I riu shqiptar mahnit Austrinë

Imagjinata, vëllai dhe aparati fotografik, këto janë tre elementët e zakonshëm që i bëjnë të jashtëzakonshme fotografitë e 23-vjeçarit nga Presheva, Adrian Limani. Adriani nuk është shumë i njohur në Shqipëri, e megjithatë dijeni se ai është i pari shqiptar që ka fituar çmimin “Gold Medal of Excellence”, në Linz të Austrisë.
Me fokusin e përqëndruar te hëna, ai ka mundur të realizojë një set fantastik fotosh. Duke luajtur me iluzionin optik, 23 vjeçari ka sjellë foto që kanë rrëmbyer vëmendjen e yjeve ndërkombëtarë si Jessie J, Calvin Harris, P. Diddy e Tyrese Gibson. Fotot e tij janë publikuar nga Daily Mail e media të tjera prestigjoze jashtë vendit.
Fotografi duhet të sfidojë ligjet e probabilitetit apo madje të të mundshmes; në rastin ekstrem, ai duhet të sfidojë ato të interesantes: një fotografi bëhet “befasuese” kur nuk e dimë pse është bërë…
Fillimisht, fotografia, për të befasuar fotografon të veçantën; po shumë shpejt, sipas një inversioni të njohur, shpall të veçantë çfarëdo që fotografon. Pastaj “gjithçka e çfarëdo” bëhet maja e vlerës së sofistikuar. Ky ishte koncepti i filozofit dhe kritikut më të madh të shekullit XX, Roland Barthes për fotografinë.
E se çfarë do të thotë sofistikim, e veçantë, befasuese, interesante në një foto e mësojmë përmes talentit të 23 vjeçarit nga Presheva. Në një rrëfim të veçantë Limani tregon dicka më shumë për fotografinë dhe lidhjen e tij me hënën.
Thonë që Limani ka një filozofi të bërit foto? Cila është filozofia jote që të bën të fitosh trofe të tillë dhe vëmendje përtej kufinëjve?
Besoj se çdo fotograf ka teknikat e veta se si i bën dhe i përpunon fotografitë. Unë jam autodidakt dhe çdo herë jam munduar të eksploroj dhe provoj gjëra të reja duke mësuar dhe përvetësuar kështu teknikat e mia që në njëfarë mënyrë kam arritur të bëj një stil të veçantë të fotografive që unë kam realizuar deri më tani.
Mendoj se pretendimet dhe vetëbesimi janë ato çfarë e bëjnë njeriun të bëj dhe arrijë atë çfarë dëshiron. Unë çdo herë jam munduar që artin tim ta shpalos përtej kufijve dhe në njëfarë mënyrë kam arritur të kem sukses falë punës së pandalshme e mirë të përkushtuar.
Sot ka miliona fotografi online dhe për të tërhequr vëmendjen nuk është edhe e lehtë prandaj duhesh të bësh diçka unike dhe origjinale në mënyrë që të karakterizohesh për atë çfarë ti ke bërë.
Ku (vendi) dhe kur (në ç’kohë) të pëlqen të fotografosh?
Më pëlqen të bëj fotografi në kohen e lindjes dhe perëndimit të diellit, sidomos ajo periudha që unë i them Golden Hour, për mendimin tim dalin fotot shumë të bukura dhe unike. Më pëlqen të fotografoj në natyrë më shumë, po ashtu edhe në ndonjë objekt brenda apo në rrugë, rrugica interesante.
Pret gjatë për të realizuar foton e projektuar në mendje?
Sa i përket fotografisë është një fushë e gjerë dhe ka kategori të ndryshme, arti që kam realizuar më shumë i përket kategorisë FineArt/Konceptuale dhe ky zakonisht përbëhet duke kombinuar fotografitë dhe objektet e ndryshme në 1 të vetme dhe kur punoj në këto lloj foto zakonisht e kam në mendje idetë dhe vetëm dal i realizoj fotografitë pastaj i përpunoj.
Mirëpo sa i përket kategorive të tjera përshembull landscape ose ndonjë perëndim të diellit është e zakonshme që duhet të presësh momentin e duhur për të kapur një çast t’bukur. Përveç fotografive konceptuale unë bëj edhe fotografi të tipit landscape, portrete, street, arkitekturë.
Loja me hënën i bën kaq të veçanta fotot e tua! Si e krijove konceptin e lojës me hënën?
Ishte një ditë kur dola të realizoj disa silueta të ndryshme pasi që siç thashë më pëlqen të fotografoj në perëndimin e diellit. Dhe modeli në fotot e mia zakonisht është vellai im, dhe i thoja të bënte lëvizje të ndryshme, dhe për një moment më erdhi ideja t’i them ta bënte lëvizjen sikurse po gjuante një top, pastaj më erdhi në mendje se këto silueta mund t’i kompozoj aq bukur sa që të duken shumë reale.
Cili është sekreti i një fotoje unike?
Ideja!
Çfarë komponentësh duhen për të realizuar foton ideale?
Për të realizuar fotografitë konceptuale duhet të kesh ide dhe aftësi për t’i bërë ato. Ndërsa sa i përket komponentëve që e bën të bukur një fotografi për mua kryesore është drita dhe kompozicioni.
Është pasion i zbuluar me kohën apo keni studiuar për këtë?
Unë kam studiuar për shkenca kompjuterike. Fotografia është pasion që ka lindur me kohën. Kam filluar të merrem nga mosha 17 vjeçare.
Ke menduar për ndonjë ekspozitë në Shqipëri?
Po, unë kam pasur një ekspozitë të vogël në Tiranë në muzeun kombëtar në eventin TedX Tirana 2013, po ashtu edhe në Zyrih të Zvicrës. Planet e mia për momentin janë më të përqëndruara për të hapur ekspozita në shtetet tjera siç janë: Gjermania, Anglia, SHBA.
Mirëpo definitivisht do të punoj për një ekspozitë personale në Tiranë. Do kisha patur shumë dëshirë që turin e ekspozitave ta përmbyll me qershinë mbi tortë në kryeqytetin tonë të bukur, Tiranën./Konica

Të tjera

Leksioni i Studentëve

Nga Zef Bushati Përtej kryefjalës së këtyre ditëve “student” dhe përpjekjeve të kuptueshme për pronësimin politik të protestës, e cila…

Abissnet