Regjistrimi i banesave para vitit 1991, nis aplikimi

ALUIZNI hap procedurat për të pajisur me certifikata, banesat e ngritura para vitit 1991. Preken 3 kategori ndërtesash, ndërsa aplikohen dy tarifa sipas sipërfaqes. Nga data 17 shtator, nis plotësimi i formularëve nga qytetarët

Neritan Gjergo

Nga data 17 shtator, do të nisë procesi për regjistrimin e banesave të ngritura para vitit 1991, sipas vendimit të miratuar në muajin korrik nga qeveria. Lajmin e bën të ditur Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame i cili në një dalje për mediat tha dje se janë 40-60 mijë familje, të cilat do të gjejnë zgjidhje për banesat e tyre, të cilat nuk kanë dokumente pronësie për arsye konfliktesh, djegiesh, tjetërsimesh etj. “Vendimi i Këshillit të Ministrave shërben si bazë ligjore për dhënien e dokumentit të pronësisë pronarëve të objekteve të ndërtuara para vitit 1991, në të gjitha ato raste kur ky dokument mungon. Pra, qëllimi i këtij vendimi është të formalizojë një kategori pasurish të paluajtshme, të cilat edhe pse fizikisht ekzistojnë dhe zotërohen prej dekadash, pronarët e tyre nuk kanë pasur dokumentacion të mirëfilltë pronësie, duke mos i gëzuar asnjëherë ligjërisht. Mjafton të kujtoj këtu absurdin që, edhe qytete si Gjirokastra, Shkodra, Berati, Elbasani apo Korça, i kanë ende të pa pajisur me dokumente pronësie shumicën e pronarëve të banesave në lagjet mesjetare të tyre”, u shpreh Lame. Për të mos krijuar radhë të gjatë në sportelet e ALUIZNI-t, Lame kërkoi që fillimisht të aplikojnë ata qytetarë që e kanë me ngut marrjen e lejes, pra ato familje që kërkojnë të shesin banesat, e më pas të aplikojnë të tjerët. Sipas Lames, tashmë që procesi i legalizimeve ka hyrë në fazën përmbyllëse të tij, procesi i regjistrimit të banesave para vitit 1991, do të jetë sfida e radhës e institucionit. Risitë kryesore të vendimit të miratuar së fundmi janë: 1. Lehtësimi i barrës së aplikuesit, nga detyrimet dhe dokumentacioni i tepërt, (aplikuesi tanimë do të duhet të paraqesë vetëm një numër shumë të kufizuar dokumentesh pranë ALUIZNI-t); 2. Zgjidhja e të gjithë pamundësisë së deritanishme, për të provuar periudhën e ndërtimit (para datës 10.8.1991), gjë që ka penguar finalizimin e procedurës; 3. Kalimi i pronësisë së truallit të ndërtesës falas deri në 300 metra katrore, si dhe mundësia për të blerë sipërfaqet mbi këtë masë.
Aplikimi

Duke filluar nga e hëna, 17 shtator, të gjithë qytetarët e interesuar për regjistrimin e banesave të tyre të ndërtuara përpara vitit 1991, do të mund të fillojnë të paraqiten pranë sporteleve tona për të aplikuar. Ndërkohë mund të fillojnë nga grumbullimi i dokumentacionit që ata posedojnë, leje ndërtimi të vjetra, akte pronësie, skica genplane, akte shitblerjeje apo posedimi, vendime të vjetra të Këshillave Popullore, apo dokumente të tjera provuese të çdo lloji dhe kohe. Formularët e aplikimit mund të plotësohen pranë Drejtorive Rajonale në të gjithë Shqipërinë. Gjithashtu ato mund të shkarkohen direkt nga faqja zyrtare dhe profili në Facebook i ALUIZNI-t.

Situata
Për herë të parë, shteti shqiptar filloi procesin e regjistrimit të banesave në vitin 1995. Kjo u bë asokohe me VKM 432 dt. 14.08.1995 “Për procedurat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme në zonën urbane të fshatit”.
Ky vendim është aplikuar në atë kohë në masë minimale në disa zona rurale dhe, sikurse kuptohet nga vetë titulli, nuk e trajtonte problemin për të gjithë territorin e vendit, por ofronte një zgjidhje të pjesshme vetëm për fshatrat. Më pas, është vijuar me VKM 608 datë 05.09.2012, i cili gjithashtu nuk e ka realizuar dot qëllimin e tij gjatë këtyre gjashtë viteve. Arsyet e dështimit të këtyre dy vendimeve të kaluara, lidhen së pari me mungesën e kapaciteteve njerëzore, por në shumë raste edhe të vullnetit, apo neglizhencën e njësive të qeverisjes vendore, të cilat kanë qenë organet e ngarkuara me kryerjen e këtyre procedurave.

Bllokimi

Në vitin 2013, qeveria mori vendimin e parë për legalizimin e të gjithë godinave dhe kateve  që rezultonin pa dokument pronësie , të cilat i hapën dje rrugën  për fazën e dytë, atë të hipotekimit. Por, deri më sot ka pasur një sërë pengesash, jo vetëm ligjore, por edhe bllokime për shkak të konflikteve, bllokimit dhe vonesave nga ana e institucioneve përgjegjëse apo edhe probleme me dokumentacionet. Përgjithësisht, pallatet e ndërtuara para vitit 1991 nuk e kanë pasur problemin e atyre të ndërtuara në tranzicion, por shtesat pa leje, djegia e dokumenteve  dhe konfliktet e pronësisë që lindën në këtë periudhë kanë rihapur edhe njëherë detyrimin për t’u dhënë një zgjidhje banorëve që jetojnë në ndërtesa kolektive. 

INSTAT

Tregtia me pakicë, paratë shkojnë për naftë e benzinë

Në periudhën prill-qershor, familjet shqiptare kanë rritur shpenzimet e tyre për naftë dhe benzinë. Ndërkohë, shpenzimet për ushqime, fruta e perime kanë mbetur të njëjtat, me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Është Instituti i Statistikave i cili ka bërë publike të dhënat e shpenzimeve për familjet shqiptare, ku bie në pah fakti, se bilanci i shpenzimeve ka shkuar më shumë për karburant sesa për ushqime. Më konkretisht, INSTAT thonë, se në tremujorin e dytë 2018, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë shënoi 135.8 duke u rritur 2,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017. Krahasuar me tremujorin paraardhës, ky tregues i përshtatur sezonalisht është rritur 2,4 %

Ndryshimi vjetor

Në tregtinë me pakicë, pa përfshirë këtu tregtinë me pakicë të hidrokarbureve, indeksi i volumit të shitjeve ka pësuar një rritje prej 1,2 %, kundrejt të njëjtit tremujor të vitit të mëparshëm. Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, indeksi i volumit të shitjeve, është rritur 1,2 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2017. Indeksi i volumit të shitjeve, për grupin “Artikuj jo-ushqimorë në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara”, është rritur 1,4 %, kundrejt të njëjtës periudhë të vitit paraardhës. Në grupin “Tregti hidrokarburesh në njësi tregtare të specializuara“, indeksi i volumit të shitjeve është rritur 5,3 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2017.

Ndikimi i grupeve në tregtinë me pakicë

Ndryshimi vjetor indeksi i volumit të shitjeve, në tregtinë me pakicë në tremujorin e dytë 2018 është +2,4 %. Grupet të cilat kanë ndikuar janë: grupi “Ushqime, pije e duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara” +0,3 pikë përqindje, grupi “Artikuj jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara” +0,6 pikë përqindje dhe grupi “Tregti me pakicë e Hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara” +1,5 pikë përqindje.

Ndryshimi tremujor
Në tremujorin e dytë 2018, indeksi i volumit të shitjeve i përshtatur sezonalisht, në grupin “Tregti me pakicë, pa përfshirë këtu tregtinë me pakicë të hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara”, është rritur me 3,6 %, krahasuar me tremujorin e parë 2018. Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, indeksi i volumit të shitjeve përshtatur sezonalisht, është rritur me 5,3 % krahasuar me tremujorin paraardhës. Indeksi i volumit të shitjeve përshtatur sezonalisht në tregtinë me pakicë, për grupin “Artikuj jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara”, është rritur 1,2 % kundrejt tremujorit të mëparshëm. Në grupin “Tregti me pakicë hidrokarburesh në njësi tregtare të specializuara“, indeksi i volumit të shitjeve përshtatur sezonalisht është rritur 2,3 %, kundrejt tremujorit të parë 2018.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet