Reshje intensive dëbore, vështirësohet qarkullimi në Rrugën e Kombit

Publikuar më 10. 02. 2018 nga Eno Shkëmbi

Reshjet e dëborës kanë përfshirë zonat malore të vendit. Raportohet se trashësia e dëborës ka arritur deri në 5 centimetra në aksin Fushë-Dukagjin-Tuneli i Kalimashit të Rrugës së Kombit.

Në rrugë janë vendosur pesë mjetë borëpastruese nga ana e kompanisë mirëmbajtëse të rrugës. Ndërkaq, përpos dëborës qarkullimi është vështirësuar ndjeshëm edhe si pasojë e pranisë së mjegullës.

Aksi është i kalueshëm, por drejtuesit e mjeteve duhet të tregohen të kujdesshëm dhe vigjilent, si dhe të lëvizin me pajisje dimërore pasi pritet që reshjet të vijojnë edhe në orët e natës.

Vështirësi në qarkullim paraqitet edhe në akset dytësore në Qarkun e Kukësit.