Rikthehet Champions, spikat Juventus-Tottenham

Publikuar më 13. 02. 2018 nga Jola Alimemaj

Nga Klevis Deda

Një tjetër ndeshje interesante që do të rezervojë kompeticioni më i rëndësishëm për klube është përballja ndërmjet Basel dhe Manchester City

Champions League rikthehet sot ku spikat dueli Juventus-Tottenham. Një klasike e futbollit evropian që pritet të  dhurojë spektakël për tifozët. Të dyja skuadrat po kalojnë një sezon të shkëlqyer pasi po bëjnë paraqitje të mira në kampionat, por edhe në Champions League. Bardhezinjtë pozicionohen në vendin e dytë në kampionatin italian me vetëm një pikë më pak se Napoli i vendit të parë. Në anën tjetër Tottenham ndodhet në vendin e katër në kampionat, pozicion ky që të kualifikon në Champions League për sezonin e ardhshëm. Sfida e sotme do të jetë tepër e rëndësishme për të dyja klubet sa i përket fateve të sezonit.

Triumfi në këtë kompeticion është objektivi i të dyja klubeve. Juventus e mbylli fazën e grupeve në vendin e dytë ndërsa Tottenham u rendit e para e grupit. Vëmendja e madhe në këtë takim do të jetë te dueli mes sulmuesit të Juventusit, Gonzalo Higuain dhe Harry Kane. Të dy bomberat pritet të jenë lojtarët deçiziv në këtë takim. Forma që po kalon argjentinasi i Juventusit, Higuain është për tu pasur zili pasi në tre ndeshjet e fundit ai ka shënuar plot 6 gola dhe pritet të jetë rreziku kryesor për skuadrën londineze. Ky është momenti kryesorë që Higuain të heshtë kritikët që e kanë shoqëruar gjatë gjithë këtij kampionati.

Argjentinasi nuk ka një marrëdhënie të mirë me kompeticionin e Champions League pasi nuk ka shënuar që prej sezonit të kaluar pikërisht në ndeshjen ndaj Monacos ku ai vendosi sfidën me një dy golash. Në kampin tjetër sulmuesi Harry Kane po kalon momentin më të mirë në karrierë. Në 33 ndeshjet e fundit ai ka arritur të shënojë plot 32 gola. Në kompeticionin e Champions League ai është golashënuesi i dytë më i mirë pas Cristiano Ronaldos moe 8 realizime në po aq ndeshje.

Si të mos mjaftonin këto statistika, sulmuesi britanik është lojtari favorit në garën e çmimit “Këpuca e Artë”, pasi udhëheq me 23 gola në këtë sezon. Një sfidë brenda sfidës cilësohet edhe përballja e Kane me qendërmbrojtësin e Juventusit, Giorgio Chiellini. Të dy lojtarët janë ndër më të mirët në botë në rolet e tyre dhe dueli midis tyre mbetet një sfidë për tu shijuar. Garancia e madhe e Juventusit në këtë ndeshje është mbrojtja. Bardhezinjtë kanë pësuar vetëm një gol në 16 takimet e fundit duke u shndërruar në prapavijën më të fortë në Europë. Dyshimi i madh për këtë takim te italianët vijon të mbetet formacioni.

Paulo Dybala është rikthyer dje nga dëmtimi dhe është trajnuar bashkë me lojtarët e tjerë në qendrën stërvitore në Vinovo. Mandzukiç pritet të jetë titullar ndërkohë që ka një balotazh mes Douglas Costa dhe Bernardeschi. Një tjetër mundësi është që të dy këta lojtarët të luajnë njëkohësisht në skemën 4-2-3-1. Në rast se trajneri Allegri aplikon skemën 4-3-3 mund të luajë nga minuta e e parë Sturaro në vendin e Matuidi. Një tjetër takim interesant sot do të jetë mes Basel dhe Manchester City. Një duel interesant duke parë lojën e hapur që zhvillojnë të dyja këto skuadra. Favorit për të kaluar më tej është padyshim skuadra e Pep Guardiolës, por Baseli i Taulant Xhakës mund të ja bëjë pak të vështirë kalimin në turin tjetër të skuadrës Angleze.

Sot

Ora 20:45 Basel-Manchester City

Ora 20:45 Juventus-Tottenham Hotspur

Nesër zhvillohen ndeshjet e dyta të Uefa Champions League ku spikat dueli mes Real Madrid dhe Paris Saint Germain. Galaktikët do të luajnë fatet e sezonit në këtë ndeshje pasi janë jashtë garës në kampionatin spanjoll pas diferencës së madhe ndaj Barcelonës dhe janë eliminuar nga kupa e Spanjës. Nga ana tjetër PSG po kalon një moment fantastik pasi fitimi i titullit kampion është çështje kohe. Ndeshje pritet me një interes të madh për shkak të yjeve të mëdhenj që luajnë me këto dy skuadra. Fokusi kryesor do të bie te Cristiano Ronaldo dhe Neymar.

Nesër

Ora 20:45 Porto-Liverpool

Ora 20:45 Real Madrid-Paris Saint Germain