Rënia e Teatrit Kombëtar dhe shkëlqimi i pushtuesve të kombit

Mirela Rrupa

Teatri Kombëtar u shkërmoq me 17.5.2020, duke zënë nën rrënojat e tij një traditë teatrale gati 100 vjeçare. Ai ra përdhe, sëbashku me lotët e aktorëve që bënë karriere në atë skene. Nuk deshi t’ia dijë njeri as për aktore e as për shtresa të ndryshme shoqërore që dolën në mbrojtje të Teatrit.

Ky objekt, përfaqësonte traditën tonë teatrale… Shumë vepra teatrore u luajtën nga aktorw profesionistw, shumë qytetarë morën emocione dhe të qeshura nga skena e tij. Teatri kishte një lidhje të ngushtë me identitetin e jetës kulturore, jo vetëm të Tiranës por të gjithë Shqipërisë. Gjyshërit dhe baballarët kanë një histori me pak për t’ju treguar pasardhësve të tyre, sepse objekti të cilit mund ti referoheshin, është kthyer në grumbull mbetjesh betoni dhe druri. Në vend të tij, do të ndërtohet një shëmtirë arkitektuore.

Siç duket, ne nuk do vazhdojmë të bëjmë tradite në art, e as në kulturë, por do vazhdojmë traditën e shkatërrimit dhe të shembjeve, barbarizmave dhe huliganizmit. Autorët e kësaj masakre kulturore janë përbindësha që nuk vijnë nga një shtet tjetër, nuk janë serb e as grek, por janë ata, pushtuesit e përjetshëm të kombit tonë. Janë drejtuesit tanë që i adhurojmë, ndërkohw që shkelin mbi ne, janë ata që po hedhin në humnerë të ardhmen e një kombi të tërë për interesat e tyre personale.

Po cila është historia teatrale e kombit tonë?

Prania e ndërtimeve antike monumentale arkitektonike , në qendrat ilire si Apoloni, Butrint, Bylis (Hekal), Nikoia (Klos), Orik Foinika (Finiq), Sofratikë (pranë Gjirokastrës), Dyrahu (Durrësi), flasin për aktivitetet e shumta teatrore gjatë antikitetit, të karakterizuara nga influenca kulturore e Greqisë sw Lashtë. Gjatë periudhës së mesjetës, kemi përsëri aktivitete shoqërore me natyrë teatrore të karakterit folklorik. Shkodra ka një traditë të pasur të lëvizjeve teatrale, të cilat kanë filluar ne vitin 1861 nga Shkolla Fretnore, duke vënë në skenë pjesë teatrore të ndryshme. Më pas, më 1874 në Korçë, u organizua shfaqja e parë teatrale me subjekt nga “Dasma e Lunxhërise” me trupën e nxënësve te shkollës normale “Ta Zografia” të Qesaratit.

Më 1899, u dha nga një grup shkollor në Korçë, vepra e Shekspirit, “Otello”. Që nga kjo periudhë, lëvizjet teatrale janë shtuar dhe janë bërë më të pranishme për publikun. Teatri Kombëtar është ndërtuar në vitin 1938 nga arkitekti italian Giulio Berté. Ky objekt paraqiste një fazë të rëndësishme të historisë së planifikimit urban dhe arkitekturës moderne, veçanërisht pas periudhës nga pushtuesit otoman që nuk përfshinte koncepte të tilla në planifikimin urban. Gjatë gjithë kësaj kohe ka pasur ndërhyrje të stileve të ndryshme arkitekturore dhe inxhinierike për mirëmbajtjen e tij.

Tirana pas shpalljes së saj kryeqytet, u bë qendra e shumë aktiviteteve të rëndësishme kulturore dhe politike për të gjithë Shqipërinë. Teatri Kombëtar ishte një institucionet që iu shtua disa objekteve të tjera kulturore si xhamia e Et’hem Beut, Kullës së Sahatit, Tyrbes së Kapllan Pashës, Kishës Paleokristiane të Tiranës si dhe shumë objekteve të tjera të këtij karakteri.

Plani për shembjen e Teatrit Kombëtar ideuar nga qeveria dhe diskutuar neper media që pothuajse nje vit. Ky objekt kulturor ka qenë nën kujdesin e Ministrisë së Turizmit dhe të Kulturës. Para pak ditësh është bërë kalimi i tij nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës dhe me 14.05.2020 u miratua vendimi për prishjen e tij me pretekstin se ky objekt nuk ishte i ndërtuar sipas standardeve të duhura dhe vinte në rrezik jetën e qytetarëve.

Ky vendim, rrafshoi të gjitha ato histori suksesi të artistëve tanë, te cilët në kushte shumë të vështira, sidomos gjatë periudhës së regjimit komunist ushtruan veprimtarinë e tyre në fushën teatrale.

E theksova jo pa qëllim këtë fakt, pasi nuk ka gjë më të vështire se kur i kushtëzohet liria e frymëzimit një artisti. Ky akt, nuk përdhosi vetëm figurën e trupave të ndryshme teatrale që kanë luajtur role në atë skenë, por dhunoi dëshirën artdashëseve të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Minimalisht, ne qofte se ky objekt do tëvinte në rrezikshmëri jetën e trupës teatrore, stafit administrativ dhe qytetarëve të ndryshëm, duhej tw ristrukturohej e të mbetej si muze në shenjë respekti ndaj aktiviteteve teatrale në Shqipëri.

Tani nga Teatri Kombëtar ka ngelur vetëm një kujtim në fotografi, libra dhe broshura turistike… Do te kemi një atraksion kulturor më pak, guidat turistike do të heqin nga agjenda e tyre vizitimin e këtij objekti. Zhdukja e tij është një konfuzion më tepër për të gjithë turistet e huaj, pasi Teatri Kombëtar është kudo në librat e guidave turistike si një objekt kulturor me rëndësi unike.

Në të gjitha shtetet e zhvilluara, teatrot janë atraksione shumë të rëndësishme për turizmin kulturor. Përveç kësaj, ato janë ambiente dëfryese për grupe shoqërore artdashëse që nga lashtësia. Çfarë do tw ndodhte sikur qeveria italiane do të shembte amfiteatrin e Veronës, teatrin “La Scala” në Milano, “La Fenice” në Venecia apo teatrin “San Carlo” nw Napoli? Po sikur nw Francë, qeveria do të shembte teatrin e famshëm ” Moulin Rouge” apo “Palais Garnier”. Po në Angli cili do te ishte reagimi i qytetarëve nëse do ndërmerrej një akt i tillë? Ne zonën e quajtur West End në Londër numërohen 39 teatro, në të cilat janë luajtur veprat e Shekspirit dhe të shumë autoreve të tjerë që nga viti 1576 dhe frekuentimi i tyre është në masë gjatë gjithë vitit.

Kësaj here qeveria tregoi se sa pak vlerë ka për të ruajta e kulturës së kombit të vet, në një periudhë ku lulëzon injoranca dhe bizneset e paligjshme… ky i dituri rri në heshtje e budallai ngre zërin…. Çfarë mesazhi përcolli tek brezat e rinj ky akt? Kur do të kemi një qeveri që nuk do i cenojë interesat kombëtare? Në qoftë se do vazhdojmë të shembim një e nga një objekte të kësaj rëndësie, ne do të mbetemi një shoqëri pa identitet.

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet