Romela Begaj “rrëmben” medalje ari në Botërorin e Peshëngritjes (VIDEO)

Publikuar më 03. 12. 2017 nga Eno Shkëmbi

Peshëngritësja shqiptare Romela Begaj dhuroi spektakël në Botërorin e Peshëngritjes që po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Begaj mori medaljen e artë në shkëputje dhe u shpall nënkampione e botës në dygarësh, në peshën deri në 69 kg.

Begaj i kaloi me sukses të tre provat në stilin e shkëputjes, me 103, 105 dhe 107 kg. Në ketë stil, Romela konkurroi fort me dy peshëngritëset kolumbiane, duke u rrëmbyer medaljen e arit.

Peshëngritësja shqiptare bëri një garë të mirë edhe në shtytje, duke realizuar dy provat e para të realizuara me sukses, me 125 dhe 128 kg. Me provën e tretë Romela Begaj tentoi 131 kg, por nuk mundi të realizojë ngritjen.

Në përfundim në dygarësh Romela Begaj arriti në 235 kg, duke u shpallur nënkampione e botës, rezultati më i mirë i saj në një Botëror.