Riatdhesohen nga Franca dhe Belgjika 36 shqiptarë

Publikuar më 08. 11. 2017 nga Elidona Syla

Pasditen e sotme janë riatdhesuar në aeroportin “Nënë Tereza”, 36 shtetas shqiptarë, të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil në Francë dhe Belgjikë.

Bëhet e ditur se në Rinas ishin edhe përfaqësues të ambasadës franceze dhe oficeri i kontaktit në Shqipëri të cilët asistuan në procedurat e riatdhesimit të shtetasve shqiptarë nga vendet e BE-së.

Gjithashtu Policia e Shtetit ka marrë masa shtesë për kontrollin e të gjitha pikave të kalimit kufitar, për parandalimin e këtyre rasteve.

Zv/ministrja e Brendshme Romina Kuko tha se shanset për azil janë zero. “Riatdhesimi i sotëm i shtetasve azilkërkues në vendet e BE-së, dëshmon edhe një herë angazhimin e Qeverisë Shqiptare dhe Policisë së Shtetit, për të trajtuar të gjitha rastet e riatdhesimit për azil, dhe gjithashtu është edhe një thirrje për qytetarët shqiptarë, të cilët nuk duhet të marrin iniciativa kërkim azili, pasi do të rezultojnë të pasuksesshme. Kjo është një thirrje ndaj gjithë shqiptarëve të cilët tentojnë të kërkojnë azil, për t’ju thënë që shanset e tyre janë zero”, deklaroi Kuko.

Janë ndaluar për të ikur jashtë territorit të Shqipërisë, shtetas që nuk plotësojnë dokumentacionin e kërkuar, gjithsej 7315 shtetas.

Nga këta janë 6630 shtetas të rritur dhe 682 janë minorenë, kjo për periudhën gusht deri në tetor 2017. Të gjithë shtetasit që thyejnë rregullat e Schengenit, do të kthehen dhe nuk kanë shansin për të përfituar azil në vendet e BE-së ose në Schengen.