Robert Ndrenika: Bojkoti për teatrin, tregon se duhet të fillojë lufta!

Foto 1 nga 2 Pas Para

Nga Valeria Dedaj

Ndrenika, Jupi, Budina, Trebicka dhe Çeloaliaj i kërkojnë në seancë dëgjimore në Komisionin e Edukimit dhe Medies për Informim Kumbaros dhe Ramës të tërheqin mbrapsht projektligjin për shembjen e teatrit. Ata shprehen se bojkoti i seancës nga maxhoranca bëhet vetëm arsye grabitjeje

Artistët kërkojnë tërheqjen mbrapsht të projektligjit për shembjen e Teatrit Kombëtar. Kërkesat e tyre i parashtruan sërish dje në seancën dëgjimore në Komisionin e Edukimit dhe Medies për Informim. Ndonëse, vetëm përballë deputetëve të opozitës, në mungesë të ministres së Kulturës Mirela Kumbaro edhe të deputetëve të maxhorancës, artistët Robert Ndrenika, Taulanda Jupi, Robert Budina, Alert Çeloaliaj dhe Alfred Trebicka  shprehin vendosmërinë  e tyre, se nuk do të lejojnë që trualli i Teatrit Kombëtar të tjetërsohet.

Aktori i njohur Robert Ndrenika e konsideron fyese sjelljen e ministres së Kulturës, e cila jo vetëm nuk ka marrë mundin që të vinte në komision (ka munduar në disa dëgjesa për teatrin), por edhe atë të kryeministrit të vendit Edi Rama, i cili është duke vepruar me tokën publike, sikur ta kishte të vetën. Të premten, artistët do të nisin protestën artistike, derisa të marrë udhë çështja e Teatrit Kombëtar. Nëse do të duhet që ata të veprojnë si qeveritarët do të rreshtohen një për një tek teatri. Nëse duhet referendum (50 mijë firma) ata do ta bëjnë, por shembjen e teatrit nuk do ta lejojnë.

Robert Ndrenika: Më bie era grabitje, kryeministri dhe minsitresha duan të vjedhin!

Do të doja që të ishte edhe pala tjetër në Komision, por mospjesëmarrja e tyre tregon se këtu duhet të fillojë lufta, jo më në Korenë e Veriut, por duhet që të fillojë luftë për këtë gjë. Doja të arsyetoja me ta, por, ata nuk vijnë fare. Më mbyllën mikrofonin në kryeministri, por Partneriteti-Publik-Privat (PPP) me tokën e Teatrit Kombëtar është vjedhje. Është grabitje! Edhe për këtë jo unë vetëm, por le ta analizojnë të tërë, një përparësi që i jepet një firme. Kjo histori ka 20 vite që ka filluar, që donin t’ja jepnin privatit. Pa pyetur aktorët, pa marrë parasysh opinionin publik. Një arbitraritet, që çfarë të them. Prandaj, shpreh keqardhje, por këtu fillon lufta! Mendimi im është ky! Nuk na dëgjon kush, s’na përfillë kush, qytetarët na braktisin. Më vjen keq, që jo vetëm neve si komunitet artistësh, por edhe juve po ju poshtërojnë. Pra, nuk di se çfarë t’ju them! Kjo është grabitje me veprim.

Ka 20 vite kjo tentativë për grabitje. 20 vite të plotë! Ajo tokë vërtet quhet e shtetit, por është e komunitetit teatror, se kanë lënë kockat njerëzit atje. Të vijë një Fusha, Mali, Kodra edhe ta grabitë, këtu më lë shteg që ta mendoj, se do të vjedhë kryeministri, ministresha etj. Mendja më vete, derisa nuk na përfillin në bisedime me logjik. Gjatë këtyre 20 viteve, si nuk u tha njëherë që TK duhet ta ndërtojë shteti? Gjithë populli ashtu thotë, por gjatë 20 viteve privati, privati, privati…

Por, le të shkojë tek Kodra e Priftit, se TK e bën shteti në të gjitha vendet.  Në planin francez që kanë paraqitur këta para disa vitesh, teatër nuk eksiton fare. Ai nuk të përfillë, ai ka një mendje të tij. Unë kam thënë, se çfarë thotë presidenti, pas një dite më thirri në takim, po ashtu edhe me kryetarin e Kuvendit, po ashtu me juve, ja këto janë përpjekjet tona, se unë nuk mundet që të vete te shtëpia e Metës edhe t’i them: Takomë me djalin! Rama jo s’më përfilli, por më preu mikrofonin. Çfarë mesazhi kam unë: Mua më bie era grabitje këtu!

Robert Budina: Jeta jonë po luhet teatër, po shkojnë deri aty ku nuk mban më!

Po ju drejtohem në formë njerëzore, të gjithë juve, sepse para se të jeni deputetë, jeni njerëz. Nuk është shenjë fare e mirë që deputetët e PS nuk janë këtu. Paralajmërimi, se jemi në luftë, më trishton. Jemi të gjithë bashkëfajtorë në këtë. Por, kisha ca pyetje për deputetët e maxhorancës, për ju dhe si do të shkojë deri në fund kjo punë? Për deputetët e maxhorancës, kisha këto pyetje: Para se të merrnin pushtetin, ata premtuan se do të restauronin TK, përse nuk e bënë?

Përse, projekti i ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar i janë bashkangjitur kullat? Është qëllimi për të ndërtuar një TK apo disa kulla? Pasi nëse do ishte ky qëllimi do të gjendeshin mënyrat edhe nuk do të thuhej: Ju nuk keni lek, se nëse ju nuk keni lek, ju premtojmë se shqiptarët do t’i kenë ato lekë për t’ja dhënë vendit të tyre. Përse nuk e bëni transparent projektin e TK, si janë sallat, skena, kostoja? Pronë e kujt është edhe pronë e kujt do të mbetet? Duke ja dhënë TK-Bashkisë, TK nuk ka më as tokën e tij, ku mbetet? Nëse s’kemi tokë, s’kemi godinë edhe s’kemi më as TK.

TK do të jetë vetëm në gjysmën e këtij territori që është. Ju takon juve që të këmbëngulni. Ne nuk jemi as gjykatës edhe as prokurorë, që t’i bëjmë këto. Përse deputetët e maxhorancës bëhen bashkëpunëtorë në krim? Si mund që një kontratë të kthehet në ligj, çfarë mendojnë ata? A kanë një vetëdije qytetare, si njerëz, jo nga ana politike. A e kuptojnë se çfarë po bëjnë, po i vënë pikën pronës shtetërore në Shqipëri?

Tani po ju drejtohem juve të opozitës: Çfarë do të bëjmë ne për të dalë nga kjo situatë? Si do ta shmangim këtë katrahurë? Cilat janë mjetet ligjore, që ju të na ndihmoni ne që të shpëtojmë nga kjo? A mundet që ju t’i kërkoni kësaj qeverie edhe të bëni një komision parlamentar hetimor, që të zbulohen aferat korruptive, që fshihen pas këtij ligji në përgjithësi. Ne nuk e kemi këtë mundësi, jemi thjesht artistë. Ne mundet që t’ju sensibilizojmë, ne kemi vetëm fjalën, ndërsa ju jeni ata që i vini në zbatim këto. Edhe për të dy palët bashkë, meqenëse gjasat duken edhe se mund që të votohet, por para se ta votoni kini parasysh këto pyetje: A do të votoni ju deputetë, një ligj që injoron ligjet e tjera, që ju keni votuar, po vet për koncesionet dhe PPP-të? A do votoni ju të dashur deputetë një ligj që të vetmen referencë ndaj kushtetues ka nenin që shpjegon procedurën e votimit me shumicë të thjeshtë dhe me procedurë të përshpejtuar?

A do të pranoni ju që të ktheheni në një institucion që jep leje ndërtimi? A do të pranoni ju që ligjin nga rregullatori i marrëdhënieve shoqërore ta ktheni në një kontratë të rëndomtë, që vlen për ca metra katrorë? A do të pranoni ju që të shkelet balanca e pushteteve, duke ju injoruar tërësisht si ligjvënës, a do të pranoni ju që të shkelni mbi pushtetin lokal me votën tuaj, duke injoruar vullnetin e qytetarëve të Tiranës, të shprehur me votën e këshillit bashkiak. Ne do të përhiqemi që ditën e premte të fillojmë një protestë paqësore, duke u përpjekur që këtë protestë ta kthejmë në festë.

T’u themi se çfarë na dhëmbë, jo neve si artistë, por çfarë i dhembë popullit.  Popullit i dhëmbë shumë! Për komisionin tjetër, dëgjesën me ministren e Kulturës të vini tek Teatri, sepse të jeni të bindur që nuk do të bëjmë asnjë akt vandal, asgjë, që nuk na shkon përshtat kulturës së vendit tonë, se duam që të japim shembullin të parët, por do të jemi shumë paqësor. Do të rrimë pa folur edhe do t’ju lëmë juve që të flisni, se ne do të rrimë si spektatorë. Por këtë hajde e bëni në skenën e teatrit, sepse jeta jonë po luhet teatër qartësisht. Duke qenë se ligji nuk po zbatohet, e vetmja formë mbetet që ne të veprojmë në mënyrë kaq të parregullt, siç po vepron qeveria, që për të marrë truallin me arbitraritet dhe ne do të vetëmbrohemi me arbitraritet, nuk kemi mjete të tjera. Ne do të japim një shembull të protestës artistike, që ta kuptojë edhe populli. Ne duhet që të bëjmë katarsis, po shkon deri aty sa nuk mban më.

Taulanda Jupi: Deputetët e maxhorancës do hynë në histori nëse shembin teatrin

Ka 20 vite që luhet tragjedia të shembet apo jo teatri, sot jemi në aktin e fundit të kësaj tragjedie: Do shembet apo jo teatri? Ju bëj thirrje juve si deputetë të opozitës, por edhe kolegëve tuaj, që mungojnë, që mos e lejojmë që viktima e kësaj tragjedie të jetë TK. Të shembësh TK është një dukuri anakronike që nuk ka ndodhur, se prej sa mijëra vjetësh, përveçse sa bombardimeve. Në asnjë vend të botës nuk shembet teatrot, por rikonstruktohen. Mungesa, e deputetëve të maxhorancës tregon jo vetëm një bjerrje shpirtërore, por e atyre njerëzve që nuk e di se për çfarë ulin kokën edhe shesin çdo gjë që kanë, madje edhe integritetin e tyre, jo vetëm aq, por edhe besimin e votuesve.

Unë kam shumë kontakte edhe me deputetë të majtë, që nën zë shprehen kundër këtij projektligji. Budina radhiti disa elementë juridikë, unë mendoj se frika më e madhe që po i bëhet shtetit shqiptar është që ju të përdorni të gjitha mjetet, deri në referendum me çfarë keni mundësi. Është vërtet një atentat për artin edhe kulturën në Shqipëri. Edhe një herë u bëjë thirrje deputetëve të maxhoranës, që mos të hynë në histori si ata që firmosën shembjen, shkatërrimin e kulturës dhe teatrit në Shqipëri.
Alfred Trebicka: Janë vetëm frikacakë, por fshihen pas pushtetit!

Është shumë domethënës fakti, që deputetët e maxhorancës nuk janë këtu sot. Për ministren e Kulturës e kam dëgjuar edhe herë të tjera se nuk ka ardhur për teatrin, se janë të menderosur te puna e teatrit me atë që po bëjnë. Edhe unë si qytetarë çdo natë dëgjoj takime me popullin për llogaridhënie apo ku di unë se çfarë, një demagogji e përbindshme, fyese edhe e turpshme. Këta njerëz që shkojnë në çdo qosh të këtij vendi për të dëgjuar hallet edhe problemet, si ka mundësi që nuk i japin njëherë fjalën Bert Ndrenikës, që të thonë mendimin e tij, si një ikonë e jona. Si ka mundësi, që këtyre që u qan shpirti për të dëgjuar hallet e qytetarëve të zakonshëm, që s’kanë lekë as për të paguar dritat.

Ndërsa, për një çështje, si TK gjejnë forma të tilla shmangieje për të mos përdorur ndonjë fjalë tjetër. Që janë frikacakë unë nuk e vë në dyshim. Por, që fshihen pas pushtetit edhe janë të mbrojtur nga pushteti. Nëse ndëshkohet deri te akti i fundit i shembjes së TK , do të jetë një moment për ne që e pranuam edhe për të gjithë gjeneratën e artistëve, politikanëve, qytetarëve, të shqiptarëve, kudo që janë. Do të jetë një turp, siç ka qenë plenumi i Beratit, njollë e zezë. Kjo do të jetë një njollë e zezë për të gjithë ne, se atyre nuk u bëhet vonë. Për të gjithë ne që jemi këtu do të jetë një njollë e zezë.

Alert Çeloaliaj: Në sipërfaqen e re të TK do të kemi një humbje prej 22 për qind

Republika e Shqipërisë në total ka më pak teatro sesa Shkupi, si qytet dhe kjo është për të qarë hallin për ne si artistë, për popullin edhe për kulturën në përgjithësi. Thonë se mungojnë paratë për të ndërtuar një Teatër të ri Kombëtar dinjitoz, sepse disa mendojnë se ky që kemi nuk është i tillë. Nuk janë konsumuar asnjëherë rrugët e mundshme për të mbledhur fonde, qoftë edhe nëpërmjet ndihmave që mund ta japin qytetarët tanë nëpër botë, sepse jam i bindur se jo të gjithë e kanë mendjen për të rrjepur nga trualli i republikës së Shqipërisë. U paraqit një projekt, që vjen me një sallë 600 vendshe, kur 580 është ai aktual, duke e shitur si arritje, bashkë me dy black boxe të vogla nga 100 vende.

Kapaciteti i ri i këtij teatri që thuhet se nga 3000 metra katrorë do të bëhet 9000 metra katrorë është vetëm 800 vende, që nuk i sjell asgjë të re Tiranës, por është një prapambetje e qartë e vizionit se çfarë do të bëhet me Tiranën në të ardhmen, sepse është e pamundur që Tirana të ketë një TK me kaq vende të ndarë në tre salla. Ndërkohë, harrohet se TK dhe TKES, që nuk i dihet fati i tij, aktualisht që flasim kanë më shumë se 1030 vende. Në sipërfaqen e re të TK do të kemi një humbje prej 22 për qind. Çfarë do të ndodhë pas shembjes së TK, çfarë do të shembin më? Do të mbyllin ciklin e murosjes, edhe me murosjen e Rozafës? Sepse faktikisht edhe legjendën ua ka lënë gjyshi. Ne nuk bredhim më derë më derë, e kemi bërë detyrën tonë, por ju presim në teatër.

Albana Vokshi: Rama u ka mbyllur gojën të gjithëve!

Ministrja ka refuzuar që të paraqitet në këtë komision, kjo nuk është hera e parë, por e disajta. Është në shkelje të nenit të 7 të Kushtetutës, që sanksionon parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Nën dritën e këtij parimi merr përparësi funksioni i kontrollit parlamentar, që nënkupton të drejtën e pushtetit legjislativ, për t’u informuar, për të realizuar mbikëqyrjen dhe zbatimin e ligjeve nga organet e pushtetit publik brenda kufijve të përcaktuar nga Kushtetuta. Injorimi i të drejtës së opozitës për të thirrur dëgjesat, është një akt injorimi ndaj autoritetit të Kuvendit të Shqipërisë, edhe si i tillë është akt thellësisht antikushtetues. Meqenëse e bëjnë në mënyrë të vazhdueshme, shihet që edhe deputetët e maxhoranxës kanë zgjedhur që të jenë pjesë e këtij projektligji. Edhe maxhoranca, e deputetët po bojkotojnë. Të gjithë e kemi të qartë, se përse deputetët po bojkotojnë, pasi nuk mundet që të mbrojnë një ligj antikushtetues, i cili bëhet për një kompani private edhe për interesa private. Teatri është një prej krimeve, që bëhet me anë të këtij ligji.

Me miratimin e tij nënkuptohet se TK aktual do të shembet menjëherë, por skandali më i madh qëndron se e gjithë pjesa e sipërfaqes së tokës, gjurmës së teatrit, por edhe pjesa e tokës publike që është rreth teatrit do të jepet sipas termave të përcaktuara nga një kompani private, privatit. Jo vetëm pjesa e teatrit, por edhe pjesa publike përreth teatrit di t’i jepet privatit. Është një urdhër i urdhëruar nga Rama. Bojkoti është një shenjë shumë e keqe. Përderisa ministrja ka refuzuar që të vijë, edhe ka shprehur gatishmërinë e saj që të paraqitet pranë këtij komisioni në datat, 19 ose 20 qershor. Mbledhja tjetër do të jetë në njërën nga këto data, edhe propozoj që mbledhja të mos bëhet në Kuvend, por në ambientet e Teatrit Kombëtar. Aty të gjithë do të keni mundësi që të dëgjoni apo të shkëmbeni një mendim për këtë projekt, që në këndvështrimin tonë është mafioz. Fakti, që Rama u ka mbyllur gojën të gjithëve. Në rast refuzimi për takim e radhës tek teatri, për çdo takim që do bëjmë me ministren, ju do të jeni prezent.

Edmond Spaho

Nëse qeveria ka ndërmend të ndërtojë një Teatër të ri, bujrëm le ta bëjë, por këtë të mos e prishë. Ne nuk duhet të biem në kurthin e çështjeve teknike, si do të ndërtohet etj., por Teatri me histori 90-vjeçare duhet të ruhet. Pse nuk prishet godina në krah të Teatrit, po u rikonstruktua?! Edhe Teatri mund të rikonstruktohet! Ne do të jemi me ju kudo që t’ju mbështesim. Së dyti, ne do të sensibilizojmë qytetarët, sepse duke ndenjur indeferentë po na mbysin kullat. Janë bërë ngjitur me njëra-tjetrën.

Ne u bëjmë thirrje intelektualëve të mos rrinë indiferentë, të mos merren me debate në kafenera, por të shprehin mendimin e tyre dhe ta ngrenë zërin. Edi Rama nuk njeh rrugë institucionale. Po besuat se ne do ta pengojmë atë me letra, peticioneve, dëgjesa me ministren…këto vlejnë për të sensibilizuar por Edi Rama kupton vetëm “gjuhën e Kukësit”. Atje ku rrezikohet pushteti i tij ai reagon. Ne duhet të mblidhemi të gjithë te Teatri dhe t’i bëhemi pengesë atij.

Nora Malaj: Dëgjesa për teatrin, më e dhimbshmja që kemi bërë në Komision

Po bëjmë një nga dëgjesa më të dhimbshme që kemi bërë ndonjëherë si Komision. Të jesh patriot , nuk do të thotë vet të tundësh vetëm flamujt e atdhedashurisë, po njëherazi duhet të mbrosh vlerat e trashëgimisë kulturore e shpirtërore , të mbrosh interesat e atyre njerëzve që në dekada me radhë në sallën e këtij teatri na kanë mbrujtur me dashuri e atdhetarizëm dhe na bënë që ne sot , duhet dhe jemi me çdo zë aktori , në mbrojtje të Teatrit Kombëtar.

Ne nuk jemi të huaj në vendin tonë, po jemi qytetarë europianë, që qeveria duhet të na trajtojë si të tillë, që e dua kulturën dhe kjo nuk është? kauze për protagonizëm, por për të mbrojtur të drejtën për mbrojtjen e Teatrit dhe vlerave të trashëgimisë kulturore, për mbrojtën e Teatrit Kombëtar si vlerë e Kombit! Qeveria e papërgjegjshme do te shembi Teatrin, si Neroni dogji Romën!

Sot po bëjmë një nga dëgjesat më të dhimbshme që kemi bërë ndonjëherë si Komision. Të jesh patriot, nuk do të thotë vet të tundësh vetëm flamujt e atdhedashurisë, po njëherazi duhet të mbrosh vlerat e trashëgimisë kulturore e shpirtërore, të mbrosh interesat e atyre njerëzve që në dekada me radhë në sallën e këtij teatri na kanë mbrujtur me dashuri e atdhetarizëm dhe na bënë që ne sot, duhet dhe jemi me çdo zë aktori, në mbrojtje të Teatrit Kombëtar!

Sot është ulur këmbëkryq flirti ilegal midis qeverisë e biznesit, duke sjellë një pseudoligj të paparë e të padëgjuar! Askush nuk ka të drejtë të tradhtoj kauzën e komunitetit të artistëve , që të marr fund një herë e përgjithmonë kjo situatë absurde , e cila do të ishte e denjë për një vepër Kafkjane. Ne nuk jemi të huaj në vendin tonë, po jemi qytetarë europian , që qeveria duhet të na trajtojë si të tillë, që e dua kulturën dhe kjo nuk është? Kauzë për protagonizëm, por për të mbrojtur të drejtën për mbrojtjen e Teatrit dhe vlerave të trashëgimisë kulturore, për mbrojtën e Teatrit Kombëtar si vlerë e Kombit!!! Të gjithë në mbrojtje të Teatrit Kombëtar si vlerë e patjetërsueshme të Kombit. (vijon 20-21)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Enklava apo komuna?

Emilie Fort Pothuajse një vit më parë, kur shkëmbeva disa email-e, me një profesoreshë në Beograd, unë theksova përdorimin e…

Abissnet