Republikanët mbështesin Trump për imigracionin

Presidenti propozon që përfituesit e DACA-s të kenë një rrugë për t’u bërë shtetas, por gjithashtu të ndërtohet një mur përgjatë kufirit amerikan me Meksikën

Presidenti amerikan Donald Trump u kërkoi anëtarëve të Kongresit që të gjejnë një zgjidhje për problemin e vështirë të imigracionit, duke thënë se po mbyllet hapësira e mundësive për të mbrojtur të rinjtë imigrantë që janë sjellë në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara kur ishin fëmijë. “Republikanët duan një marrëveshje dhe demokratët thonë se duan të bëjnë një marrëveshje. A nuk do të ishte mirë nëse më në fund pas kaq vjetësh, ta zgjidhnim problemin e DACA-s? Ky është shansi ynë i fundit, nuk do të ketë një mundësi tjetër”, shkruante ai në Twitter të martën.

Vitin e kaluar, Presidenti Donald Trump shfuqizoi DACA-n, masën e ish-Presidentit Barack Obama që mbronte të rinjtë nga deportimi dhe i dha afat Kongresit deri më 5 mars për të hartuar legjislacion për statusin e tyre ligjor. Senati votoi njëzëri të hënën me 97 vota pro dhe një kundër që të fillojë një debat të gjerë për reformën e imigracionit, ndërsa dolën në pah ndasi të thella për synimin përfundimtar dhe përmbajtjen që ligjvënësit shpresojnë të shohin në paketën përfundimtare. Udhëheqësi i Shumicës republikane në Senat mund të ketë përcaktuar tonin e debatit me sfidën që u bëri demokratëve.

“Ka ardhur koha që fjalët të kthehen në vepra, duke iu futur punës për një zgjidhje funksionale. Kjo do të thotë të arrijmë një marrëveshje që të miratohet nga senati, të miratohet nga Dhoma e Përfaqësuesve, dhe të nënshkruhet nga Presidenti. Jo thjesht të shprehim një qëndrim”, tha senatori Mitch McConnell. Presidenti Trump ka propozuar që përfituesit e DACA-s të kenë një rrugë për t’u bërë shtetas, diçka që shumica e ligjvënësve nga të dyja palët e mbështet. Por ai ka këmbëngulur gjithashtu për të ndërtuar një mur përgjatë kufirit amerikan me Meksikën, duke pakësuar numrin e imigrantëve të ligjshëm që pranon Amerika dhe duke u dhënë përparësi atyre që me aftësi të veçanta profesionale.

Republikanët në senat paraqitën një propozim që përqafon planin e Shtëpisë së Bardhë. Çdo propozim për imigracionin do të ketë nevojë për mbështetjen e tre të pestave për t’u miratuar në senat, ku republikanët kanë një shumicë të ngushtë me vetëm një vend më shumë. Demokratët lanë të kuptohej se plani republikan as që ia vlente të merrej në konsideratë në formën e paraqitur. “Tani nuk është as koha, as vendi për të reformuar të gjithë sistemin e imigracionit. Jo, është momenti për një ligj me rreze të ngushtë veprimi. Dhe ne do të përpiqemi me të gjitha energjitë tona që të gjejmë një variant që të mund të miratohet”, tha udhëheqësi i pakicës demokrate në senat, Chuck Schumer.

Demokratët dhe disa republikanë kanë sugjeruar që të kufizohet paketa e imigracionit vetëm tek DACA dhe masat e sigurisë në kufi. Por edhe në formë e tillë nuk ka shumë gjasa të ketë sukses, sipas senatores demokrate nga Kalifornia, Dianne Feinstein. “Ka shumë mundësi të ketë të paktën tre projekt-ligje. I pari ka gjasa të jetë një paketë republikane, i dyti një variant demokrat. Të dyja këto projekt-ligje ka shumë mundësi të bien dhe ndoshta varianti i tretë do të jetë një kompromis”, i tha senatorja Feinstein Zërit të Amerikës. Një propozim kompromisi mund të jetë rezultat i bashkëpunimit mes një grupi të moderuarish nga të dyja palët.

I kryesuar nga republikania nga Maine, Susan Collins, ky grup ndihmoi për t’i dhënë fund mbylljes së pjesshme të qeverisë muajin e kaluar. “Mendoj se miratimi i një ligji për imigracionin është i realizueshëm. Ne po punojmë për një variant dypartiak kompromisi dhe praktik që parashikojmë ta bëjmë të njohur nga fundi i javës”, tha senatorja Collins. Senati do të konsiderojë propozime të veçanta për një paketë që nuk është e debatueshme që do të shërbejë si shtysë legjislative për reformën e imigracionit. Çdo projektligj i miratuar në senat, duhet të miratohet edhe nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe të nënshkruhet nga Presidenti që të kthehet në ligj.

Të tjera

Abissnet