Regjistrat e nxënësve zëvendësohen me fletoret e mësuesve (FOTO)

Publikuar më 08. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Lindita Bushgjokaj

Si ka ndryshuar vlerësimi i dokumentuar i nxënësve. Nga regjistrat tradicionalë dhe zyrtarë te fletoret që mësuesi i merr në shtëpi. Qëndrimet pro dhe kundër projektit që aplikohet prej dy vitesh dhe frika se notat mund të ndryshohen sipas dëshirës. Eksperti i arsimit parashikon fundin e eksperimentit

Në shkollat 9-vjeçare dhe në gjimnaze nuk përdoren më regjistrat për vlerësimin e nxënësve, pasi ato janë kthyer thjesht një formalitet, ku vendoset emri, mbiemri dhe mungesat. Në gjimnaze ka dy vite që mësuesit punojnë me fletore personale, ndërsa në shkollat 9-vjeçare ka 3 vite që mësuesit punojnë më këtë mënyre vlerësimi. Nëse më parë nota që hidhej në regjistrin kryesor ishte e pandryshuar, tani ato janë relative me mënyrën e re të vlerësimit të përcaktuar nga Ministria e Arsimit, ku në fund të vitit rezultojnë vetëm 9 nota, që i bie nga një notë në muaj.

Kjo është cilësuar si një filozofi vlerësimi nga ana e tyre dhe si notë përfundimtare merret parasysh nota progresive dhe jo  aritmetike siç ishte më përpara. Mësuesi Gëzim Meshaj, nga gjimnazi “Tinka Kurti” në Tropojë e shikon këtë mënyrë vlerësimi si një mundësi që mësuesit mund të abuzojnë me notat e nxënësve. Madje rreziku është më i lartë për nxënësit që kërkojnë të rritin mesataren për në fakultet.

“Kjo mënyre e re vlerësimi, krijon mundësi që të abuzohet me notat, por edhe korrupsion, pasi nxënësit që duan të shkojnë në shkollë të lartë, mund të thonë:  Mësues, mos ma nxjerr 7, por 10 dhe në shkëmbim të jap lekë, ndërsa, nëse nota do vendosej në regjistrin kryesor, ti nuk mund të bësh asgjë, pasi nuk e ndryshon dot. Kush e kontrollon fletoren që mësuesi mban në çantë?

Ka 3 vite që notat nuk hidhen në regjistër dhe në fund të 3-mujorit nxirret nota”. Nxënësit e shkollave të kryeqytetit kanë mendime të ndryshme për këtë formë vlerësimi. Disa e cilësojnë si negative, duke e konsideruar notën si pronë të mësuesve, e cila varet nga marrëdhënia e mirë që ata duhet të krijojnë me mësuesit. Kështu tregon për “Shekulli”-n, një nxënësja e gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, e cila preferoi t’i mbetet emri anonim. “Ky lloj vlerësim nuk është transparent, sepse te fletorja e mësuesit nuk janë të sigurta notat.

Ai mund ta ndryshojë rezultatin. Varet si i ke marrëdhëniet me mësuesin. Ne jemi vetëm në vit të parë, por mund të ndodhë gjithçka”. Ndërsa Ambra Xhafaj, nxënëse e këtij gjimnazi, tregon se i pëlqen kjo mënyrë vlerësimi, pasi mësuesit nuk i japin shumë vlerë notës dhe rezultati mund të ndryshohet më lehtë me notat, që mbajnë mësueset në fletoren e tyre personale. “Mua më pëlqen kjo mënyrë vlerësimi, sepse në regjistrin kryesor nota nuk ndryshohet, ndërsa mësueset në fletoren e tyre nuk është se i japim shumë vlerë notës. Mund të marrësh 4, 5 apo 6 dhe ne kemi mundësi ta ndryshojmë rezultatin.

Përderisa kështu është vendosur nga më të mëdhenjtë, mendoj se është më e drejtë. Ndoshta nuk e kuptojmë mirë si funksionon, pasi jemi në vit të parë”-thotë Ambra. Ndërsa Marsela Bicja, tregoi se nuk na vendosin nota në regjistër dhe e lumturon fakti, që mësueset nuk i marrin parasysh notat e ulëta. “Zakonisht nuk na vendosin nota fare, ose ndonjëherë vendosin tek fletorja e shënimeve. Ne nuk na vendosin 4, prandaj jemi shumë të lumtur për këtë mënyrë vlerësimi”.

Më të shqetësuar për këtë problem janë prindërit, pasi jo vetëm që nuk ju pëlqen kjo metodë vlerësimi, por as që janë në dijeni të këtyre ndryshimeve që kanë ndodhur në arsimin 9-vjeçar dhe të mesëm. Nëna e Marselës, e cila priste tek porta e shkollës, kishte qenë në disa mbledhje, por nuk i kishin thënë asgjë për këtë ndryshim në vlerësimin e nxënësve dhe u habit, kur vajza i tregoi, se ka kohë që regjistrat nuk funksionojnë për të vendosur nota. Madje, ajo tha se ka dhe një vajzë në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”, e cila kishte marrë një notë të ulët pa dijeninë e saj dhe thotë se, kjo metodë vlerësimi nuk shërben për të treguar nivelin e nxënësve, pasi vajza është e notës dhjetë dhe zysha i kishte vendosur notën gjashtë.

“Ne nuk kemi bërë një mbledhje me prindër për këtë problem, pasi as që jam në dijeni. Në mbledhjet që kemi bërë, nuk është diskutuar asnjëherë problemi i notave. Kam dhe vajzën tjetër tek gjimnazi “Petro Nini” dhe ka dalë një metodë e çuditshme vlerësimi me pluse dhe minuse. Madje në gjeografi kishte marrë një gjashtë, në një kohë që fëmija im është e notës 10. Vajza u mërzit shumë dhe mësuesja i kishte thënë se: Të kam pyetur njëherë dhe nuk je përgjigjur, ndërsa vajza nuk e mbante mend këtë notë. Nuk e di se çfarë po bëhet”!

Edhe me regjistrat e vjetër, ekzistonte rreziku i korrupsionit për notën

Drejtoresha e gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, Teuta Braçaj, tha se është viti i dytë që janë bërë këto ndryshime, duke bërë të ditur se kjo metodë vlerësimi është në formë progresive. Ajo gjithashtu theksoi, se korrupsioni është një fenomen që varet nga ndërgjegjja e çdo mësuesi, por është e vështirë të ndodhë, sipas saj, sepse një herë në çdo muaj mbledh fletoret e tyre dhe i ruan me fotokopje. Nga ana tjetër, këtë siguri e lidh me idenë, se mësueset nëse bëjnë ndryshime në nota, i bie të ndryshojnë fletore çdo ditë, duke mos e konsideruar problematik përdorimin e fletoreve personale.

Vitet e fundit nuk po përdoren regjistrat për vlerësimin e nxënësve, por notat shënohen në fletoret personale të mësuesve. Pse janë bërë këto ndryshime?

Në gjimnaz është viti i dytë që është vendosur kjo mënyrë vlerësimi. Vjet ka filluar kurrikula e re. Këtu punohet vetëm me një regjistër kryesor, ku shënohen vetëm temat e mësimit dhe mungesat, ndërsa një herë në 3 muaj, nxënësi vlerësohet me test, ku hidhen notat e testit, vlerësimi me portofol, që janë detyrat që ka dhënë mësuesja gjatë këtyre 3 muajve, ku vlerësohen njohuritë e tyre, dhe vlerësimi i vazhduar, i cili hidhet në një kolonë në fund të 3 muajve. Notat që nxënësit kanë marrë gjatë këtyre 3 muajve, nuk hidhen në regjistrin zyrtar, por në fletoren personale që ka mësuesi.

Notat që hidheshin në regjistër nuk ndryshoheshin, ndërsa tani me përdorimin e fletoreve, a mund të flasim për abuzim në mënyrën e vlerësimit?

Edhe këto nuk ndryshojnë. Sot është pikërisht dita që unë kam mbledhur fletoret personale të mësuesve. I fotokopjoj për të parë vlerësimin që kanë vendosur gjatë këtij muaji shkollë. Nga ana tjetër, këto nota që vendosen këtu nuk mblidhen ashtu siç bëhej dikur, ku bëhej mbledhja e gjitha notave dhe dilte mesatarja, por shikohet sesi ecën  nxënësi në mënyrë progresive, ku në fund i vihet nota e mirë, duke mos marr parasysh notat e mëparshme, 6, 5 apo të tjera. Unë e shikoj notën, ku nga njëra anë është një lloj kontrolli, por nga ana e tjetër nuk e penalizon, sepse nota të ndrydh. Regjistri i mësuesit dorëzohet një herë në muaj. Pse muaj për muaj do të rrijë mësuesi të ndryshojë fletore, të shkruajë emrat dhe vlerësimin për secilin nxënës?

Notat në regjistër janë më të sigurta. Ndërsa, nxënësit që duan të sigurojnë një mesatare të lartë për në fakultet, mund t’i ndryshojnë notat, nëse mësuesi bashkëpunon?

Nëse flasim për anë korruptive këto janë të gjitha në ndërgjegje të çdo mësuesi dhe të njerëzve që na rrethojnë. Edhe me regjistrat e vjetër, ekzistonte rreziku i korrupsionit tek pjesa e notës, pasi mesatarja e nxënësve për shkollë të lartë është kërkuar dhe më përpara.

Fatmir Vejsiu: Kjo metodë nuk do ta ketë jetën të gjatë

Sipas Fatmir Vejsiut, ekspert i arsimit, problemi kryesor qëndron tek kualifikimi i mësuesve, ndërsa vlerësimi që bëjnë ata bëhet në regjistra të “improvizuar”, që nuk janë dokumente zyrtarë. “Vlerësimi i vazhduar përmban veprimtarinë ditore të nxënësit. Aty futen vlerësimet me teste apo mini-teste, vlerësimet me gojë, shënime për qëndrime të nxënësit ndaj mësimit, vlerësime për të cilat mësuesi duhet të bëj komentin përkatës. Ky vlerësim evidentohet në “regjistra” të improvizuara nga mësuesi, pra jo në një dokument zyrtar siç jemi mësuar ta konsiderojmë atë objekt.

Në vitin e parë, mësuesit edhe gjetën mundësinë për ta krijuar atë element të vlerësimit, pasi do ta përdorte vetëm për një klasë. Një mësues historie, për të plotësuar normën mësimore, duhet të zhvillojë mësim në 12-14 klasa, gjë që bën që “regjistri” në fjalë të jetë voluminoz dha aspak efektiv. Shqetësim është krijimi, plotësimi dhe vlerësimi i portofolit. Nuk ka një orientim të saktë mbi atë çka duhet të përmbajë një dokument i tillë, dhe aq më shumë nuk ka instrumente për vlerësimin e tij.

Këtu kemi të bëjmë jo me abuzim apo korrupsion, por më shumë me mungesë kualifikimi të mësuesve. Dihet që kualifikimi, në masën më të madhe është përgjegjësi e organeve drejtuese të arsimit. Edhe pse pretendohet, se është bërë pilotimi në disa shkolla të vendit për implementimin e këtyre elementëve, dyshoj se ajo bëhet sipërfaqësisht dhe nuk merret mendimi i grupeve të interesit, mësuesve dhe drejtuesve të shkollave. Mendoj se është një metodë, që nuk do ta ketë jetën e gjatë, jo për faktin se mund të quhem skeptik (nuk shquhem për këtë dukuri), por bashkë me kurrikulën edhe ajo do të ndryshojë.