Rikthimi i vizave, a mund ta besojmë deklaratën e Kuvendit të Shqipërisë

Kuvendi i Shqipërisë ka publikuar në faqen zyrtare lajmin në lidhje me mbarëvajtjen e takimit mes delegacionit Shqiptar dhe Komisionit për Çështjet e BE-së, në Parlamentin e Holandës. Në fund të përshkrimit të takimit jepet edhe një sqarim mbi Rezolutën e Parlamentit holandez për rivendosjen e vizave.

“Në lidhje me Rezolutën e Parlamentit holandez për rivendosjen e vizave, deputetët e Komisionit pranuan se janë të vetëdijshëm që kjo nuk mund të realizohet, por e interpretuan atë si një veprim sensibilizues për nxitjen e luftës kundër krimit”, thuhet në komunikimin e Kuvendit. Pra 105 anëtarë të dhomës së përfaqësuesve janë bërë bashkë për të sensibilizuar qeverinë shqiptare në luftën kundër krimit?

Si mjet sensibilizues parlamentarët holandezë kanë zgjedhur nxjerrin një rezolutë me fuqi ligji, e cila pavarësisht se duhet të aprovohet nga organizmat e BE, duhet theksuar se është rezultat i votimit të pesë partive të ndryshme. Duhet të kujtojmë se pas zgjedhjeve të fundit në Holandë, qeveria u krijua me rreth tre muaj vonesë pasi koalicioni qeverisës pati shumë debate në krijimin e tij.

Një nga çështjet më të nxehta dhe që pengonte krijimin e një shumice qeverisëse ishte çështja e abortit, nëse do të lejohej ose jo. Pra për një çështje kaq parimore në Holandë u rrezikuan zgjedhjet e parakohshme dhe vendi hyri në një krizë politike. Komunikata e parlamentit shqiptar e ka trajtuar vendimmarrjen e parlamentit holandez sikur atje të kishte një shumice cilësore të dominuar nga një parti e vetme, e cila miraton rezoluta për të përçuar një mesazh në politikën e jashtme dhe jo për të ndërmarrë politika konkrete.

Kërkesën për miratimin e kësaj rezolute e ka bërë përfaqësuesja e partisë Apeli Kristian Demokrat, një parti e djathtë dhe e treta më e madhe në vend. Programi politik i kësaj partie është radikalizuar në zgjedhjet e fundit për t’i përçuar një mesazh votuesve të saj. Si pjesë e kësaj strategjie politike mund të themi se ka qenë edhe propozimi i kësaj rezolute që gjeti mbështetjen e pesë partive të tjera. Pra nuk kemi të bëjmë me një akt sensibilizues por me një qëndrim politik i cili gjeti mbështetjen si majtas dhe djathtas për një problem real që shteti holandez ka vendosur ta luftojë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet