Rënia e dëgjimit tek fëmijët dhe të rinjtë, shkaqet dhe trajtimi

Publikuar më 22. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Dr. Rexhina Rama

Shpjegimet e mjekes ORL për patologjinë e tretë më e zakonshme pas artritit dhe sëmundjeve të zemrës dhe çështja madhore e shëndetit publik. Shkaqet e rënies së dëgjimit prej mënyrës së jetesës, profesionit dhe plakjes, por edhe ekspozimi në zhurmat e përditshme të cilat japin pasoja pas shumë vitesh

Rënia e dëgjimit është një çështje madhore e shëndetit publik, pasi është patologjia e tretë më e zakonshme pas artritit dhe sëmundjeve të zemrës. Rënia e dëgjimit është një gjendje e padukshme; ne nuk mund ta shohim rënien e dëgjimit, vetëm efektet e saj mund të shohim që mund t’i atribuohen ftohtësisë, konfuzionit ose ndryshimeve të personalitetit. Rënia e dëgjimit kongenitale nënkupton që fëmija lind pa dëgjim (shurdh), ndërsa rënia graduale e dëgjimit ndodh gjatë kohës. Tek të rriturit, shkaqet kryesore të rënies së dëgjimit janë zhurmat dhe plakja. Ka një lidhje të fortë midis plakjes dhe rënies së dëgjimit. Në rëniet e dëgjimit të lidhura me moshën, të njohura edhe si presbiakuzia, ndryshimet që ndodhin në veshin e brendshëm gjatë plakjes janë të ngadalta dhe të qëndrueshme. Rënia mund të jetë e moderuar ose e rëndë, dhe është gjithmonë e qëndrueshme. Rënia e dëgjimit e shkaktuar nga zhurmat mund të ndodhin ngadalë gjatë kohës ose në mënyrë të menjëhershme.

Të jesh i ekspozuar në zhurmat e përditshme, të tilla si të dëgjosh muzikë me zë të lartë, të punosh në një punë me zhurma mund të ulë dëgjimin pas shumë vitesh. Rënia e menjëhershme e shkaktuar nga zhurma, si armët e zjarrit ose eksplozionet, mbeten numri 1 i paaftësive të shkaktuara në luftë. Shpesh rënia e dëgjimit shoqërohet me zhurmë në vesh (tinitus), që mund të ketë më shumë efekte negative tek pacientët sesa vetë rënia e dëgjimit. Gjendje të veçanta, përfshirë moshën, sëmundjet dhe faktorin gjenetik, mund të luajnë një rol në rënien e dëgjimit. Jeta moderne ka shtuar listën e elementëve që dëmtojnë veshin, duke përfshirë disa medikamente dhe shumë burime të zhurmave.

Çfarë do të kuptojmë me rënie dhe humbje dëgjimi?

Me humbje dëgjimi kuptojmë të mos jesh i aftë të dëgjosh tinguj në një ose në të dy veshët. Për të kuptuar se si ndodh rënia e dëgjimit, duhet të dimë se si punojnë veshët. Tingulli shkon nëpërmjet ajrit si valë tingulli, e cila vibron membranën timpanike dhe lëviz 3 kocka shumë të vogla të veshit. Kjo shkakton valë në lëngun që mbush veshin e brendshëm. Këto valë përkulin qelizat me flokë të cilat janë të lidhura me nervin e dëgjimit. Ato kalojnë sinjale elektrike në nervin e dëgjimit, të quajtur nervi koklear, i cili shkon në tru. Në qoftë se ndodh dëmtim në një nga strukturat të cilat përshkon tingulli, atëherë kemi të bëjmë me rënie dëgjimi. Shkallët e rënieve të dëgjimit janë: e lehtë, e moderuar, e rëndë, e thellë.

Cilat janë disa nga shkaqet dhe faktorët që çojnë në rënie deri në humbje të dëgjimit?

Mosha e avancuar është shkaku më kryesor i humbjes së dëgjimit. 1 në 3 njerëz nga mosha 65-74 vjeç ka rënie dëgjimi. Pas 75 vjeç, ky raport shkon 1 në 2 njerëz. Kërkuesit nuk e kuptojnë plotësisht pse dëgjimi ulet me moshën. Mundet të jetë ekspozimi ndaj zhurmave gjatë tërë jetës dhe faktorë të tjerë dëmtues që prishin mekanizmat delikate të veshit. Gjenetika gjithashtu luan rol. Zhurmat e ulin dëgjimin në qoftë se janë të larta ose të vazhdueshme. Në disa vende pune, veshët ekspozohen në zhurma të larta çdo ditë, të tilla janë: ushtria, minierat, fabrikat, bujqësia, transporti, klubet e natës.

Sa shqetësuese dhe e zakonshme është rënia e dëgjimit?

Rënia e dëgjimit është shumë e shpeshtë dhe shumica e njerëzve e kuptojnë që mund të prekë gjithsecilin nga ne, në çdo kohë gjatë jetës. Po të flasim për statistika, mund të themi se 20% e amerikanëve raportojnë disa shkallë të rënieve të dëgjimit. Në moshën 65-vjeçare, 1 nga 3 njerëz ka rënie dëgjimi. 60% e njerëzve me rënie dëgjimi janë persona aktivë. Rreth 2-3 në çdo 1000 fëmijë në Amerikë lindin me një rënie dëgjimi të detektueshme në njërin apo të dy veshët. Përreth 15% e fëmijëve të moshës shkollore ( 6-19 vjeç) kanë rënie dëgjimi.

Pse janë shtuar rastet tek moshat e reja?

1 në 5 adoleshentë ka rënie dëgjimi: mund të fajësohen kufjet e veshit. Sipas një studimi në gazetën e Shoqatës Amerikane Mjekësore, të dëgjuarit e muzikës me zë të lartë nëpërmjet kufjeve është probabilisht arsyeja kryesore pse një pjesë e mirë e adoleshentëve janë duke humbur një pjesë të dëgjimit. Kur ke një rënie dëgjimi në adoleshencë, rritet rreziku për të patur një rënie dëgjimi progresive gjatë plakjes. Rënia e dëgjimit afekton zhvillimin social dhe edukimin e adoleshentëve. Prindërit duhet të monitorojnë përdorimin e këtyre pajisjeve nga fëmijët e tyre. Nëse fëmija dëgjon muzikë dhe prindi që është afër mund të dëgjojë muzikën, kjo do të thotë se muzika është mjaft e lartë. Vitet e fundit, një grup me risk të lartë për të patur rënie dëgjimi janë punonjësit e call center.

Ata janë kryesisht mosha të reja, por që po shikohen rënie dëgjimi për shkak të ekspozimit për kohë të gjatë në zhurma (8 orë për 6 ditë të javës). Një tjetër rrezik i madh përveç ekspozimit për kohë të gjatë në zhurmë, është edhe shoku akustik i cili përcaktohet si ekspozim i menjëhershëm dhe bezdisës i tingujve të lartë. Një studim i bërë në Australi identifikoi se shoku akustik shkaktonte dhimbje koke, marrje mendsh, zhurmë në vesh dhe rënie dëgjimi pas punës. Për më tepër, disa profesione si muzikantët, policët e trafikut dhe ushtarët, konsiderohen si grupe me risk të lartë të ekspozimit ndaj zhurmave. Muzikantët janë veçanërisht të riskuar. Është puna e tyre që të dëgjojnë muzikën që ata prodhojnë dhe kjo mund të jetë > 135 dB, ndërkohë që bisedat normale zhvillohen në 60 dB. Ekzistojnë versione kufjesh për muzikantët që ata ta dëgjojnë muzikë si më parë, por më lehtë. Për nxënësit e shkollës së muzikës rekomandohet përdorimi i këtyre kufjeve.

Po tek fëmijët?

Bebet mund të lindin me rënie dëgjimi të rëndë, dhe fëmijët ose të rriturit mund ta fitojnë atë në një pikë të caktuar të jetës së tyre. Kjo mund të ndodhë menjëherë ose për shumë vite, në një ose në të dy veshët dhe mund të jetë e shkurtër ose që zgjat në kohë. Rreth 25% e rasteve me rënie dëgjimi është një shkaktar jo-gjenetik që mund të identifikohet. Rënia e dëgjimit jo-gjenetike shpesh shkaktohet nga sëmundje ose trauma para lindjes ose gjatë procesit të lindjes gjithashtu gjatë fëmijërisë për shkak të sëmundjeve apo traumave që mund të kalojnë. Faktorët e rrezikut për rënien jo-gjenetike rezultojnë nga një shumëllojshmëri e madhe e sëmundjeve apo problemeve gjatë lindjes.

Këshilla dhe parandalimi?

Parandalimi i rënies së dëgjimit konsiston në mbrojtjen e rënies së dëgjimit të induktuara nga zhurmat dhe të shmangim përkeqësimin e rënies së dëgjimit nga plakja.

Mbroni veshët në vendin e punës. Vendosja e tapave të dëgjimit mund të mbrojë veshët nga tingujt e lartë.

Testo dëgjimin rregullisht. Konsideroni testimin e rregullt në qoftë se punoni në një ambient të zhurmshëm. Testimi i rregullt mund të detektojë më herët rënien e dëgjimit.

Shkaktarët e rënies së dëgjimit konduktive janë të shumta. Mund të përmendim:

  • Keqformimet e veshit të jashtëm, kanalit të dëgjimit ose strukturave të veshit të mesëm.
  • Lëngu në veshin e mesëm (otit media me efuzion)
  • Infeksione të veshit (otit media akut)
  • Alergjitë
  • Disfunksion i tubit të Eustakut
  • Perforacion i membranës timpanike
  • Tumoret beninje
  • Tapat e dyllit
  • Trupat e huaj në kanalin e veshit
  • Infeksion i kanalit të jashtëm
  • Otoskleroza

Shkaktarët e rënies së dëgjimit sensorineurale janë:

  • Ekspozimi në zhurma të mëdha
  • Traumat e kokës
  • Viruse
  • Sëmundje autoimune të veshit të brendshëm
  • Rënie dëgjimi familjare
  • Rënie dëgjimi nga plakja (presbiakuzia)
  • Keqformime të veshit të brendshëm
  • Sëmundja Meniere
  • Tumoret

Gjenetistët e kategorizojnë rënien e dëgjimit në dy tipe:

1              Rënie dëgjimi jo-sindromike që ndodh pa ndonjë simptomë tjetër dhe këto përfshijnë 2/3 e rënies së dëgjimit gjenetike.

2              Rënie dëgjimi sindromike që ndodh me simptoma të tjera të rëndësishme.

Cilët janë ekzaminimet dhe si vendoset diagnoza?

Testet për të diagnostikuar rënien e dëgjimit përfshijnë:

1              Ekzaminimin fizik- kryhet vizite tek mjeku ORL për shkaktarët e mundshëm të rënies së dëgjimit si dyllë apo infeksion në kanalin e dëgjimit.

2              Testi i kamertonit- nëpërmjet këtij instrumenti metalik mjeku mund të identifikojë rënien e dëgjimit në njërin apo të dy veshët si dhe llojin e rënies së dëgjimit ( konduktive, sensorineurale apo mikse).

3              Audiometria- është një test i cili realizohet duke vendosur kufje në veshët e të sëmurit dhe drejtohen tinguj në secilin vesh. Testohen një grup tingujsh me tonalitete të ndryshme dhe pacienti duhet të tregojë se kur e dëgjon tingullin. Të dhënat hidhen në një grafik, të cilat interpretohen nga mjeku ORL duke përcaktuar shkallën e rënies së dëgjimit.

Trajtimi?

Trajtimi varet nga shkaku dhe thellësia e rënies së dëgjimit.

Opsionet përfshijnë:

1              Heqjen e dyllit. Bllokimi nga dylli është shkak i kthyeshëm i rënies së dëgjimit. Mjeku e heq dyllin, paraprakisht të trajtuar me vaj ose spray anti cerumen, nëpërmjet lavazhit ose aspirimit.

2              Procedurat kirurgjikale. Kirurgjia nevojitet kur ka trauma të veshit apo infeksione që kërkojnë vendosjen e tubave të ventilimit.

3              Aparatet e dëgjimit. Në qoftë se rënia e dëgjimit shkaktohet nga dëmtime të veshit të brendshëm (nervit të dëgjimit), aparati ndihmon për të bërë tingujt më të fortë dhe lehtësisht më të dëgjueshëm (amplifikon).

4              Implantet kokleare. Në qoftë se rënia e dëgjimit është e thellë, implanti koklear kompenson dëmtimet ose pjesët që nuk punojnë në veshin e brendshëm.

Përfitimet e trajtimit

Të trajtohesh për rënien e dëgjimit përmirëson cilësinë e jetës. Përdoruesit e aparateve të dëgjimit raportojnë këto përfitime:

1              Më shumë vetëbesim;

2              Marrëdhënie më të afërta me njerëzit e dashur;

3              Përmirësim të paraqitjes në përgjithësi;

4              Më pak depresion.