Rikthehen armët kimike në Siri, sulm me gaz klorin

Publikuar më 13. 01. 2018 nga Eno Shkëmbi

Një lajm i keq na vjen nga Siria, ku raportohet se janë rikthyer sulmet me armë kimike.

Sulmi me gaz klorin ndodhi në një zonë rebele të rrethuar nga forcat qeveritare në rrethinat e Damaskut.

Burimet spitalore raportuan se disa njerëz morën ndihmën e parë për probleme me frymëmarrjen, por nuk ishin në rrezik për jetën.

Gjatë luftës civile siriane ka pasur shpesh raporte për përdorim armësh kimike, por qeveria e Bashar al-Assadit i ka mohuar ato.

Presidenti amerikan Donald Trump sulmoi në 7 prill të vitit të kaluar bazën ajrore siriane me 59 raketa të llojit “Tomahawk”.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë e ka bërë të qartë qëndrimin e tij, se përdorimi i armëve kimike kundër civilëve të pafajshëm tejkalon vijën e kuqe të amerikanëve.