Ri-civilizimi që vjen prej teatrit të madh

Foto 7 nga 7 Pas Para

Aktori 92-vjeçar, Koço Qendro ngjitet në skenën e Teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë në rolin e Harpagonit, tek “Kopraci” i Molierit. Skenaristja Lako, sjell këndvështrimin e saj për lojën e mjeshtrit në skenë. Ajo shpreh keqardhje që ministrja e Kulturës ,nuk u gjend në premierën e kësaj shfaqjeje

Anila Dedaj

Natasha Lako
Ndonjëherë ngjarjet teatrale i kapërcejnë vlerat e tyre të para, të mirëfillta. Dhe kjo ka ndodhur edhe me rivënien e “Kopracit” të Molierit, ku rolin e Harpagonit e ka risjellë atje në sallën plot ngrohtësi të teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës aktori Koço Qendro, sot 92-vjeçar. Ky duket si një gjest i zakonshëm për një qytet që sipas një rrjedhe të vazhdueshme ka hapur gjithënjë sipare të mëdha, që me krijimin e aktorëve të parë profesionistë, pastaj me dramatizimin e romanit të Foqion Postolit, “Lulja e kujtimit” me të cilin i jepet një shpresë një vepre kombëtare e më pas, nëpërmjet dramës “Pamje nga ura” të dramaturgut amerikan Artur Miler, një vepër që i binte rreth e qark botës e që arrin aq kur nuk pritej edhe në Korçën e vogël dhe të izoluar… Derisa vjen, përtej vlerave të dramës vetë edhe vepra “Njolla të murme” sëbashku me rrënimin e saj dhe të të gjithë dramaturgjisë shqiptare, si dhe tronditjen e të gjithë superstrukturës shoqërore të një kohe të mbyllur. Që të arrish deri kjo rivënie e “Kopracit”, të cilin  e ka mishëruar me kreativitet të jashtëzakonshëm shumë vite të shkuara një aktor si Zef Jubani dhe në vitet ‘70 edhe aktori ynë sot 92-vjeçar, lipset të kapërcesh nëpër ëndrrën e gjatë të tij, për t’ia dhuruar “Kopracin” e Molierit të vitit 1668 , spektatorit të vitit 2018, jo thjesht si një vepër skenike ,por si një nevojë të brendshme të të gjithë shoqërisë për ri-qytetërimin e vet. Dhe dihet se  pa ndihmën e aktorit në një vepër klasike skenike ,nuk mund të arrihej ky riqytetërim i vazhdueshëm . “Kopraci” i Molierit , (madje edhe skenografia e saposhfaqur në përshtatje me të) , të fton në një skenë të vogël familjarë, që ndriçon pothuaj një fytyrë të vetme, gjë që na kujton sa e sa faqe  të reja të letërsisë botërore të hapura pas saj në lidhje me ndërtimin e karaktereve , gjë që nuk mund ta bënte as piktura aq më tepër ajo monumentale. Në këtë kuptim, një autor si Molieri me veprën e vet, vjen për ta zvogëluar njeriun dhe për ta bërë një me spektatorin.  Molieri të bën të qeshësh me veten, njëherë e përgjithmonë. Dhe këtë e thotë në teatrin e qytetit të vogël, Koço Qendro Korçari. Teatri shqiptar shpëtoi prej traumës së madhe të fillimit të viteve ‘90 , e cila po godet sot edhe godinën e Teatrit Kombëtar, në sajë “të injeksionit “, të dhjetëra dramave të modernitetit dhe postmodernitetit botëror. Emra të shumtë herë mbetën, herë nuk mbetën në kujtesë, por vitalizojnë përditë nëpër “qoshkat” tona teatrore, mendimin dhe gjykimin e sotëm shqiptar, krahas  dyndjes që vjen prej ekranit, dhe teatrit life të përvojës së dhjetëra e mijëra emigrantëve që filluan të enden nëpër një “botë të re” të tyre, por gjithsesi larg. Dhe dihet se mes një konkurrence të dobët vetëformimi, të njeriut që jeton midis realizimeve artistike dhe edukimit shkollor, sot më qorrsokake plot, rivënia e veprave të mëdha klasike, që për të jetuar, thethin gjithçka që aktorët në shekuj kanë dhënë dhe japin prej vetes, e vë këtë rivenes skenik të drejtpërdrejtë, në krye të procesit të vazhdueshëm riqytetërimi, i cili i jep çdo vepre dhe mendimi një shpirt të ri njerëzor.Dhe kjo shpjegon të gjithë respektin dhe dashurinë që do të kenë aktorët gjithmonë në të gjithë botën. Të arrish kulminacionin e monologut të Harpagonit, në raportin e vendosur prej tij dhe pares, me një vërtetësi dhe përvujtësi tragjike njerëzore, si bën aktori Koço Qendro, duket si një mesazh që mund të burojë vetëm sot. Aq sa me plot gojë mund të thuhet, se me ndihmën e regjisë së Dhimitër Orgockës dhe të të gjithë trupës ku shkëlqen Koço Qendro, dhe të realizuar plot dritë të re, po hapet një tjetër sipar, ai i dinjitetit individual,aq të munguar në shoqërinë shqiptare. Ndoshta  gjenialiteti skenik  mund të ketë arritur të mishërojë edhe  asgjënë. Por kur është fjala për komeditë e Molierit, është njësoj  sikur të flitet për vepra skulpturore skenike, ku dalta është e autorit të viteve 1700, dhe trupi  i aktorit të sotëm,me një plastikë të jashtëzakonshme dhe me një kumbim që mund të arrijë në çdo shtëpi.

“Kopraci” dhe demaskimi i vetes

Duket si një emocion sensacional  kur një aktor ngjitet në skenë i ndërgjegjshëm se  po i lë spektatorit  rolin e tij më të madh skenik, atëherë kur përvoja jetësore dhe artistike kanë fituar terrenin e vitit 2018. Ndoshta pasi paralelet bëhen edhe më të ngjashme , kur raportet midis ndjenjave njerëzore dhe arit, nuk janë të një dite ose të një epoke të vetmuar. Sot e vetmuar ka mbetur vetëm periudha, e demaskimit të përgjithshëm,  që e gjithë shoqëria shqiptare për pothuaj gjysëm shekulli  duhej t’i bënte  gjithë qytetërimeve të arritura, përfshirë këtu edhe  personazheve të Molierit, të cilët një mjeshtër gjenial i kishte  diagnostikuar në mënyrën paralajmëruese dhe më urgjente në ditët e shndërrimit të shoqërisë feudale drejt një shoqërie të re,aq shumë të ngjashme me etapat jashtëzakonisht të vonuara ose të ndërprera të shoqërisë shqiptare. Por kur shohim “Kopracin” e Koço Qendros, është njëlloj si të demaskojmë veten, në miklimin e fshehtë dhe të vazhdueshëm ndaj prarimit të florinjtë. Në vënien e regjisorit Dhimitër Orgocka është zgjidhje regjisoriale,  që perdja të mos  mbyllet, si për të shkurtuar çdo largësi mes aktorëve dhe njerëzve që kanë ndjekur mbi dy orë shfaqje, me një temporitëm që rrjedh sa nga ndërtimi  i situatave aq edhe i një karakteri që sfumon gjithë të tjerët.

“Koço Qendro, aktori që ka forcën për të sjellë ngjarjet eMolierit sot”

Dhe në një shfaqje të tillë duket sikur edhe spektatori rilind. Është Koço Qendro, pothuajse i panjohur jashtë Korçës, ose atje ku jetojnë aktorët e spektakleve televizive, aktori që ka fuqinë të sjellë  ngjarjet e Molierit sot, ndonëse  e gjithë shfaqja mbulohet me kostumet e shekullit të XVII-XVIIi, punuar me aq kujdes. Dhe me një dekor ku janë të nevojshme vetëm tre dyer, ku çelësi është aq i identifikuar , po aq sa çelësi që fsheh gjithë botën e një njeriu. Paranë,pa të cilën çdo gjë tjetër duket sikur nuk vlen. Dhe ja kështu ndërhyn një mjeshtër i përjetshëm. Të gjithë pothuaj e dinë ngjarjen, të paktën ata që kanë mbaruar ndonjë shkollë,  e njohin gati si në subkoshiencë atë thesar të fshehur, të një Harpagoni që është gati që me kamatë të japë edhe shpirtin e fëmijëve të vet,  si mund të konsiderohet edhe dashuria. Molieri luan me pushtetin atëror dhe zvetënimin e tij, parandien nëpërmjet ngatërresave skenike  pushtetin e  thjeshtë dhe të pafajshëm të dashurisë, duke zvetënuar deri në ekstrem edhe pushtetin e parasë. Por një Harpagon mund të bëjë lëshime vetëm në këmbim të verdhushkave të tij. Të zvetënosh pushtetin e parasë , si ka bërë Molieri me ndihmën e aktorëve gjatë shekujve, veçanërisht sot, duket një gjë e madhe. Molierit si një humanisti të rrallë  i  intereson mbrojtja e marrëdhëniet njerëzore, të cilat sillen sa mes etërve dhe bijve, aq edhe  mes padroneve dhe shërbyesve,të cilët së bashku  krijojnë alienimin e një thesari, pothuaj të pavlefshëm,të fshehur në një qoshe, që në këtë rast nuk është aq of shore,por në zemër të një shtëpie.Duket sikur në këtë rivënie gjendesh i rrethuar nga një kundër rrjedhe mbrojtëse ndaj gjymtimit të koprracisë, jo thjesht si ves ,por si thelb dhe ekstazë e çdo lëvizje të zotëruar prej pares, të cilën Molieri e kthen në diçka bosh. Kopraci kthehet në një komedi të hidhur, deri sa edhe spektatorin ka shekuj që e rrëmben më vete në një lojë aq ngazëlluese që e pranon,si për t’u çliruar edhe prej botës së tij, ku paret zhvendosen gjithsesi nga epiqendra. Në një vepër të tillë kaq jetëgjatë që “vuan”nga thjeshtësia, raportet mes personazheve,madje edhe më tepër kur këta personazhe janë dytësore, nuk shterin për asnjë çast për të krijuar lidhje të reja, pothuaj të një bote të barabartë, mes të dashuruarve dhe të padashuruarve, mes shërbëtoreve dhe  trashëgimtarëve të interesuar për ndjenjat e tyre më të thella. Madje kjo lloj “barazie” njerëzore shkrihet edhe mes nuancave të rivalitetit,mes një ati që kërkon për grua një vajzë të re,dhe një djali të dashuruar. Dhe dihet që njerëzimi ka mbi 300 vjet që rrethohet nga emrat e Harpagonit, ose Frosines, Valerit ose Marjanes, në një thjeshtësi marrëdhëniesh,që e bën veprën edhe të ditëve tona. Sigurisht po të mos ishte kjo lojë e thellë realiste, që duket sikur buron prej vetes në një përvetësim të shkëlqyer të matërialit dramaturgjik, të shkrirë në plastikë dhe çdo tingull, vepra mund të shtyhej më thellë në kohë. Por nga ana tjetër këtë realizëm dhe natyrshmëri skenike, këtë bashkëkohësi të përditshme e ndihmon në këtë shfaqje me zotërim profesional paradoksal, loja  e Zamira Kitës. Ndonjë kritik që do të përqendrohej më shumë te shfaqja e brendshme skenike se sa drejt sinjalet që na lë pas, do të analizonte më me hollësi  fjala vjen raportet e një  Harpagoni –Koco Korcari,me shërbëtorin që i shërben edhe si kuzhinier edhe si karrocier, që të paguajë me një pagë të vetme,e shumë konvencione të tjera të bukura. Spektatorit nuk i mbetet tjetër, veç një dritë e brendshme ngazëlluese. Sepse, një autor i viteve 600, është gati t’i kujtojë edhe punëdhënësin e sotëm. Të vjen keq që ministrja e Kulturës ,nuk u gjend në premierën e kësaj shfaqjeje, qoftë për lojën dhe perfeksionin e një aktori  92 -vjeçar, i cili brenda shfaqjes të bën t’i kujtosh vetëm moshën artistike dhe atë dinjitet të plotë të një individi shqiptar, që transmeton dinjitetin e një kombi të tërë. Dhe mendja të shkon edhe të plotë të tjerë po aq të munguar nga kjo botë qytetëruese, që parapëlqejnë më mirë të rremojnë ende nëpër shkronja ruse, për të gjetur dhe pasdhënë shpjegime të vonuara dhe tepër të detajuara  të realizmit socialist, të shpjeguar nga estete përjetësisht të vdekur, pa menduar për asnjë çast se këtë metodë e ka mundur prej kohesh vetë Molieri, qoftë me monologët e tij, të cilët, si aktorë të palindur, i mësuan nëpër shkolla breza të tërë. Dhe sot breza të rinj të tërë po kapërcejnë në këtë ri-qytetërim, duke takuar si asnjëherë tjetër edhe lojën e një aktori modest si Koço Qendro.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet