parë. Në bazë të mundësive të mia të punës nëse ecën mirë, do të punësoj edhe të tjerë. Ka qenë e vështirë në fillim të punësoja romë, sepse me punën dhe rregullat nuk janë mësuar duan edhe të mungojnë, mirëpo tani janë shtruar punës dhe po e kuptojnë si funksionon. Tani, po rrinë bashkë me çunat e tjerë”, përfundon Saliu.

Enea dhe Alma Zeqiri, janë të dy të rinj rreth të 25-ve. Ata janë prindër të një vajze 3 vjeçare për të cilën kujdesen që të marrë formimin e duhur arsimor. Të dy të rinjtë sapo janë martuar, mirëpo kanë hasur vështirësi në gjendje civile për të marrë certifikatën e martesës .“I kam patur dokumentet e rregullta kur kam shkuar të regjistrohem në gjendjen civile bashkë më vajzën, thjesht na kanë diskriminuar dhe na kanë përcjellë nga Tirana në Durrës e anasjelltas për tre muaj rresht”, tregon Enea. Organizata partnere e projektit FESRE, “Qendra Kombëtare për Shërbime Komunitare” e mbeshtetur nga projekti ka qenë një derë e hapur këshillimi dhe zgjidhje për të dy të rinjtë dhe banorët e komunës së Nishtullës për çdo problem të tyre.

Në lagjen “Barrikada”, në Berat rreth 700 banorë egjiptianë dhe 900 familje jo-egjiptiane kanë përfituar nga rindërtimi i Kopshtit, të financuar nga projekti i BE dhe zbatuar nga PNUD. Përafërsisht 50 fëmijë nga komuniteti egjiptian në zonën e Barrikadës dhe 80 fëmijë nga shumica janë integruar në arsimin parashkollor dhe janë më të përgatitur për arsimin fillor. Kostoja e rindërtimit të kopshtit është 8.953.260 lekë ndërsa kostoja e mobilimit është rreth 1,000,000 Lekë. Projektet e infrastrukturës janë identifikuar nga vetë komuniteti nëpërmjet “Forumeve të Këshillimit të Komunitetit” të ngritura në kuadër të Projektit FESRE.

 

Adriatik Kungulli, kryefamiljar me katër femijë ka punuar si hidraulik në ndërmarrjen e ujësjellsit Berat prej rreth 37 vjetësh. Rreth viteve 2000, gjatë procesit të tranzicionit ka dalë pa punë. Me mbështetjen e projektit sot Adriatiku ushtron profesionin e vet në shkollën Ngjeçari. “Kam 3 fëmijë. Djalin e madh e kam me studime në Francë. Ishte i zoti në mësime dhe ka fituar bursë”, thotë Adriatiu, teksa në duar mban veglat e punës dhe vijon bisedën. “Unë dua që fëmijët të shkollohen dhe të mësojnë që të bëhen dikushi në jetë. Sot, unë falë projektit kam një punë dhe çoj para në shtëpi”, përfundon ai.

Nga shkolla, nuk ishte vështirë të gjendeshe në qendrën e OJF-së në Berat, ku po zhvillohej trajnimi i fermerëve për mbjelljen e kulturës së ullirit. Toka është flori dhe dheu ar. Ndaj, komuniteti rom dhe egjiptian po kujdeset që të marrë informacionet e duhura lidhur me këtë sektor. “Amaro Drom” është një nga organizatat që është mbështetur nga projeekti për të mbjellë 666 pemë ulliri në zonën e “Bregut të lumit” që do t’i shërbejë rreth 40 familjeve të kësaj zone për të parandaluar erozionin në bregun e lumit Osum, si dhe për të rritur të ardhurat e secilës familje. Parandalimi dhe kufizimi i erozonit lidhen direkt me përmiresimin e kushteve të mjedisit dhe cilësinë e tokës bujqësore.
Në datë 3 Tetor, Amaro Drom ka organizuar një trajnim me fermerët romë që do të ndihmojnë në mbjelljen dhe kultivimin e ullinjve në zonën e Bregut të Lumit.

Nga statistikat e CENSUS-it te fundit rezultojnë se janë identifikuar 8,300 romë dhe 3,368 egjiptianë, ndërsa vlerësime të tjera identifikojnë 18,2761 deri në 120,0002 romë dhe mbi 200,0003 egjiptianë.