“Risitë, shkëlqimi, gafat e festivalit të 56 dhe çfarë u duhet këngëtarëve”

Publikuar më 27. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Desar Sulejmani (Pianist, Dirigjent)

Kritikë/ Pianisti dhe dirigjenti i njohur analizon Festivalin e 56 të Këngës në tri net. Ai ndalet, tek risitë dhe shkëlqimin, që iu rikthye këngës në këtë edicion, por nuk anashkalon as gafat.  Artisti mendon se brezat e rinj të këngëtarëve shqiptarë kanë nevojë për më shumë kujdes, që të bëhen kështu denjësisht të konkurueshëm me tregun muzikor botëror

Prolog

Duke u kthyer vonë në shtëpi, atëherë kur sapo ishte bërë e diel, po kërkoja të gjëja në internet një platformë online, ku mund të ndiqja fundin e Festivalit të 56 të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar. Pas shumë dështimeve me sukses për t’i ndjekur edhe me figurë minutat e fundit të natës finale, përfundova në valët e Radio Tiranës, e cila po transmetonte festivalin direkt nga salla e Pallatit të Kongreseve në Tiranë. Duke ditur që momentet e fundit i takojnë të ftuarve, dëgjoj të këndohej një këngë me një stil të papërcaktuar muzikor dhe vokal dhe një zë, i cili me vinte disi i njohur ne vesh, por çuditërisht i sforcuar, ose më saktë me diksion të huazuar disi nga francezja Mirel Mathieu. Më dukej sikur po këndohej një muzikë, të cilën e njoh profesionalisht shumë mirë.

Minutat e mëtejshme dhe disa tinguj e timbrika të shkurtra vokale sikur më rikthyen në kujtesën time zërin e Elsa Lilës. Duke pritur sidoqoftë me një kërshëri të vetëkuptueshme fundin e kësaj “gjëegjëze” vokale, mësova që ishte me të vërtetë Elsa Lila ajo, që ishte rikthyer në skenën e Festivalit të Këngës në RTSH me një projekt të sajin, të shfaqur para publikut të Romës në pranverën e vitit 2016.

Credo (ose simbolika e të fshehtës hyjnore)

Mbas plot minutave muzikore të të ftuarës, dëgjoj prezantimin e këngës fituese, të cilën personalisht e gjykova që në fillim si mjaft të arrirë për qëllimin kryesor që Festivali i Këngës në RTSH i ka vënë vetës në dekadën e fundit, pra prezantimit sa me të mirë dhe arritjen e një vendi të nderuar në European Song Contest (ESC). Ky qëllim është në fakt disi i ndryshëm nga fillimet e Festivalit në vite, i cili synonte në vetvete kultivimin e këngës moderne shqiptare.

Festivalet e Këngës në RTSH, me stilin e asaj kohe (sidomos ato të fillimit) mbanin një shoqëri të tërë nën një tension të admirueshëm artistik. Këto festivale ishin bërë shumë të dashura për breza të tërë shikuesish dhe dëgjuesish, të cilët prisnin me padyshim se çfarë risie do të sillte në fund të dhjetorit Festivali i Këngës.

Në ditët e sotme, ku çdo gjë bëhet dhe ikën tmerrësisht shpejt e asnjeri nuk ka kohë të jetë shumë i përqendruar, edhe ky institucion artistik i rëndësishëm i muzikës moderne shqiptare e ka të vështirë të mbajë gjithmonë lart stekën e dikurshme artistike.

Këtë profil apo status të veçantë të Festivalit të Këngës në RTSH në një farë mënyre e ka cenuar edhe krijimi i aktiviteteve muzikore të mëvonshme, qoftë të përafërta (festivale të ngjashme anekënd kufirit politik shqiptar), apo zhvillimi audiovizual i muzikës shqiptare, (në të shumtën e rasteve me kahe negative dhe pa një balancë profesionale të sharlatanëve alla BBF, TV Tallava etj.), të cilat e kanë shpërndarë vëmendjen e publikut. Në të njëjtën kohë unë përpiqem të kuptoj nevojën që ka muzika moderne shqiptare, përkatësisht gjinia e këngës, për t’u përshtatur e bërë kështu e konkurueshme në tregun muzikor botëror.

Duke u kthyer tek mendimet e para, të nesërmen e natës finale të Festivalit të 56 të Këngës në RTSH hulumtova me kërshëri artistike prurjet e reja të këtij viti. Këtu kam parasysh jo vetëm këngën si gjini muzikore/vokale, por edhe elementë të tjerë të spektaklit, të cilat janë pandashmërisht shumë të rëndësishme për këtë aktivitet kulmor të çdo fundviti.

Duke njohur profilin e profesional të prezantuesit Adi Krasta, si dhe të regjisorit Pali Kuke, vura re me kënaqësi që festivali i këtij viti ishte realizuar më mirë, më i strukturuar dhe me elementë mjaft të gjetur në tërësinë e tij si spektakël i këngës.

Skenografia e bukur, që ia rriste madhësinë skenës relativisht të vogël të Pallatit të Kongreseve, që sidoqoftë mund të zbukurohej edhe më shumë nëse do mbante mbi vete dhe Orkestrën Simfonike të RTSH dhe bandën e festivalit, ndarjet e skenës midis Adi Krastës dhe kolegëve të tij, një tërësi të veçantash të tjera artistike, p.sh. ardhja e Ricardo Cocciante dhe publiku që këndonte bashkë me të, po ashtu edhe me Alban Skënderin, dalja në skenë e Orkestrës Frymore të Forcave të Armatosura, shoqërimi dhe këndimi direkt i muzikës me një cilësitë arrirë televize, ia rritën shumë vlerat këtij edicioni dhe e nxorën atë nga një batak provincializmi, që ka karakterizuar gjerësisht në edicionet e kaluara. Një prezantues i mirë ia rrit padyshim vlerat aktivitetit; një skenar i mirëmenduar e plotëson të tërë spektaklin. Festivali i 56 i Këngës në RTSH, i parë nën këtë prizëm, dallonte lehtësisht, u soll freskët dhe në përgjithësi artistikisht me një ritëm të zhdërvjellët tek publiku, duke ia ruajtur në këtë mënyrë statusin e aktivitetit më të rëndësishëm kombëtar të këngës shqiptare.

Kënga fituese “Mall” që në momentet e saja të para të jep një emocion të mirë, të mban shtrënguar në një farë kërshërie muzikore dhe të mbush me shpresë, që mund të na përfaqësojë denjësisht në ESC-në e vitit të ardhshëm. Personalisht ndjehem optimist që kantautori Bushpepa, nëse mbetet të paktën në këtë nivel interpretimi dhe prezantimi të këngës së tij, do mund t’i dhurojë shqiptarëve një vend të mirë në listën përfundimtare të ESC me 18 maj 2018 në Lisbonë të Portugalisë.

Sidoqoftë mes këtyre mendimeve pozitive më duhej të pyesja veten: A ishte ky festival një festival i mirëfilltë shqiptar, ose më saktë a solli me të vërtetë ky festival ndonjë risi në prurjet e këngës shqiptare nga dy anët e kufirit politik? Megjithëse në këtë rast nuk synoj të jap një mendim universal e aq më pak të gjykoj mbi zgjedhjen e organizatoreve, ama në gjykimin tim influenca e fortë italiane ia zbehu shkëlqimin e veçantë këtij festivali.

Megjithë respektin e veçantë që unë kam për “vëllanë” e madh të festivalit tonë, “Sanremo-n” italian, vura re me keqardhje që Festivali i 56 i Këngës në RTSH ishte katërçipërisht i italianizuar. Këtu nuk e kam fjalën vetëm për të ftuarit e huaj të ardhur me shumicë nga Italia, por për ndjesinë që të krijohej, që ky festival ishte konceptuar si një përulje homazhi ndaj “vëllait” të madh përtej detit. Parë në aspektin thellësisht profesional dhe mbi të gjitha duke menduar e besuar që festivali ynë zhvillohet në Tiranë, pra ka si detyrë parësore vlerësimin dhe ngritjen në piedestal të vlerave shqiptare të këngës në veçanti dhe spektaklit shqiptar në përgjithësi, mendoj që edhe ky edicion i fundit nuk arriti të sillte veçanti shqiptare.

Është bukur kur formate të suksesshme televizive me vlera universale, siç është festivali i “Sanremos” në Itali, të merren si bazë dhe të shërbejnë, si pikë referimi tërthorazi. Ama kur ky format sillet tërësisht i imituar dhe propozohet si “shqiptar”, kjo nuk përbën asgjë tjetër veçse një kopje, sado e mirë që ajo mund të jetë.

Unë mendoj që një festival i përmasave dhe mundësive të mëdha të ofruara nga RTSH, i bazuar në veçoritë mbarëshqiptare, jo vetëm përsa i përket këngëve konkurruese, por edhe aspekteve të tjera të një spektakli të tillë, ia rrit vlerat artistike e kombëtare, të cilat ky festival pretendon t’i mbartë me krenari mbi supet e tij.

Jo çdo gjë që e ardhur nga jashtë, është detyrimisht vlerë universale e që meriton ngjitjen në skenën e këtij festivali. E tillë ishte edhe rikthimi i Elsa Lilës këtë vit. Nën petkun e një risie artistike, znj. Lila, një talent vokal i spikatur i fillim viteve 90’, e cila me interpretimet e saj të suksesshme në Shqipëri dhe Itali, premtonte të bëhej një Laura Pausini shqiptare, u paraqit në përmbylljen e natës finale të Festivalit të 56 të Këngës në RTSH me një projekt të çuditshëm artistik.

Po filloj që nga pasaktësitë e fakteve historiko – muzikore që u sollën që në fillim të këtij prezantimit, si psh.Wolfgang Amadeus Mozart nuk ka jetuar në Salzburg në kohën e kompozimit të Koncertit për Piano dhe Orkestër Nr. 23, në la maxhor, KV 488.  Për më tepër kjo vepër e rëndësishme pianistike nuk është shkruar në vitin 1785, por në fillimvitin 1786 dhe saktësisht e përfunduar me 2 mars të 1786-s. Gjithashtu kompozitori i shquar nuk e ka shkruar këtë koncert nën ndikimin e ndonjë taverne plot tymnajë, zhurmë dhe prostituta, edhe pse kjo e fundit mund të merret si një fabul, interpretim “historik” personal i këngëtares.

Nga ana tjetër, përmendja e emrit të kompozitorit në mënyrë shumë të“familjarizuar” Wolfi, tingëllon qesharake dhe tregon mosrespekt ndaj figurës universale moxartiane, apo pasaktësia tjetër në lidhje me prezantimin e kompozitorit tjetër të shquar, Antonio Vivaldi, si kompozitor i shekullit të XIX-të, fakt të cilin emri i njohur i skenës së fillmviteve 90’ e tregoi me një “vendosmëri” naive, pre e të cilës ra me apo pa dashje edhe Krasta, tregojnë moskujdesje dhe papërgjegjshmëri profesionale në përgatitjen e kësaj paraqitjeje skenike.

Nga pikëpamja profesionale dua të theksoj faktin që koha e dytë e Koncertit për Piano dhe Orkestër Nr. 23, në la maxhor, KV 488 nuk është një këngë, por pjesë instrumentale me karakter “alla siciliana”, një valle e vjetër e epokës baroke, ritmet e së cilës argëtonin të gjitha shtresat shoqërore të asaj kohe. Pjesët e shkruara nën ritmin “alla siciliana” kanë më shumë karakter vallëzues dhe kështu nuk janë detyrimisht të këndueshme.

Duke analizuar imtësisht strukturat melodike të partit origjinal të pianos, të cilin këngëtarja e kishte ulur në timbrikë, syri profesional vëren menjëherë kapërcimet melodike, frymëmarrjen e gjerë, frazat e gjata, veçori tipike këto të muzikës moxartiane dhe që priten të sillen doemos nga interpretuesi. Fakti që Wolfgang Amadeus Mozart ka shkruar këtë kohë të dytë të koncertit të tij të 23-të nën ndikimin e një ritmi barok, por si rrallë ndonjëherë më parë në tempin Adagio, nuk e bën kurrsesi muzikën e tij baroke. Muzika dhe epoka e Mozart-it është thellësisht e ngulitur në Klasicizmin Vjenez të fundshekullit të XVIII-të. Nga ana tjetër duhet të kuptojmë që Mozart-i në rolin e tij, si reformator i shquar muzikës dhe besnik i të shkruarit të notave të duhura e pa lulka të tepërta, muzikën e tij teatrale (opera, arie, romanca vokale, mesha, oratorie) dhe meloditë përkatëse i ka shkruar mbi një tekst, temë dhe libret të paracaktuar e paramenduar mirë.  Wolfgang Amadeus Mozart nuk i ka përshtatur asnjëherë një tekst të mëvonshëm muzikës së tij instrumentale.

Ideja e znj. Lila, për t’i dhënë muzikës së Mozart-it tone letrare nga Lasgush Poradeci, përveçse është një gjetje e shpejtë dhe e momentit, nuk i shërbeu asnjë qëllimi artistik, aq më pak kombëtar apo universal. Karakteret e këtyre dy veprave artistike janë aq të ndryshme sa nuk mund të bashkohen me njëra-tjetrën.

Kjo vepër e Mozart-it e shkruar në tonalitetinfa diezis minor, shumë i rrallë në kohët e dyta të koncerteve dhe veprave të tjera të tij për piano, karakterizohet nga ngjyra të errëta tingëllore, shumë të dhimbshme e të thella, intime deri në tronditje shpirtërore, që shndërrohen më pas në shpresë dritëdhënëse në midisin e paraqitur muzikalisht nga ai nëpërmjet kalimit të shkurtër në tonalitetin origjinal, la maxhor e duke u kthyer përsëri në skutat e errëta të një errësire të thellë të fa diezis minor-it, duke arritur kështu majatë larta në krijimtarinë e tij instrumentale.

Ndërkohe që poezia e Lasgush Poradecit “Dremit liqeri” reflekton një atmosferë romantike, të butë, plot mall e dashuri, dëshirë dhe zjarr poetik për vendlindjen, ashtu fluturues siç vetëm Poradeci ka ditur ta këndojë në vargjet e tij.

Mozart-i po ashtu i këndon dashurisë, por asaj universale për njeriun si qenie njerëzore. Në rastin e kohës së dytë të Koncertit për Piano dhe Orkestër Nr. 23, në la maxhor, KV 488, edhe pse kompozitori përshkruan më muzikën e tij një gjendje të tronditur shpirtërore, thellësisht e kuptueshme, nëse njeh jetën e vrullshme dhe plot të papritura të gjeniut nga Salzburg-u, ai asnjëherë nuk kalon në delir artistik duke personalizuar kështu muzikën e tij.

Gjithashtu vetë poezia e Poradecit vallëzon ndryshe e me ritmin e saj kuadrat e me rimë nuk i përshtatet  melodisë moxartiane me ritëm rrethor 6/8-sh.

Ky produkt artistik që u soll sipas meje pakuptim në fund të një festivali përgjithësisht të suksesshëm, nuk mund të quhet asesi një gjetje gjeniale. Nëse ky prezantim do të bëhej në Tulla Center në Tiranë, Drum Bar në Prishtinë apo Libraria e Çarshisë në Shkup, kjo do ishte një zgjedhje personale. Kjo shfaqje artistike, e sjellë ashtu “me bindje të plotë” para një publiku të tërë në skenën e aktivitetit me të rëndësishëm të këngës shqiptare, është një shembull jo i dobishëm, një referencë e gabuar dhe mungesë respekti për çdokënd që merret profesionalisht më muzikën.

Unë nuk dua të gjykoj shijet artistike të këngëtares Lila. Ajo ka të drejtën e saj që të bëjë eksperimente më të ndryshme të mundshme që mund t’i përshtaten stilit të saj personal artistik. E gjitha kjo ama nuk duhet asesi të personalizohet, të sillet si referencë e aq më shumë veçanti krijuese.

Pyetja ime ne këtë rast është: Mbi ç’baza dhe kritere artistike është vlerësuar nga organizatorët e Festivalit të 56-të të Këngës në RTSH kjo paraqitjeje, apo vetëm është synuar risjellja e Elsa Lilës në skenën e Festivalit të Këngës?

Epilog

Festivali i Këngës në RTSH mbart në veçantinë e tij një përgjegjësi të madhe ndaj shoqërisë shqiptare të kudondodhur, ndaj edukimit dhe emancipimit të saj me shije të mira mbi zhvillimin e këngës moderne shqiptare. Sipas konceptit tim profesional, ky festival duhet të jetë një balancë e fuqishme ndaj hallakatjeve të tmerrshme amatore të televizioneve kombëtare apo lokale shqiptare, një transmetues i fortë i një drejtimi profesional të muzikës, këngës bashkëkohore shqiptare. Gjëra të përcipta, të cilat krijojnë vetëm një imazh artistik sipërfaqësor (të cilin Krasta disa herë e ka atakuar me të drejtë në daljet e tij publike), jo vetëm e dëmtojnë rolin e tij, por janë mbi të gjitha një shembull i gabuar sesi duhet të zhvillohet muzika shqiptare. Brezat e rinj të këngëtarëve shqiptarë kanë nevojë për më shumë kujdes, dashuri, referenca dhe drejtim profesional, që të mund të bëhen kështu denjësisht të konkurueshëm me tregun muzikor botëror.