Rektori i komanduar i UT-së, Bernard Dosti, me punime plagjiaturë

Shahini i kalon detyrat e Konit, rektorit të përkohshëm të UT-së, Bernard Dostit. Studiuesit i gjejnë disa punime me plagjiaturë. Muka: Ky akt po legjitimon fenomenin, emërim politik. Kola: Punimi shkencor me 10 paragrafë të kopjuar. Lajmërojnë për një tjetër punim me plagjiaturë, që do të publikohet sot

Enida Vërça

Bernard Dosti është rektori i komanduar nga ministrja e Arsimit Besa Shahini, për Universitetin e Tiranës. MASR i ka kaluar të gjitha detyrat e rektorit Mynyr Koni, në emër të ish zv/rektorit të tij, i cili që prej ditës së djeshme mban postin më të lartë të UT-së. Dosti, pedagog i Shkencave Ekonomike, në fakultetin Ekonomik është një emër i lakuar në media, për shkak të plagjiaturës në disa punime shkencore, të denoncuara nga studiuesit Taulant Muka dhe Vladimir Kola. Në një prononcim për gazetën “Shekulli”, Muka thotë se me këtë emërim MASR po legjitimon fenomenin e plagjiaturës . “Me këtë akt, Ministrja e Arsimit po legjitimon publikisht plagjiaturën si fenomen duke e konsideruar « zhvillim pozitiv », në kundërshtim me çdo kod etik akademik. Asnjë akuzë ndaj z. Koni nuk ka vlerë pozitive dhe besueshmërie nëse Ministrja e Arsimit emëron një hajdut intelektual, si rektor”, thotë Muka.

MASR zgjodhi plagjiaturën

Në fjalën e tij, studiuesi bën me dije se MASR, ka pasur mundësi të zgjedhë një tjetër person për këtë post. “Ministrja e Arsimit kishte mundësi zgjedhje midis dy kandidatwve zv/rektor, znj. Gentiana Kera të diplomuar në Graz të Austrisë dhe z. Dosti. Përballë personit të arsimuar, Ministrja e Arsimit zgjodhi z. Dosti i cili simbolizon sistemin e korruptuar arsimor. Pyetja që i duhet bërë ministres sot është: Pse u zgjodh plagjiaturisti Dosti dhe jo znj. Kera si rektor?”, nënvizon ai. Në fjalën e tij, studiuesi Muka thotë se doktoratura e rektorit të komanduar nuk gjendet online dhe se udhëheqës i saj është dekani i Fakultetit Ekonomik, Dhori Kule. “Ministrja duhet t’i përgjigjet pyetjes: A ka lidhje Dhori Kule në këtë emërim, i cili është dhe udhëheqësi shkencor i z. Dosti; dhe pse doktoratura e z. Dosti nuk gjendet online? Po z. Kule, pse ka kundërshtuar vlerësimin e plagjiaturave të bërë deri me sot publike, dhe pse mbështetët sot publikisht nga qeveria?”.

Emërimi politik

Sipas studiuesit, emërim i përkohshëm i Bernard Dostit, si rektor i UT-së, është politik, duke pasur në këtë mënyrë nën kontroll institucion arsimor. Më tej ai shton se emërimi i tij, lidhet me zgjedhjet lokale të 30 qershorit. “Besoj se ky emërim është për të pasur kontroll mbi universitetin. Z. Dosti në pozicionin e rektorit, me një karriere akademike të ngritur mbi mashtrimin, nuk do mund të sigurojë integritetin akademik dhe vendosjen e standardeve në universitet”, sqaron ai. Sipas Mukës emërimi i një personi të tillë në kohën e zgjedhjeve lokale mund të jetë edhe njëherë tregues se si qeveria shqiptare tenton të kapë institucionet arsimore për zgjedhje dhe vota. “Ju kujtoj që numri me i lartë i titujve akademik në Shqipëri është dhënë në vitet kur kemi pasur zgjedhje lokale”, bën me dije studiuesi. Muka, thotë për “Shekulli”-n, se ditën e sotme do të nxjerr një tjetër punim shkencor të Dostit, i cili është po plagjiaturë.

Kola: 10 paragrafë plagjiaturë në një tjetër punim

Studiuesi dhe denoncuesi i plagjiaturave Vladimir Kola, thotë për “Shekulli”-n, se rektori Bernard Dosti në një punim shkencor, rezulton me 10 paragrafë të kopjuar. “Në këtë punim nuk i është dhënë kredeciali autorëve origjinal, sepse nuk është referuar studimi origjinal. Parimi i përgjithshëm është se po kopjove edhe një paragraf duhet ta referosh burimin origjinal, nëse nuk e referon quhet përvetësim i punimit të dikujt tjetër”, thotë studiuesi. Po ashtu ai sjellë edhe faktet se në cilat paragrafë dhe faqe ka kopjuar rektori i komanduar. “Zbulimi dhe analiza e plagjiaturës se artikullit shkencor me titull : “Financial Crisis Effect on Public Debt in Western Balkans Countries”, me autorë Adela Shera, Ledjon Shahini dhe Bernard Dosti, i publikuar në revistën “Journal of Knoëledge Management, Economics and Information Technology”, 2015, Vol. V, n. 1, faqet 1-17. Në artikullin në fjalë janë kopjuar 10 paragrafë nga një tjetër artikull shkencor me titull “The Effects of Economic Crisis in the Western Balkan Countries”, me autorë Radmilo Nikolić, Aleksandra Fedajev dhe Dejan Riznić, i publikuar në revistën Annals of The University of Oradea Fascicle of Management and Technological Engineering”, 2013, n. 2, faqet 188-194”, bën me dije ai.

Pezullimi i Konit

Në vendim i cili urdhëron pezullimin e rektorit Koni me firmën e ministres Shahini, thuhet: “Në mbështetje të pikës 4 të nenit 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë germës ‘e’ të pikës 2 të nenit 7 dhe të pikës 10 të nenit 39 të ligjit nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe në kërkim shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, urdhëroj: 1. Pezullimin nga detyra të rektorit të Universitetit të Tiranës, z. Mynyr Koni. 2. Pezullimi nga detyra bëhet me motivacionin: “Për shkak të shkeljeve të rënda të ligjit gjatë ushtrimit të detyrës”, bazuar në rekomandimet e dhëna nga grupet e punës, mbi bazën e kontrolleve të Ushtruara në Universitetin e Tiranës. 3. Caktohet, Z.Bernard Dosti, me detyrë Zvendësrektor në Universitetin e Tiranës, që të zëvendësoj rektorin e pezulluar, deri në përfundimin e çështjes me vendim të formës së prerë. 4. Ngarkohet për zbatimin e këtij Urdhri, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Drejtoria e Përgjithshme e Politikave dhe Zhvillimit të Arsimit Sportit dhe Rinisë dhe Universitetit të Tiranës. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë”.

Dekanët e UT-së në krah të ministres: Shkarkimi i Konit, i vonuar

Pas pezullimit të rektorit të UT-së Mynyr Koni, dekanët e këtij universitetit kanë dal në një konferencë për mediat, duke e konsideruar si të vonuar veprimin. Sipas tyre, vendimi duhej marrë më herët, pasi Koni ka pasur shkelje të shumta ligjore. Nga Fakulteti i Ekonomisë, Dhori Kule dekan i këtij institucion e cilësoi një zgjidhje të vonuar dhe se janë konstatuar majat shkelje. “Ministrja e Arsimit përmes urdhrit ka konfirmuar pezullimin nga detyra të Rektorit të Universitetit të Tiranës dhe zëvendësimin me zëvendësrektorin Berndard Dostin. Dua ta vlerësoj këtë qëndrim në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën. U bë kontroll nga ministria dhe situata e zgjidhjes së problemit është vonuar shumë. Pas një viti e gjysmë ligji më së fundi gjeti dritën jeshile, është respekt i Ligjit të Arsimit të Lartë dhe Kushtetutës”, tha Kule. Ai tha se u desh dhe protesta e studentëve që t’i jepte impakt pozitiv zgjidhjes së këtij problemi dhe deri më sot këtë e ka mbajtur peng politika. “Komentet dhe interpretimet politike e kanë vonuar situatën dhe sot pas reagimit të studentëve. Ministrja e re e Arsimit nuk është mesa duket pjesë e sjelljes politike, është më e ftohtë në qëndrimin ndaj ligjit, arriti të marrë një vendim të tillë eficient”. Nga ana e tjetër, dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Artan Hoxha tha se vitet fundit ka pasur një problem të rëndë të administrimit institucional ku drejtimi i universitetit qenë me një mentaliteti të vjetër, të një drejtimi hierarkik pa zbatuar kompetencat dhe deklarimet kushtetuese sesi funksionon institucioni i Arsimit të Lartë i cili është autonom së jashtmi dhe së brendshmi. “Nuk është mirë për IAL-të që të ketë ndërhyrje në administrimin e tyre por është shumë mirë që në zbatim të autonomisë kushtetuese, ligjore, statutore nëse gjërat nuk funksionojnë siç duhet, e keqja apo paligjshmëria të ndërpritet”, tha Hoxha, ndërsa theksoi se një nga mënyrat e parashikuara është pezullimi i drejtuesit me urdhër të ministres. “Ministrja të shtunën ka bërë hapin e parë pasi ka verifikuar prej gati një viti paligjshmëritë e Rektorit të Universitetit të Tiranës. Hapi i dytë është ti propozojë Presidentit të Republikës shkarkimin e Rektorit. Është në vlerësimin e Presidentit nëse ai i vlerëson të tilla shkeljet njësoj si Ministri përkatës me qëllim që ai të mbajë pozicionin e tij në lidhje me shkarkimin e Rektorit nga detyra. Unë vlerësoj se sjelljet janë aq të hapura, aq të dukshme, aq të rënda sa që asnjë lloj “autonomie” nuk do ta mbronte një individ që e shkel hapur ligjin në emër të autonomisë”, deklaroi ai. “Një nga mënyrat që ka parashikuar ligji për arsimin e lartë është që drejtuesi i një institucioni publik mund të pezullohet me urdhër të Ministrit, kur Ministri konstaton shkelje të hapura të Ligjit për Arsimin e Lartë apo legjislacionit në përgjithësi. Ka një vit e ca që është punuar për konstatimin e këtyre shkeljeve të pretenduara. Është e vonuar MAS në nxjerrjen e përfundimit final, por më mirë vonë sesa kurrë. Ajo që Ministrja ka urdhëruar nuk shkel autonominë universitare, por e garanton nga paligjshmëria dhe sjelljet e kundërligjshme. Autonomia nuk është dhënë si pavarësi në zbatimin e ligjit por garanci për zbatimin e ligjit. Zbatimi i ligjit është detyrim dhe jo vlerësim”, tha Hoxha. Duke renditur disa prej shkeljeve të Ligjit të Arsimit të Lartë nga ana e rektorit Koni, Hoxha deklaroi se janë marrë kompetenca të administratorëve, janë nënshkruar kontrata financiare nga Rektori i Universitetit që nuk ka asnjë kompetencë në drejtim ashtu siç nuk kemi as ne dekanët një kompetencë e tillë megjithëse na është kërkuar të zëvendësojmë administratorët tanë gjë që nuk e kemi bërë. “Janë marrë njerëz në punë në kundërshtim me ligjin, janë penguar funksione të rëndësishme të strukturave përbërëse të UT, janë kryer veprime të hapura në kundërshtim me ligjin sikurse raporti i fundit i MAS prej 100 faqesh tregon për veprimtarinë e Universitetit dhe në veçanti të Rektorit”, tha ai. Edmond Rapti, dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale shtoi se problemet që ka funksionimi dhe organizimi i Universitetit të Tiranës janë probleme që ne si dekanë i kemi bërë prezentë në strukturat e rektoratit, por duke gjetur veshin e shurdhër i kemi ngritur në shtyp dhe në Ministrinë e Arsimit. Edhe dekani i Gjuhëve të Huaja, Artur Sula, deklaroi se problemet me në Universitetin e Tiranës kanë qenë të shumta, si pasojë e një udhëheqjeje jo të duhur.

Luçiano Boçi: Pezullimi i Mynyr Konit, në shkelje me ligjin

Pezullimi i rektorit Koni, ka sjellë shumë reagime nga politika shqiptare. Ka qenë ish-deputeti i PD-së. Luçiano Boçi, i cili nga selia blu, nëpërmjet një deklarate për median e ka cilësuar si jo legjitim këtë vendim, duke kërcënuar autonominë e universitetit. “Ministrja e Arsimit, Besa Shahini fatkeqësisht i ka vënë minat Autonomisë Universitare me një vendim që tregon padurimin për të zëvendësuar Rektorin e Universitetit të Tiranës me militantët partiak apo pazarxhinj të pushtetit. Me të drejtë shumë kolegë nga bota universitare raportojnë se Edi Rama po kërkon të vejë sot me Universitetin e Tiranës atë që nuk mundi të bëjë dot me Shullazin 3 vite më parë, për të vendosur në kontroll politik çdo hallkë të Universitetin e Tiranës”, tha Boçi. Ish-deputeti sqaron se Ligji nuk parashikon asnjë komandim dhe asnjë ekzekutim shkarkimi, pa fjalën e Presidentit. Rama me ministren e tij profane, marrin kontrollin e Universitetit të Tiranës me dhunë, jashtë çdo ligji e Kushtetute. Në një akt të paprecedent antikushtetues dhe antiligjor, Ministrja e arsimit, Shahini pezullon e shkarkon, Rektorin e UT. Në të njëjtin urdhër bakalli, ka komanduar Rektorin e ri. Nenet që i referohet urdhri, nuk i japin asaj tagër ligjor për të dy vendimet. Por siç duket Ministrja ka shumë probleme me kuptimin e shqipes. Jo vetëm. I duket vetja Shullazja e qeverisë. Ka probleme dhe me kuptimin e rolit që ka. Sipas nenit 39, pika 10, të cituar në Urdhër, Ministrja i propozon shkarkimin e Rektorit, Presidentit. Në rast mosshprehje nga ana e tij, për një muaj shpall zgjedhjet. Këtë e thotë neni 39/10, troç e shqip. Pra, Ligji nuk parashikon asnjë komandim dhe asnjë ekzekutim shkarkimi, pa fjalën e Presidentit. Por Shahini ecën në gjurmët e urdhrat e Ramës. E të dy përfitojnë nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese. I duket Ligji si letra e munguar higjenike e Ministrisë së Arsimit. Por, së shpejti do përfundojnë vetë si të tillë!”, thotë Boçi. Edhe ish-deputetja e PD-së, Albana Vokshi, thotë se MASR ka shkelur ligjin me këtë vendim. “Pezullimi dhe kërkesa për shkarkim e Rektorit të Universitetit të Tiranës është antikushtetuese! Ajo bie ndesh me nenin 57 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenin 3 të ligjit për Arsimin e Lartë, që garantojnë Autonominë Universitare. Edi Rama nuk shqetësohet aspak për ligjet që shkel vetë çdo ditë ai dhe ministrat e tij për të vjedhur qytetarët dhe për të dhunuar të drejtat e tyre. Edi Rama është hipokrit. Shqetësimi i tij i vërtetë nuk është shkelja e ligjit, sepse ai e ka lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë funksionale. Edi Rama kërkon të uzurpojë çdo pushtet, si çdo i ngjashëm i tij autoritarist, i korruptuar dhe arrogant”, thotë mes të tjerash Vokshi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Shqipëri, narko shtet

Revista politike “Spiegel” raporton për sjelljen alarmante të qeverisë  socialiste në Shqipëri, me kryeministër Edi Ramën dhe ministër Lleshajn etj….

Abissnet