Restaurimi i Shtëpisë së Fishtës, flet specialisti: Konflikti me pronarët është përdorur si alibi!

Foto 1 nga 8 Pas Para

Pas rrënimit të parë, Shtëpia e tjetër e Fishtës e shpallur Monument Kulture në 2008-ën është në gjendje kritike. Një projekt i ri i propozuar Qeverisë bëhet shpresë për rijetëzimin e saj

Anila Dedaj

“Dersa t’mundem me ligjrue/ E sa gjall me frymë un jam / Kurr Shqypni, s’kam me t’harrue/ Edhe n’vorr me t’përmendë kam”.  E tija ishte një dashuri sublime, ajo për atdheun. Ia donte Fishta gjuhën “e ambël”  këtij kombi,  i donte fushat, brigjet e malet, të cilat i përjetësoi në veprat e tij. Të përjetshme duhet të ishin edhe kujtimet e At Gjergj Fishtës, të prekshme si veprat, por kjo tokë a njerëzit që pasuan nuk qenë aq të fortë saqë të mbanin  në këmbë shtëpinë ku frati lindi. Tanimë atje ka mbetur vetëm një libër e një kryq simbolik, që mendohet të jenë gjetur në fragmente të themeleve të saj. Ndoshta, shqiptarët, shteti, apo një Zot e di se kush ende nuk kanë mësuar përulësinë e mirënjohjen para atyre që i dhanë lavdinë këtij vendi. E kështu heqin dritare, derë, gur pas guri në formë “shpërblimi”.  Ndodhi kështu në ’94-ën, kur shtëpia në fjalë, vetëm 3 vite para shkatërrimit të plotë ishte shpallur Monument Kulture nga Komiteti i Kulturës dhe Arteve…

Ka mbetur ende një copëz legjende, një shtëpi që edhe pse, sipas ish-ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, cilësohet gabimisht si Shtëpia e Fishtës, në të është fryma e tij.  Në 2008-ën, sipas një vendimi të Ministrit të Kulturës (në atë kohë Bujar Leskaj) ajo u shpall Monument Kulture, por sot është lënë në mëshirë të fatit. “Ish-shefja” e Kulturës vitin që lamë pas e tha qartazi se ajo shtëpi nuk dot restaurohet dhe Fishtën do të na duhet ta kujtonim kështu vetëm tek Kuvendi i Troshanit, ku ai u shkollua (për këtë në 2017-ën u shpall “Monument Kulture”). Arsyeja, sipas saj ishin pronarët aktualë, të cilët pengonin procesin.

Në një kohë që për të ngritur në këmbë dinjitetin e Shtëpisë Monument Kulture të Fishtës ndër vite nuk kanë munguar projektet, madje as donatorët e vetëofruar nga Kosova, ende nuk është gjetur një rrugëzgjidhje.

Specialisti i trashëgimisë kulturore Paulin Zefi na rrëfen se konflikti i mundshëm që ish-ministrja ka përmendur, është përdorur thjesht si një alibi, pasi pronarët kanë ardhur nga Italia në përpjekje  për të gjetur një marrëveshje të përbashkët, por askush nuk i ka pritur.

Mirëpo këmbëngulja që ajo Shtëpi të rijetësohet vijon. Kështu një projekt i ri i konceptuar nga Zefi dhe nën kujdesin e arkitektit Dodë Zhuba do t’i dorëzohet Projektit të Qeverisë Shqiptare “100 fshatrat”. “Nëse ky plan nuk funksionon, ne do të procedojmë me donatorët që i kemi të gatshëm për financim”, thekson ai.

Zoti Zefi, për Shtëpinë Monument Kulture të Fishtës janë propozuar 3 projekte, por  nuk ka qenë e mundur të zbatohet asnjë prej tyre? Përse ka ndodhur kjo sipas jush?

Një projekt me vlerë prej 3.500.000 lekë (të reja) ose 28.000 € ekziston në IMK që në vitin 2008 dhe kjo është konfirmuar nga vetë e lartë të Ministrisë së Kulturës. Një projekt të dytë, të punuar nga një kompani kosovare e kemi dërguar në DRKK-Shkodër dhe IMK në muajin tetor të vitit 2014 dhe nuk është pranuar si rezultat i mangësive të caktuara. Ndërsa projekti në fjalë, i cili është përgatitur me shumë përkushtim nga stafi i Bashkisë Lezhë: punuar nga arkitekti projektues Dodë Zhuba, konceptuar nga unë, preventivuar nga drejtori i Drejtorisë së Planifikimit Urban, inxhenieri Sokol Toma, dhe nën përkujdesjen e veçantë të kryetarit të Bashkisë Lezhë Fran Frrokaj, do të dorëzohet së shpejti si pjesë e Projektit të Qeverisë Shqiptare “100 fshatrat”. Duke qenë se dy projektet e mëparshme nuk janë zbatuar, si pasojë e neglizhencës dhe jo si rezultat i mungesës së financimit, sepse donacionet s’kanë munguar në asnjë rast; tani, uroj dhe shpresoj që projekti i tretë dhe i mirëdetajuar do të materializohet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Vitin që kaloi Mirela Kumbaro, asokohe ministre kulture u shpreh se ky Monument nuk mund të restaurohet për shkak se është një banesë private. Si është bërë kësaj here për ta zgjidhur këtë konflikt?

Alibia e zakonshme e servirur vazhdimisht gjatë prononcimeve mediatike nga ish-ministrja Mirela Kumbaro, e cila është shpreh se ky Monument Kulture nuk mund të restaurohet për shkak se është një banesë private, është totalisht qesharake. Dihet se, pjesa dërrmuese e Monumenteve të Kulturës në vendin tonë janë kryesisht banesa karakteristike, pra objekte private, të banuara ose të braktisura nga familjarët, por gjithmonë mbeten pronë private e tyre. E tillë është edhe Shtëpia ku ka jetuar At Gjergj Fishta, për të cilën unë me porosi të ish-ministres Kumbaro dhe ish-zv.ministrit Zef Çuni, në muajin gusht të vitit 2015 kam ndihmuar personalisht pronarët e objektit dhe stërnipat e At Gjergj Fishtës, vëllezërit: Zef, Bardhok dhe Agron Ndoka për të marrë certifikatën e pronësisë së kësaj banese. Një veprim i tillë është kryer me qëllim për t’u dakordësuar me Ministrinë e Kulturës në mënyrë që pas arritjes së një marrëveshje midis pronarëve të ligjshëm dhe Ministrisë së Kulturës, ta zgjidhnim këtë “pengesë” dhe të vijonim me hartimin e një projekti dinjitoz dhe më pas restaurimin e objektit. Fatkeqësisht kjo nuk u realizua kurrë, pasi pronarin e objektit Agron Ndoka, të cilin unë e kam thirrur dy herë që të vijë në Shqipëri, nga Italia ku jeton me familje prej gati 20 vitesh, për të nënshkruar marrëveshjen me Ministrinë e Kulturës, askush nuk ka denjuar që ta presë dhe të takohet me të. Pra, deri më sot nuk ekziston asnjë lloj marrëveshje midis Ministrisë dhe pronarëve. Prandaj as vetë pronarët, po të duan dhe të kenë mundësi financiare, ata nuk munden të ndërhyjnë për restaurimin shtëpisë së vet pa paraqitur një projekt serioz në IMK dhe pa u miratuar nga KKR. Ndërsa, Ministrinë e Kulturës nuk mundet ta pengojë askush për të ndërhyrë në këtë objekt të cilin e administron IMK, pasi të marrë aprovimin e pronarëve. Pra, me pak fjalë, duhet arritur ajo “marrëveshja e munguar e vitit 2015” midis Ministrisë së Kulturës dhe pronarëve të objektit për të vazhduar me hapin e dytë dhe më të rëndësishëm, restaurimin e shumëpritur të Shtëpisë ku ka jetuar At Gjergj Fishta.

Cila është gjendja aktuale e godinës? (Nga fotot që janë publikuar më herët duket në gjendje të rënduar).

Gjendja fizike aktuale e këtij Monumenti është për të ardhur shumë keq. Muret kanë filluar të çahen, kulmi i çatisë është dëmtuar deri në atë shkallë sa reshjet e shiut ka mbi 4 vite që bien brenda katit të dytë dhe më pas lagështira ka depërtuar deri në dyshemenë e katit të parë. Suvatimi është fragmentarizuar dhe çdo ditë bien pjesë të ndryshme në të dy katet e shtëpisë. Tavani i katit të dytë është në rrezik rënie të plotë dhe po ashtu mungojnë xhamat dhe pjesa më e madhe e strukturave të drurit tek dritaret. Dera e jashtme është gjysmë e kalbur dhe ndërsa ajo metalike në pjesën veriore është për të ardhur keq. Njëra dritare e katit të parë është e mbyllur me muraturë të thatë, me tulla e gurë. Pra, i gjithë objekti po rënkon që nga themelet, por edhe muret e avllisë dhe ajo stalla e vogël “non sens” që ndodhet në oborr, lënë shumë për të dëshiruar.

Çfarë ndërhyrjesh do të bëhen në godinë?

Projekti i hartuar nga Bashkia e Lezhës parashikon jo vetëm ndërhyrjet në çdo pjesë të Shtëpisë, por edhe rikonceptimin dhe rivitalizimin e oborrit dhe gjithë hapësirës që rrethon objektin, po ashtu edhe rindërtimin e avllisë konform tipologjisë dhe teknikës së ndërtimit të asaj ekzistuese. Vetë strukturat murale të Shtëpisë do të konservohen në çdo detaj me qëllim për të ruajtur autenticitetin e saj. Muret më pas do të konsolidohen dhe restaurohen, duke i fugatuar ato me llaç gëlqere në raportet 1/3 sipas teknikës që është përdorur në fund të shek.XIX, periudhë kur ka qenë ndërtuar kjo kullë. Në ambientet e brendshme do të vendoset suvatimi i ri konform këtij ekzistues. Çatia do të rindërtohet nga fillimi dhe nuk do të përdoren më trarët ekzistues, kuptohet. Ndërsa, tjegullat e thyera dhe ato që mungojnë do të zëvendësohen me tjegulla tradicionale të cilat janë identike me materialin ekzistues, por që, por që i kanë përdorur gjerësisht edhe banesat e tjera karakteristike të trevës së Zadrimës. Dyert dhe dritaret do të vendosen të gjitha të reja, por duke i qëndruar besnikë modelit dhe materialit të atyre ekzistuese etj. Pra, do të ruhet me kujdes të tepruar çdo gur, tjegull dhe çdo detaj arkitekturor konform modelit, tipologjisë dhe materialit ekzistues.

A do të jetë pas restaurimit e vizitueshme për njerëzit?

Nëse pronarët e objektit, të cilët ka rreth 2 dekada që jetojnë në Diasporë, do të pranojnë propozimin për ta kthyer objektin në një Muze Etnografik për trevën e Zadrimës, objektiv që unë e kam prioritar, kjo do të ishte një mrekulli. Por, nëse kjo nuk ndodh dhe në të kundërt pronarët do të vendosin që të rikthehen për të jetuar në shtëpinë e tyre, duke vënë në dispozicion të vizitorëve një pjesë të hapësirës së brendshme të objektit dhe sidomos “Dhomën personale ku ka qëndruar dhe punuar periodikisht At Gjergj Fishta”, normalisht që shtëpia do të jetë vazhdimisht e hapur për vizitorët dhe turistët e huaj. Pra qëllimi jonë i vetëm është restaurimi i plotë i këtij objekti kaq të rëndësishëm të Trashëgimisë tonë Kulturore Kombëtare, duke nderuar emrin dhe veprat e paçmueshme të të madhit FISHTA, por edhe kthimi i kësaj shtëpie në një vend të vizitueshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet