Robert Ndrenika: Projekti mos të bëhet nga privati, duhet ta bëjë shteti Teatrin Kombëtar!

Nga Valeria Dedaj

Projekti për TK nuk mirëpritet nga artistët, Ata kërkojnë diskutim për këtë projekt, që nuk ka në vëmendje kryesore Teatrin Kombëtar, por kullat. Sipas tyre, shteti le të marrë borxh, por mos ta lërë në duar të sipërmarrësve privat teatrin 

PPP (Partneritet-Publik-Privat) mbetet meraku i aktorit të njohur Robert Ndrenika. Edhe pse, fill pasi u njoh me projektin e Teatrit të ri Kombëtar, siç u shpreh ai vet, ndryshoi “mendim” për kryeministrin Edi Rama. “Ndryshe nga çfarë thonë artistët, kryeministri nuk e urren teatrin, ai i do aktorët, por…”, tha Robert Ndrenika, teksa mendonte se ishte live në “ERTV”, pas prezantimit të projektit. Por, nuk ndodhi kështu, sepse pas fjalës së Ramës dhe prezantimit të arkitektit lidhja direkte u ndërpre. Ndërsa, kryeministrit iu desh të ikte nxitimthi, pa i dëgjuar fare mendimet e artistëve, të cilët kishin dëshirën që të diskutonin rreth projektit, sepse mbetën të paqartë nga prezantimi.

Robert Ndrenika: Kjo që pashë ishte një dyndje një xhungël urbane!

“Kisha dëgjuar nga shumë kolegë të mi aktorë, sepse unë jam i distancuar nga debatet për arsye shëndetësore, të cilët më thoshin, se: Kryeministri nuk e do, e urren teatrin, nuk i do aktorët, seç ka një alergji ndaj tij. por, me këtë të sotmen unë e pashë se ai e do teatrin. Por, kjo që pashë më së tepër m’u duk, si një kartolinë, për këtë mund të flasin arkitektët, por unë për vete do të doja që të shihja edhe maketin, që të dija se si është skena dhe se si janë xhepat anash, që na duhen neve si aktorë. Ndërsa, puna e restoranteve këtu është tjetër gjë. Por, mua më shqetëson shumë partneriteti me privatin, sepse unë jam i bindur që shteti shqiptar nuk e ka problem që të bëjë një Teatër Kombëtar dhe këtë nuk ma heq njeri nga mendja”, tha Ndrenika, duke sjell, si shembull fqinjët maqedonas, që edhe pse nuk po e respektojnë Marrëveshjen e Ohrit, për shqiptarët po bëjnë një teatër shumë të mirë. “Po e bëjnë vet pa partneritetin privat, prandaj do t’i lutesha shumë kryeministrit edhe zonjës ministre të Kulturës, që të heqin dorë nga partneriteti privat edhe të gjejnë fonde. Pesë milionë i kanë nga greku, le të marrin edhe 25 mijë lekë borxh edhe t’i lajnë me afate. Kjo që pashë këtu ishte një dyndje, një xhungël urbane. Ajo del e bukur, se unë thashë: Kartolinë! Por, do të shihni se çfarë do të bëhet atje! Pra unë jam i mendimit, që ndoshta edhe të shtyhet kjo kohë edhe ca kohë, por ama shteti të bëjë Teatrin Kombëtar”. Këtë mendim shprehu artisti i njohur, i cili nuk dëshiron që ata që do të bëjnë kullat, të paguajnë për të bërë Teatrin Kombëtar, sepse sipas tij, shteti i ka 30 mln euro.

Kastriot Çipi: Me çdo qeveri ne fillojmë historinë nga e para

Anëtar i Sindikatës së Artistëve të Skenës së Pavarur, Kastriot Çipi vazhdon të jetë kundër shembjes së Teatrit Kombëtar dhe po mbledh firmat e qytetarëve, të cilat kanë arritur deri më tani rreth 6000. “Globe u rindërtua nga e para! Po ashtu edhe TK i Maqedonisë. Vetëm ne e rifillojmë historinë me çdo qeveri nga e para”.

Neritan Liçaj: Zoti kryeministër informohuni para se të flisni!

Aktori Neritan Liçaj, i cili ka qenë një ndër artistët më aktiv edhe më të duartrokitur në Teatrin Kombëtar, është kundër idesë që TK të shembet. Pas deklaratës së djeshme të Ramës shkroi në profilin e tij në “Facebook” se: “I sugjeroj kryeministrit Rama të shoh pak biografitë profesionale të artistëve të sotëm. Janë shumë më dinjitoze dhe të pasura se të paraardhësve tanë. Z Kryeministër përulësisht ju sugjeroj të informoheni më mirë para se të flisni. Me gjithë respektin e jashtëzakonshëm për paraardhësit tanë të jashtëzakonshëm. Faleminderit për mirëkuptimin”.

 

Një teatër metropoli, por jo një Teatër Kombëtar

Projekti është i paqartë për artistët pjesëmarrës, por jo vetëm. Pas prezantimit ata shprehen se shpresat e tyre ishin që projekti të ishte më i mirë, ndërsa, sallat që pretendohen, si kryesore, janë salla provash. Ata nuk arrijnë që të kuptojnë, se ku qëndron problemi që për këtë gjë nuk hapet diskutim për projektin e TK-së nga kreu i shtetit dhe ministrja e Kulturës, por u thonë: Pranojeni siç duam ne! “Mund të jetë për 100 vjetët e ardhshme, një teatër metropoli për qytetin, por jo teatër kombëtar”.

Julian Deda: Hallall Edo, shembe, ndërto kulla rreth e rrotull!

Aktori Julian Deda përmes një shënimi në rrjetet sociale ironizon qëndrimin e mbajtur nga aktorët dhe artistët pas prezantimit të projektit të Teatrit të ri Kombëtar nga kryeministri Edi Rama. Deda shkruan se asnjë nuk pipëtiu, kur Rama tha se teatri do të shembet. “Ai ua tha në sy ‘teatri do shembet’ dhe asnjeri nuk pipëtiu. Nuk folën as këta, që udhëhoqën kauzën që nga dita e parë, madje as këta që janë kandidatë për drejtor. Heshtje, ai është i gjatë dhe na fut frikën. Ndoshta nuk është frikë, por dorëzim nga pamundësia, ose ndoshta ishte lojë që në fillim. E në këto kushte, unë them që ai po ja bën mirë. Hallall Edo, shembe, ndërto kulla rreth e rrotull tij. Bravo Edo, ne të meritojmë ty”, shkruan Julian Deda.

Gentian Zeneli: Aktorvë të vjetërve Rama u thoshte, s’do ruajmë brekët tuaja të vjetruara!

“Kur zihej me aktorët e vjetër në vitin 2000 u thoshte s’do ruajmë brekët tuaja të vjetruara, ecni me kohën si të rinjtë. Në 2018 u thotë aktorëve të rinj: Bëhuni yje si të vjetrit që të keni gojë të flisni. I paparë, thjesht i paparë dhe unë budallai, që s’kam blerë akoma një pikturë nga të tuat. Di unë çdo bëhesh t’i pas 30 vitesh, ti që tani je dielli!”

 

Teatri, pjesë e një propozimi për një PPP, s’do ishte asnjë mëkat dhe po të ishte nën kullë!

Historia dihet…Unë i kam ndjekur debatet, por me thënë të drejtën, pa ndonjë vëmendje të veçantë, sepse është i njëjti debat që përsëritet, vetëm se gjithmonë e më shumë mungojnë protagonistët e fillimit të debatit, pasi jeta bën të vetën dhe ndahen nga jeta e shfaqen të tjerë, që në ndryshim nga ata të parët nuk kanë as reputacionin dhe as hijen e tyre në historinë e Teatrit, por kërkojnë çuditërisht, të qëndrojnë në hijen e godinës së vjetër të Teatrit, e cila do shembet. Do shembet, sepse është jashtë çdo lloj standardi për t’u konsideruar një teatër komune, jo më Teatri Kombëtar i një vendi…

Pra, jemi në kushtet, kur kemi jo thjesht një Teatër të ri, por kemi një Teatër që do të jetë 3-fishi i këtij që është sot dhe që do të ketë një sistem të tërë infrastrukture përreth hapësirave ku zhvillohen shfaqjet, që sot nuk ekziston. Padyshim do të ketë edhe hapësirën e yjeve, yjeve të shuar dhe yjeve të pashuar të historisë së Teatrit Kombëtar. Kështu që, kush ka kaluar në atë histori dhe ka lënë gjurmën e pashlyeshme të yllit të vet, por nuk jeton më, do të jetojë aty si shëmbëlltyrë në hapësirën e përgatitur enkas. Ashtu sikundër, kush sot del e bën protesta që të mos prishet godina do duhet të mendojë se si të lërë yllin e vet aty, se godinës nuk ka absolutisht çfarë i bën më. Godina do shembet dhe mbi gërmadhat e së shkuarës do ngrihet Teatri i ri Kombëtar.

Teatri është pjesë e një propozimi për një Partneritet Publik Privat. Shteti, shoqëria, qyteti, Shqipëria do të përfitojnë ndërtimin e Teatrit, me një buxhet që ky shtet nuk do ta bënte dot bashkë as për 15 vjet për t’ia dedikuar Teatrit. Mos harroni, po bëjmë rindërtimin e plotë të Teatrit të Operës dhe Baletit, që ishte katandisur në një zgafellë pisllëku dhe na është dashur që ta shtrijnë financimin në 3 vite dhe është shumë herë më pak, sesa financimi që do bëhet drejtpërdrejtë nga sipërmarrësi privat për Teatrin Kombëtar, që do t’i jepet në dorëzim si pronë publike shtetit shqiptar. Natyrisht sipërmarrësi, kompania nuk do vijë të bëjë Teatrin, edhe të shkojë në falimentim. Në pjesën tjetër do bëjë zhvillimet e veta, që do jenë pjesë integrale e zhvillimit të qendrës së re të kryeqytetit, për të cilën do flasë vetë arkitekti.

Nuk është një Teatër me kullë, por nuk do ishte asnjë mëkat dhe po të ishte nën kullë. Kemi qenë në shekullin e kaluar, kur e kemi hapur debatin me Violeta Manushin. Unë nuk kam hyrë më në serinë e 26-të të dinastisë së aktorëve që ruajnë godinën, por thashë, ishte vendi për t’i vënë pikë këtij muhabeti, duke prezantuar projektin nga arkitekti Bjarke Ingels për të ndërtuar Teatrin e ri Kombëtar.

Të tjera

Abissnet