Rilindja e humbi virgjërinë. Ajo pret të gjykohet si lavirja e radhës

Nga Genc Burimi

Ujku qimen e ndërron por zakonin s’e harron. Ditën e zgjedhjeve të 25 qershorit të kaluar, pata privilegjin të botoja në këtë gazetë artikullin hapës me titullin “Fuori mascalzoni”. Konstatimi ishte i thjeshtë. Pse reformat “popullore” që Rilindja nuk denjoi t’i bënte në mandatin e parë, do t’i bitisnin në mandatin e dytë? Fshati që dukej s’donte kallauz. Për mua, këta ishin dhe janë ujqer të rinj, të etur për para dhe pushtet, kishin të njëjtën shëmbëlltyrë me lukuninë berishiane që kujtuam se do ta shihnim në kafaz për të shpaguar aty mëkatet e një epoke çerekshekullore. Iu desh Dita-s dhe komentuesve të saj të prisnin dhe një vit pas fitores së mandatit të dytë të Rilindjes, për të arritur tek i njëjti konkluzion i tmerrshëm: ujqërit e politikes të gjithë një fytyrë kanë. Prandaj duheshin bojkotuar në zgjedhje me një karton të kuq masiv si në pranverat arabe duke u servirur të njëjtin slogan  “Shporruni”. Por njerëzit shumica të pashpresë menduan me naivitet sa nga dy të këqija duhej zgjedhur më e vogla. Pa e kuptuar kështu se Rilindja po i impozon këtij populli një dënim të dyfishtë: jo vetëm që po vjedh njësoj si vjedhësit që u përzunë me votë me 2013, por me babëzinë e saj Rilindja po i jep shpresën e marrë pëdëisteve të pagdhendur se mund të rikthehen në pushtet sikur të mos kishte ndodhur asnjë e shëmtuar kriminale në këtë vend në harqet kohore 1992-1997 dhe 2005-2013. Ky është mëkati me i madh i Rilindjes se Edi Ramës, e kompromentuar në atë pike sa s’ka me takat, forcë morale, politike dhe juridike t’u kërkojë llogari atyre që po ja hedhin tani si pa lagur duke dhënë leksione morali. Rilindja e ka lënë këtë vend pa rruaza të bardha që të mund të vetëmbrohet kundrejt atyre që lëpijnë buzët pa pikë kompleksi për sërish pushtet. Rilindja e humbi virgjërinë. Ajo pret vetë tani në radhë të gjykohet si një lavire. Ç’epilog i trishtë.

Republika e gjyqtarëve

Na premtohet tani republika e gjyqtarëve, si në Italinë fqinje kur politika me dallaveret e saja, pasi humbi çdo kredit në opinion ia dorëzoi “çelësat” drejtësisë së “manni puliti”. Veçse ato ishin çelësa kashte pasi gjykatësit nuk hapin vende pune, dhe as e shtojnë asistencën sociale për më të vobektit.

Italianët u detyruan t’i rikthehen klasës politike si e vetmja që ka tagrin të propozojë alternativa në demokraci. Por kësaj here pasi konsumuan gjithçka të “ngrënshme” në politikë, besimin vendosën  t’ja akordonin ekstremeve që deri tani i bënin të villnin. Kur s’ke pulën ha sorrën, ose më mirë ha diçka që s’e ke provuar ende, thjesht mos t’ua shtrish më dorën atyre që e bënë zanat mashtrimin në politikë. Shqipëria drejt këtij skenari po rend, po s’lindi një forcë e re mbi gërmadhat e partive të vjetra. Reforma e drejtësisë që po na shitet si “gral”, si pika kulminore që do të zgjidhë të gjitha problemet e pazgjidhshme të Shqipërisë, edhe po të funksionojë një ditë, ashtu si në Itali nuk do të zgjidhë kurrë problemet politike. Probleme që janë të njëjtat si në Athinën e lashtë ku u shpik fjala “polis” që qëndron në rrënjë të fjalës “politikë” dhe që do të thotë të merresh me hallet e përditshme të një komuniteti, të një qyteti, dhe sot të një shteti. Ne kemi vërtetë nevojë për prokurorë e gjyqtarë efikase, kompetentë e të ndershëm që pa dyshim  ngaqë do paguhen edhe shumë mirë, do arrijnë t’i mbi popullojnë burgjet copë-copë që kemi. Por ne kemi nevojë mbi të gjitha por politikanë patriotë që jetën, që s’është aspak e gjatë në horizontin e një vendi të lashte si ky i yni, t’ja kushtojnë pa kushte e me vetëmohim këtij populli që i bëri mbretër kur s’ishin asgjë. Është e trishtë për një vend që sytë t’i hedhë me shpresë nga drejtësia, nga politikat ndëshkimore në vend që ta shohë të ardhmen me një vrull optimizmi dhe ndjenja konstruktive. Rama, një piktor dështak siç e quan një kirurg e ish-kryeministër vrasës po aq dështak, mban që nga 2013 në duart e tij, shansin unikal të jetës së tij për të hyrë në histori dhe për të bërë aty histori. Populli i dha privilegjin që ky t’i ndryshonte jetën, t’i përmirësonte namin në botë, ta shtonte në numër dhe në të ardhura, ta ngrinte në nivel arsimor e kulturor, ta merrte siç duhej nën përkujdesje shëndetësore dhe sociale. E nëse s’ja arrinte në të gjitha këto, të jepte të paktën shembullin që nuk do ta trajtonte veten dhe miqtë më mirë se popullin e tij, të cilit duhej në radhë të parë t’i shërbente. Vetë ai jeton në një vilë dhe pushon në hotele pa kurrfarë gjëje të përbashkët me standardet e popullit që përfaqëson. Rrethi i tij i ngushte i biznesmenëve dhe politikanëve përfitojnë koncesione me ligje speciale, apo u shpëtojnë hetimeve me ndërhyrje po aq speciale, pa kurrfarë gjëje të përbashkët me standardet e një republike shembullore që përbënte aspiratat e këtij populli që e ka votuar Ramën dy herë që ky të sillte të paktën një herë të vetme në historinë e këtij kombi sundimin e shtetit të së drejtës. Jo vetëm që u dështua, por tani na marrin dhe për budallenj kur kapen me presh në dore siç e bën raporti i fundit i Departamentit të Shtetit.

“Thika pas shpine” e raportit të DASH

Sigurisht taborët e qeverisë shohin në këtë situatë mbytëse që është krijuar, vetëm një tymnajë të thashethemnasë që përhapet sipas tyre nga kazani i medias. Por ja që e vërteta del nga goja e vetë “mentorit” të kësaj qeverie, nga ajo e Shteteve të Bashkuara. Duhet thënë se i famshmi “raport i Dash” nuk synonte aspak t’u hapte sytë shqiptarëve për “bëmat” e qeverisë së tyre. Përkundrazi qeveritë shqiptare sado shejtane të tregohen me popullin e tyre, janë aleate luajale të Amerikës së madhe sa herë e kërkon nevoja, siç ka qenë së fundmi rasti për të bllokuar depërtimin rus edhe më tej në Ballkan, apo për t’u dhënë strehim opozitarëve muhaxhedine iraniane, apo siç do të jetë rasti nesër për t’i kthyer pa problem kurrizin Turqisë nëse Washingtoni do të na e kërkojë. Qeverive të tilla sa besnike dhe servile, Amerika pragmatike di t’ua krehë bishtin me ambasadorë po aq të zellshëm pro qeveritarë siç përfitoi Berisha nga Arvizu apo Rama nga Lu. Por brenda vendit të tyre, shërbimet publike amerikane kane si në çdo demokraci funksionale detyrimin e rreptë për transparencë ndaj shtetasve amerikanë, në rastin konkret ndaj biznesmenëve amerikanë që duan të investojnë jashtë shtetit. Në këtë mënyrë duhet kuptuar raporti i shërbimit ekonomik i ambasadës amerikane në Tiranë që u njoh nga lexuesit si raporti i Departamentit të Shtetit. Ai raport është i detyruar t’u thotë qartë amerikanëve se ku e vënë këmbën. Çdo zbukurim i pavend i situatës do të kishte pasoja të rënda për raportshkruesin, nëse një ditë një investitor amerikan i bënte proces Departamentit të Shtetit për informacione të gabuara që mund t’u kushtojnë miliona shtetasve amerikanë. Prandaj ky raport është një fiasko për qeverinë shqiptare sepse ai është pa “hile”. Një investitor amerikan pasi e mbaron së lexuari atë deri në fund, sinqerisht nuk ka më endje dhe kurajo të rrezikojë kohë dhe para në Shqipëri. Për më tepër që pak muaj më parë një tjetër raport i DASH, ai i marsit të kaluar mbi narkotrafikun dhe pastrimin e parasë në botë e nxinte sa s’kishte më keq situatën globale në Shqipëri, si në një forme aperitivi për të përgatitur raportin që do vinte mbrapa. Në mars shkruhej tashmë se: “Shqipëria paraqet risqe të larta për pastrim parash dhe kjo vjen nga një korrupsion kapilar, nga një qeveri e dobët dhe institucione të dobëta”.

Një korrupsion marramendës

Ide që e vazhdon dhe në raportin e ri që paraqet një tablo me tre nyje të rënda: “Për investitorët e huaj problemi kryesor në Shqipëri është korrupsioni, veçanërisht në gjyqësor, është mungesa e transparencës në prokurimet publike si dhe mos respektimi i kontratave”. Në të treja këto probleme që ngrihen nga amerikanët, nuk akuzohet shoqëria shqiptare, por qeveria shqiptare. Jo ajo e kaluara, por e sotmja. Tregohet me gisht qeveria e Edi Ramës si bashkëfajtore në korrupsion që ka lënë në këmbë që prej 5 vjetësh këtë sistem drejtësie të kalbur. Paçka se raporti njeh meritën se ka filluar një reformë në drejtësi, reforma më e madhe në Shqipëri që nga rënia e komunizmit, raporti nënvizon se për momentin kjo reformë që është votuar para dy vjetësh, nuk po jep asnjë fryt. Për raportin e DASH, reforma në drejtësi do të jetë serioze vetëm kur të funksionojë totalisht (fully implemented) dhe jo pjesë-pjesë. Deri atëherë, korrupsioni vazhdon të bëjë kërdinë dhe investitorët e huaj nuk janë të interesuar për Shqipërinë. Tregohet me gisht në raport qeveria e Edi Ramës si vetë e korruptuar, pasi bën prokurime publike jo transparente, domethënë tendera të manipuluara apo koncesione pa tendera. Tregohet me gisht qeveria e Edi Ramës edhe si sabotuese ndaj investitorëve të huaj, të cilëve qëllimisht nuk u respekton kontratat në mënyrë që ekonomia e vendit të jetë në dorë vetëm të disa kompanive që kane interesa të lidhura me qeveritarët. Të gjitha këto tema zbërthehen gjerësisht dhe me shpjegime faktuale në raport.

Lexon kështu nga dora e vetë këshilltarit ekonomik të ambasadës amerikane në Tiranë që ka hartuar raportin, se investitorë të huaj që janë biles të mëdhenj, pohojnë se nëse duan të punojnë në Shqipëri kanë presion që të bashkëpunojnë me nënkontraktorë të venë nga politikanët shqiptarë për të vjelë ryshfete për llogari të tyre. Investitorët e huaj s’dinë nga t’ja mbajnë pasi po e bënë një gjë të tillë, ata rrezikojnë procedime dhe në vetë vendin e tyre, lexohet ne raport. “Entet rregullatore shqiptare përdorin një lloj legjislacioni dhe rregullash enkas të vështira për t’u interpretuar, si mënyrë efikase për të dekurajuar investitorët e huaj dhe për të favorizuar kompanitë e lidhura me politikën”, shkruan pa dorashka raporti që pikën kulminante të denoncimit të sistemit korruptiv e rezervon tek pjesa e koncesioneve apo PPP-ve. Dhe aty, akuza për korrupsion bie haptazi mbi qeverinë: “Raportimet mbi korrupsionin në prokurimet e qeverisë janë të zakonshme. Rritja në numër e koncesioneve në forme partneriteti publik privat (PPP) ka ngushtuar mundësitë për konkurrencë ku viktima janë edhe investitorët e huaj. Analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP janë shqetësime të vazhdueshme”.

Që do të thotë se kësaj qeverie pak i lipset se çfarë fiton populli i saj, pasi atë e ha më shumë meraku se çfarë mund të përfitojnë individualisht personat në politike dhe në biznes, të implikuara në këto PPP. E njëjta mynxyrë dhe me pronat. Është vetë “agjencia qeveritare e ngarkuar me çështjen e ndërtesave të ndërtuara në mënyrë të paligjshme që shpesh vepron pa konsultime të plota dhe nuk ndjek procedurat”, shkruhet ne raport. Si rezultat, një numër investitorësh amerikanë kanë lënë Shqipërinë vitet e fundit pas shumë konfliktesh komerciale, duke përfshirë dhe ato në arbitrazh ndërkombëtar me qeverinë shqiptare.

Me një theks të jashtëzakonshëm ndaj praktikave korruptive institucionale në Shqipëri, raporti i referohet dhe klasifikimit të fundit botëror të Tranparency International mbi perceptimin e korrupsionit në çdo vend ku Shqipëria figuron e fundit në Ballkan së bashku me Bosnjën. Sigurisht indikatori i perceptimit të korrupsionit është përmirësuar në krahasim me vitin 2013 por fare pak, fare ngadalë dhe në mënyrë të paqëndrueshme, shkruan raporti që nënvizon se edhe në vitin 2018 Shqipëria mbetet një vend nga më të korruptuarit në Europë duke iu referuar Transparency International. Reforma në drejtësi shpreson ta ndreqë këtë situatë, shkruan si me lutje raporti pa u dukur se beson shume tek kjo perspektive.

Plot një e treta e Kushtetutës së Shqipërisë është modifikuar për të mundësuar këtë reformë që konsiston të dëbojë nga sistemi i drejtësisë hetues dhe gjyqtarë të korruptuar. Por, nënvizon raporti, vetëm nëse arrihet që reforma në drejtësi të implementohet totalisht, vetëm atëherë pritet që Shqipëria të bëhet më tërheqëse për investitorët e huaj dhe të konkurrojë më efikasisht në tregjet globale. Raporti përdor me kujdes nuancën “pritet” (is expected), për të nënvizuar idenë se reforma e drejtësisë nuk mund të jetë e vetmja leve Arkimedi për ta nxjerrë Shqipërinë nga kjo situate preokupuese. Pasi edhe pa pritur reformën në drejtësi, qeveria fare mirë mund të marre masa që varen prej saj. Asgjë s’e pengon qeverinë të mos i përdorë më PPP-të në këtë vend kaq të korruptuar. Asgjë s’e pengon qeverinë të vendosë dialog transparent me investitorët e huaj dhe jo t’u vendosë stërkëmbësha siç del qartë nga fryma në të cilën është shkruar raporti. Ironik është fakti se Shqipëria ka nënshkruar të gjitha konventat e mundshme ndërkombëtare në lidhje me luftën pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të cilat raporti i numëron një më një si për t’u tallur dhe për të treguar që qeveritarët shqiptarë firmosin symbyllazi çfarë do që u kërkojnë ndërkombëtarët, sepse e dinë që në terren asgjë nuk do ndryshojë. Le të marrim problemin e kontrabandës që siç theksohej edhe në raportin e DASH-it të marsit të kaluar mbi narkotrafikun dhe pastrimin e parasë, në Shqipëri përbën një gangrenë të vërtetë. Edhe raporti i tanishëm vazhdon dhe e konsideron këtë problem si mjaft serioz për të cilin qeveria nuk e vë ujin në zjarr. Raporti akuzon qeverinë se nuk jep asnjë shifër zyrtare mbi sasinë e mallrave kontrabandë të kapura në dogana. Dhe sigurisht asnjë shifër nuk jepet as mbi sasinë e këtyre mallrave kontrabandë që qeveria duhet të deklarojë në bazë të konventave ndërkombëtare që ka asgjësuar në mënyrë që ato të mos derdhen në treg. Shembull i qartë ky, midis shume të tjerësh i hendekut midis asaj që kjo qeveri zotohet para ndërkombëtarëve se do të bëjë por që nuk i bën, ndoshta pikërisht për të mos prekur interesat private që ka me të tretë…

Një këshillë kryesore jep raporti për investitorët amerikane: korrupsioni është aq i lartë në Shqipëri, ka një mungesë të atillë dialogu me qeverinë shqiptare, saqë asnjë kontratë vendase nuk mund t’i mbrojë siç duhet, prandaj duhet medoemos që investitorët të parashikojnë në kontrata klauzola për arbitrazh ndërkombëtar, në mënyrë që të evitohet të humbasin kohë për drejtësi me qeverinë shqiptare.

Farsa e lehtësimit të procedurave

Raporti nuk la pa përmendur po ashtu një sërë praktikash pa kuptim të qeverisë shqiptare që kërkon zyrtarisht të tërheqë investitorë të huaj por praktikisht i dekurajon ata. Për shembull regjistrimi i një kompanie është thjeshtuar dhe mund të kryhet në internet meqenëse një website është vënë në shërbim “e-Albania portal”. Por ai është vetëm në gjuhën shqipe… Po ashtu qeveria shqiptare ka bërë një ligj më 2015 për të inkurajuar investimet strategjike duke u dhënë disa avantazhe këtyre investitorëve të mëdhenj me një “shoqërim” të posaçëm që mos të humbasin kohë e të bien pre e praktikave korruptive. Por tre vjet më vonë, asnjë investitor i huaj nuk ka kërkuar të përfitojë nga avantazhet e këtij ligji të cilit si për ironi të fatit i skadon afati me 31 dhjetor 2018. E ç’të thuash për ligjin për krijimin e zonave të lira ekonomike? Shumë bukur në letër, por deri tani vetëm një zonë është caktuar, ajo e Spitallës afër Durrësit por dhe ajo është paralizuar, pikërisht sepse tenderi për ndërtimin e saj u manipulua dhe dështoi tre herë, me pas u caktua një konsercium lokal, por që një nga kompanitë që humbi tenderin e ka çuar ne gjyq. Histori alla shqiptarçe. Rezultati, tre vjet pas miratimit të ligjit për thithjen e investitorëve strategjikë dhe krijimin e zonave të lira ekonomike, Shqipëria ende s’ka një zonë të tillë për të favorizuar ardhjen e investitorëve, ndërkohë që ato numërohen me dhjetëra e qindra në vendet e tjera në Ballkan e në Europë. Sot është një fakt shkruhet në raport: Qeveria as që ka një mekanizëm për të vlerësuar tërheqjen e investimeve të huaja në vend dhe për të bërë korrigjimet e nevojshme.

Është një luks i tepruar me pas t’i kërkosh kësaj qeverie mekanizma për të informuar edhe biznesmenët shqiptarë sesi ata mund të investojnë jashtë shtetit. Shqipëria është totalisht pasive në këtë drejtim, shkruan raporti, ajo as nuk i nxit dhe as nuk i pengon bizneset e saja të instalohen jashtë. Raporti le kështu të nënkuptojë se është një gabim strategjik, pasi në një strategji eksporti mallrash dhe shërbimesh apo importi teknologjie të avancuar, vendet i inkurajojnë bizneset lokale të kapin pozicione brenda vetë tregjeve të huaja.

Mangësitë e qeverisë me pronat

Raporti, që edhe një herë i destinohet shtetasve amerikane, nga njëra faqe në tjetrën ofron të njëjtin refren: në Shqipëri nuk sundon ligji por korrupsioni. Problemi i pronave është një shembull tjetër që e përforcon këtë ide. Shumë shtetas amerikanë me origjinë shqiptare janë vërdallisur lart e poshtë për pronat e tyre dhe si përfundim janë detyruar të kërkojnë drejtësi tek Gjykata Europiane e të drejtave të njeriut në Strasburg, shkruhet në raport. 29 vendime janë marë në Strasburg në favor të ankimuesve dhe fatura i ka kushtuar 50 milionë dollarë qeverisë shqiptare. Ndërkaq janë dhe plot 400 dosje të tjera ankimimi në shqyrtim në Strasburg, shkruan raporti, duke lënë të nënkuptojë se fatura do të jetë eksploziv për taksapaguesin shqiptar për shkak të neglizhencave të qeverisë së tyre. Edhe më serioz shfaqet problemi i legalizimeve të ndërtimeve pa leje. Procesi, shkruan raporti, filloi për së mbari në 2006 me ndihmën e asistencës ndërkombëtare. Por ka ngecur në vend numëro në vitet e fundit, domethënë nën qeveritë Rama. Janë rreth 440 mijë objekte të konsideruara si ilegale.

Qeveria Rama kur erdhi në fuqi filloi nga puna me një strategji të re, atë të shembjeve që më 2013 nëpërmjet INUK-ut. Por, shkruan raporti, ka fakte që tregojnë se një numër shembjesh u bënë pa proces të rregullt, apo ka rastet kur qeveria nuk prishte ndërtimet që duheshin prishur, dhe në të kundërt prishte ato që s’duheshin prishur. Sipas klasifikimit të Bankës Botërore për regjistrimin e pronës, Shqipëria figuron dobët, në vendin e 103 ndër 190 shtete. Duhen, shkruan raporti, 19 ditë, 6 procedura administrative me kosto sa gati 10% e vlerës së pronës, për ta regjistruar atë në Shqipëri. Por dhe atyre që arrijnë dhe fitojnë në Strasburg, qeveria ua zvarrit ekzekutimin e vendimit shkruan raporti.

Bankat më të fuqishme se kurrë por s’japin kredi

Raporti i kushton paragrafe interesante të gjendjes së bankave në Shqipëri dhe konfirmon atë që ne analistët themi prej kohësh. Ato janë në gjendje financiare fantastike por niveli i kredidhënies është katastrofik. Investitorët mos të presin të financojnë projekte nga bankat në Shqipëri jep si ide raporti. Asetet (pasuritë) e bankave në Shqipëri, me më shumë se 13 miliardë dollarë e tejkalojnë dhe Prodhimin e Brendshëm Bruto të Shqipërisë dhe ato fuqizohen çdo vit.

Banka më e fuqishme në Shqipëri që dominon gati 1/3 e tregut shqiptar, shkruan raporti, është banka tregtare kombëtare turke ! Raiffesen dhe bankat greke janë shumë larg mbrapa. Por 16 bankat në Shqipëri në vend që të japin kredi për investitorë, preferojnë t’i japin borxh qeverisë (bono thesari) apo të investojnë në prona imobiliare! Edhe kur japin kredi, ato mbartin interesa të larta nga 6 deri mbi 8% në kreditë me lekë dhe gjysma në kreditë në euro. Raporti bën po ashtu aluzion për ndihmën e madhe që Banka Qendrore e Shqipërisë u ka dhënë bankave duke u fshirë kreditë e këqija. Në këtë mënyrë kreditë e këqija u pjesëtuan me dy, nga 28% para disa vitesh në 14% sot. Por këtë faturë e kanë mbajtur mbi supe taksapaguesit shqiptarë. Pasi atë që s’e thotë raporti, është e lehtë ta kuptosh. Duke i fshirë nga bilancet kreditë e këqija me lejen e Bankës Qendrore, bankat afërmendsh nuk kanë paguar taksa në shumat ekuivalente të kredive të këqija. Domethënë ato s’kanë humbur asgjë, por shqiptarët shumë sepse kanë futur me pak tatime në arkën e shtetit. A s’mund të vinte si kusht Banka e Shqipërisë që në shkëmbim të fshirjes së kredive të këqija nga bilancet e bankave këto ta zgjidhnin qesen e kredive qofte dhe simbolikisht? Nëse s’pranojnë, atëherë të detyrohen bankat të paguajnë taksat plotësisht pa bërë “kombinacione” me humbjet nga kreditë e këqija. Dhe me këto taksa shteti të ngrejë një banke publike zhvillimi që të ketë mundësi të kreditoje bizneset prodhuese. Sigurisht këto ide nuk i gjen në raportin e DASH që nuk ka si qëllim t’i ofrojë qeverisë një platformë zhvillimi, por të dhëna investitorëve amerikanë që synojnë të instalohen në Shqipëri.

Mungese statistikash mbi ndërmarrjet publike

Raporti niset nga ideja se investitorit të  huaj mund t’i interesojë të blejë ndërmarrje publike në raste privatizimi. Pasi numëron disa nga ndërmarrjet publike që kanë mbetur në këmbë në Shqipëri (OSHEE, OST, KESH, Albpetrol, Posta shqiptare, Hekurudhat etj.), raporti thekson me tone kritike ndaj qeverisë se asnjë listë e plotë me ndërmarrjet publike nuk është publikuar nga qeveria, duke shtuar se më e keqja është mungesa e transparencës mbi ndërmarrjet publike që veprojnë në vend, pasi nuk ka të dhëna të sakta mbi asetet e tyre, fitimin neto të tyre, ose numrin total të punonjësve të tyre. Dhe së fundi, ajo që mund t’i interesojë investitorit amerikan është krahu i punës në Shqipëri. Kujdes thotë raporti: 61% e punësimit në Shqipëri është në “të zeze”. Po ashtu gati gjysma e fuqisë punëtore në Shqipëri ka si nivel arsimimi maksimal vetëm arsimimin fillor! Në këtë kontekst kontrollet nga qeveria duhet të ishin më të shpeshta për të minimizuar abuzimet me këtë fuqi punëtore vulnerable. Inspektorati i Punës është i vetmi autoritet për kontrolle për të verifikuar respektimin e kodit të punës, por ky inspektorat, denoncon raporti, ka shumë pak efektiva, ka financim të ulët e për më tepër legalisht ai nuk mund të ndërmarrë asnjë hetim dhe asnjë mase dënimi. Ndërkohë nënvizon raporti, kushtet e punës në industrinë fasone, në ndërtim dhe në sektorin e minierave janë shpesh të mjerueshme dhe në disa raste të rrezikshme, pikërisht duke përfituar nga mungesa e kontrolleve nga Inspektorati i Punës.

Reagimi qesharak i qeverisë shqiptare

Përballë këtij raporti “cunamik”, shumë dimensional, i denjë me një raport vlerësimi për (mos)hapje negociatash integrimi në BE, Kryeministri që reagon për gjërat më të papërfillshme nuk denjoi të reagojë. E gjithë qeveria u fsheh pas disa fjalive pa sens të Ministrit të Financave, Arben Ahmetaj. Duke e marrë veten  për Ministër të Jashtëm që përdor gjuhë diplomatike, Ahmetaj e cilësoi raportin si “dinamik”. Një eufemizëm për të mos thënë “katastrofik”.

Ahmetaj kishte vetëm një rol teatral në këtë shfaqje publike. Objektivi: mos t’i mohonte konkluzionet e raportit në mënyre që mos polemikonte me raportshkruesin amerikan, dhe se dyti t’ja ngecte përgjegjësinë opozitës së PD-së. Rol i vështirë që Ahmetaj vendosi ta luajë si ushtar i bindur duke u kapur në dy pika dhe duke lënë totalisht në harrese të tjerat. Me pak fjalë, Ministri i Financave u mundua të na thotë se qeveria i njeh mirë këto probleme (domethënë nuk pritëm amerikanët që të na i tregojnë) , por ato sipas Ahmetajt mund t’i zgjidhe ekskluzivisht vetëm reforma në drejtësi. Dhe kush e bllokon reformën në drejtësi? Opozita. Domethënë kur një skuadër luan në mënyrë mizerabël, trajneri thotë që fajin s’e kam unë por terreni i kalbur që s’na e lehtëson punën. Atëherë përse pretendojnë të ushtrojnë pushtet rilindasit kur njëkohësisht deklarojnë se janë të pafuqishëm për t’i ndryshuar gjërat për shkak të opozitës? Argument jo vetëm bosh, por dhe fyes për inteligjencën e shqiptarëve. Pika e dytë ku u përqendrua Ahmetaj është ajo ku qeveria u sulmua dhe më shumë në raport dhe në media, dosja e PPP-ve. Në fillim, u mundua t’ja hidhte lehtë se PPP-të s’i shpikem ne.

Nuk pati gazetar t’i thoshte se bota ka shpikur dhe centralet bërthamore, por kjo s’do të thotë se ç’do vend është i aftë t’i ngrejë dhe menaxhojë ato. Si guxon kjo qeveri atëherë të mbështesë dy ide të kundërta njëkohësisht. Nga njëra anë ankohet se s’ka ende drejtësi sepse opozita bllokon reformën, dhe nga ana tjetër nuk i duket fare si problem të bëjë PPP edhe në mungesën e një drejtësie efikase që do bllokonte allishverishet. Prandaj zoti Ahmetaj, vërtete bota i ka shpikur PPP-të, por që ato të funksionojnë në ShBA, Gjermani, Britani e Madhe, Francë e kudo në botën perëndimore ku funksionon njëkohësisht dhe sistemi i drejtësisë. Kësaj qeverie nuk i pëlqen kur drejtësia nuk funksionon për të arrestuar berishistët, por mungesa e drejtësisë i vjen për shtat kur bëhet fjala të lulëzojnë PPP-të në kushte optimale pandëshkueshmërie. Bravo ministrit Ahmetaj për këtë konceptim fare origjinal të Shtetit të së drejtës.

Pse kjo qeveri nuk i ndalon provizorisht me ligj koncesionet?

Aty ku ministri ka të drejtë është se kur tha se nga rreth 200 koncesione e PPP që përmend raporti, socialistet kanë konkluduar, bërë vetëm 1/5. Të tjerat i kishte iniciuar Berisha para 2013-ës. Por kjo s’do të thotë se meqenëse vodhi i pari, Rilindja ishte e detyruar të vazhdonte në të njëjtën rrugë. A s’kishte bërë dy premtime gjigante Rilindja e Edi Ramës: fundin e koncesioneve dhe fundin për ligjin e riciklimit të plehrave, të dyja të konsideruara nga socialistët si shpikje të rrezikshme dhe korruptive të pushtetit të mëparshëm. Pse i shkeli dhe i stërshkeli me këmbë këto dy premtime Rama? Çështja nuk është fare ajo që shtron Ahmetaj sot për t’u mbrojtur se PS-ja paska bërë më pak koncesione se paraardhësit. Çështja është pse ky kryeministër vepron njësoj si paraardhësit, qoftë duke konluduar dhe një koncesion të vetëm, ndërkohë që ka bërë 40 dhe pritet të beje dhjetëra PPP në kuadrin e projektit “Një Miliard” që është në fakt shuma që do u kushtojë shqiptarëve dhe jo ajo që do t’u përfitojë shqiptarëve.

Pse nuk vendos në mënyrë uniaterale PS-ja sot në parlament të bëjë që tani një ligj ku të votohet një pezullim pa afat i çdo dhënie koncesioni deri sa mos të ketë përfunduar implementimi i plotë i reformës në drejtësi? Ose nëse jepet një koncesion këtë tagër ta ketë një komision miks i përbërë, një e treta nga mazhoranca, një e treta nga opozita dhe një e treta nga opinioni publik i zgjedhur me short si në juritë nëpër gjykata. Por kjo qeveri komunikon shumë dhe vepron pak. Tani që doli raporti i DASH, Ahmetaj premton me gjysmë zëri se do të miratojë një gjysmë ligj pas një viti e gjysmë që mos të praktikohen më koncesionet pa oferte. Domethënë praktika e sotme kur një biznesmen vjen me një ide koncesioni pa patur detyrimisht një tender të hapur nga qeveria mos të jete më në fuqi. Kjo praktikë e fëlliqur duhej të ndalonte në çast, që në ditën kur doli raporti amerikan dhe populli e mësoi ekzistencën e tij, dhe jo të pritet fundi i 2019-ës për ta ndaluar një eksperiment të tille që u lë kohën e duhur këtyre ministrave të bëjnë në një vit dallaveret e një shekulli.

Vetëm një rrugë shpëtimi ka, rinovimi i klasës politike shqiptare

Jo, kjo qeveri nuk ka motivimin për t’i ndryshuar rrënjësisht gjërat. Po ashtu, as kjo opozitë nuk ka kurajën të pranojë që të gjitha ato që denoncohen në raportin e DASH-t, ishin praktikat më të zakonshme të PD-së. Ujqërit të njëjtën fytyrë kanë. Presim tani nga ambasada amerikane që pas reformës në drejtësi t’u imponojë këtyre bishave një reformë totale të sistemit të partive politike dhe të sistemit zgjedhor në Shqipëri. Kandidatët në çdo zgjedhje t’i zgjedhin anëtaret e partive me primare si në SHBA dhe jo shefat e korruptuar të partive politike shqiptare. Pa një katarsis radikal të klasës politike në Shqipëri që do të thotë që në ekranet e tv-ve mos të shohim më në të ardhmen as Edra dhe as Lulra, as Balla dhe as Paloka e kështu me radhë, nuk ka reformë në drejtësi që do t’i bëjë derman këtij vendi. Vendi ka nevoje për një klasë katërcipërisht të re dhe të pandotur politike si ajo që presim nga klasa e re e gjyqtarëve dhe prokurorëve, qofte duke ruajtur dhe emrat e partive politike aktuale. Janë aktorët që duhet të ndryshojnë.

Na lipsen fytyra të reja, të ndershme, fytyra që nuk janë gati t’i paguajnë ryshfete shefit të partisë për të qenë në listën për deputet apo për kryetar bashkie. Fytyra që të zgjidhen drejtpërdrejt nga populli për pastërtinë morale dhe fuqinë intelektuale që përfaqësojnë dhe sigurisht për alternativen serioze politike që parashtrojnë. Vetëm kjo mund t’i ndryshojë gjërat në Shqipëri sepse është kjo rruga që kane zgjedhur kudo vendet demokratike në krize duke rinovuar totalisht personelin politik nga Greqia, Italia, Spanja, Franca e deri tek ShBA- të. Mbase kjo nuk do të funksionojë tek ne, por diçka novatore duhet ndërmarrë në nivelin politik sepse dordolecët që do të dalin nga reforma e drejtësisë do të jenë thjeshtë ca copa “sushi” japoneze më shumë për gojët e shqyera të kësaj klase politike pashërueshmërisht të infektuar nga e majta në të djathtë. /Dita/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet