Regjisori Adonis Filipi çon “Elektrën” e Sofokliut në Kinë (FOTO)

Foto 1 nga 3 Pas Para

Nga Anila Dedaj

Shfaqja në sallën e teatrit “Shandog Drama” u ndoq nga 500 spektatorë. Kritika kineze vlerëson me superlativa versionin bashkëkohor të  “Elektrës” duke kërkuar që rrugëtimi i kësaj shfaqjeje të vazhdojë në qytete të tjera

Një version i ri i tragjedisë së lashtë greke “Elektra”, vënë në skenë nga Adonis Filipi,  bëri për vete publikun e teatrit “Shandog Drama Assocacion” në Jinan, Kinë. Regjisori dhe dramaturgu shqiptar, Adonis Filipi së bashku me koreografen maqedonase Risima Risimkin me shfaqjen e tyre mbushën sallën më shumë se 500 njerëz, ku audienca ishte kryesisht moshë e re. Kritika kineze u shpreh me superlativa duke theksuar se “në fytyrat e publikut u reflektuan emocione të ndryshme që kjo tragjedi përcolli, si gëzim, zemërim dhe trishtim”.

Mëkati, krimi, hakmarrja , dhimbja dhe sfidat etike, morale, sociale dhe estetike bënë që “Elektra” e dramaturgut të lashtë grek Sofokliut të arrinte në kulmin e vet. Gjuha fizike përmes lëvizjeve koreografike dhe interpretimi i ndjerë sipas medieve në Kinë shënuan një referencë të rëndësishme për të konsideruar zhvillimin dhe vlerën artistike të krijimit bashkëkohor të dramave. Në një ndërthurje të performimit me modën, kostumografinë dhe lëvizjet Filipi tanimë ka arritur të krijojë një version kinez të “Elektrës”.

Është vlerësuar mjaft zgjedhja për ta sjellë aktorin dhe audiencën më pranë në distancë, ritmi i shfaqjes si dhe atmosfera emocionale që mundi të ngërthejë vëmendjen e publikut. Gjatë fundit të premierës në fjalën e tij dramaturgu shqiptar është shprehur së “Kultura mund t’i sjellë njerëyit më pranë”. E vlerësuar nga kritika si një shfaqje që ruan kulturën kineze por duke e lejuar atë të mësoj nga arti ndërkombëtar, “Elektra” do të vazhdojë të shfaqet në qytete të tjera të Kinës si dhe në vende të Evropës Qendrore dhe asaj Juglindore.

Si lindi ku bashkëpunim?

Ideja e këtij bashkëpunimi lindi dy vite më parë, kur së bashku me një sërë specialistësh teatri nga vendet e Evropës Juglindore dhe asaj Qendrore ishim ftuar për një takim në Kinë. Kjo vizitë shërbeu si pikë kontakti dhe  përgjatë një viti, “Shandog Drama Theater” i qytetit Jinan shprehu  interes për  punët e mia skenike .Më ftuan paraprakisht në fillim të këtij viti për t’u njohur me teatrin edhe për të konkretizuar marrëveshjen e punës .Gjatë vizitës së parë, në takimin me trupën realizova dhe një ‘ëorkshop’, fokusuar në shprehitë fizike. Por dua të nënvizoj se sot rrugët e informimit dhe promovimit përmes internetit e kanë bërë shumë efikas komunikimin dhe në aspektin e tregut artistik në një kontekst global.

 “Elektra” ishte zgjedhja juaj apo?

Zgjedhja e veprës  erdhi nga  vetë teatri. Ata shfaqën interes të punoja “Elektrën”. E mirëprita, edhe pse e kisha punuar këtë vepër  me dashuri 10 vite më parë me trupën e Teatrit Kombëtar, përsëri tek çdo krijues ngelet diçka e pa bërë apo për t’u përmirësuar dhe realizuar edhe më bukur. E pranova me kënaqësi propozimin dhe për një arsye fondamentale që mbart dramaturgjia mbështetur në mit, aftësia e saj ripërtëritëse në kontekstin e krijimit. Pra sa herë që i rikthehesh, ekziston mundësia  për të zbuluar anë të panjohura, të cilat padyshim provokojnë dhe motivojnë kërkimin estetik.

Çfarë përfaqëson në kuptimin artistik ky bashkëpunim (me artistë të Kinës) për ju?

Është një eksperiencë e vyer ,intriguese, për më tepër të punosh me aktorë e artistë që mbartin ‘backgraund-e’ të ndryshme kulturore. Për më tepër që bëhet fjalë për një audiencë më të gjerë se ajo kombëtare. Dhe në këtë projekt veç artistëve kinez kisha përzgjedhur si bashkëpunëtorë dhe koreografen e mirënjohur të lëvizjes Risima Risimkin. Puna jonë duke qenë një punë kolektive përbën njëkohësisht përftim për të dy anët. Pra artisti ka mundësi të jap dhe të marrë, dhe kur bashkëpunimi rezulton i suksesshëm të motivon pse jo, edhe për më tej.

A mund të flasim për një koncept ndryshe regjisorial?

Mendoj se fokusi konceptual nuk ka ndonjë ndryshim esencial ,pasi ai priret sërish në gjetjen e një lidhje  bashkëkohore në krijimin e botës së shfaqjes; pra jo vetëm në fuqinë e fjalës së Sofoklikut, por dhe në shumëllojshmërinë  e veprimit fizik.

Ajo  që bën ndryshimin është se ky koncept është ridimensionuar në dobi të rizbulimit  të ideve  që mbart vetë vepra Sofokliane, si një vepër e meditimit të gjendjes njerëzore. Një arenë jo vetëm për sakrificën ndaj ruajtjes së vlerave njerëzore, me të gjitha forcat e trupit dhë të shpirtit, por edhe një portë për tu ngritur e për më tepër për të zbuluar trupin e shëmtuar të mëkatit njerëzor. Një mëkati që  kalon nëpër kohë si një mumie, ashtu e paturpshme, e frikshme dhe kërcënuese; ndaj krimit dhe tradhtisë. Rruga e rizbulimit duhet të bëhet si një mënyrë e pastrimit shpirtëror.

Po kultura e aktorëve kinez, krahasuar me tanët, a ka ndryshime gjatë punës?

Trupa e “Shandog Drama Assocacion” është një trup me rreth 70 aktorë kryesisht të rinj. Edhe pse ne vijmë nga metodologji të ndryshme pune, procesi tregoi se diferencat kulturore u bënë shumë të vogla ,ose për të thënë të papërfillshme. E rëndësishme ishte dëshira, energjia dhe puna e pafund e aktorëve. Duke qenë që dhe estetika e shfaqjes shkon drejt një performance vizuale që veç fjalës mbështetet te lëvizja, tingulli, muzika, përdorimi i korit përmes ikonografisë, të bën që bashkëpunimi  të  ishte me i lehtë me aktorët, e padyshim dhe komunikimi me audiencën. Në teatër regjisori ndihej si në fronin e vet ku çdo detyrë e tij përkthehej  me punë.

Së fundmi, kjo shfaqje është menduar vetëm për në Kinë, apo do të lëvizë dhe në vende të tjera?

Sipas drejtuesve të “Shandog Drama Theater”,  është menduar që “Eklektra” përgjatë vitit 2018  të ketë një tur edhe në 20 qytete të Kinës, duke filluar nga Pekini,Shanghai etj. Për vitin e ardhshëm, ata mendojnë të realizojnë dy ture përtej kufijve të Kinës, një në rajonin tonë të Ballkanit dhe Evropë, si dhe nje tur në Amerikë.

Artisti ka mundësi të jap dhe të marrë, dhe kur bashkëpunimi rezulton i suksesshëm të motivon pse jo, edhe për më tej

Mediet kineze për “Elektrën e Filipit”

Drama e një vendi kryesisht tregon për mendimin dhe kulturën e tij, por gjithashtu duhet të mësojë nga arti dramatik ndërkombëtar dhe bashkëkohor për ta bërë artin më të dallueshëm dhe tërheqës. Sekretari i Përgjithshëm  Shoqatës së dramaturgëve kinezë “Cui” është shprehur optimist për shfaqjen e “Elektrës” së Filipit pasi sipas tij duhen vlerësuar idetë kreative, përvojat, trajnimet dhe metodat që artistët ndërkombëtarë sjellin. Ai ka shtuar gjithashtu se kjo shfaqje është një ogur i mirë për të përhapur kulturën vendase, për shkëmbimet kulturore si dhe për të nxitur  prosperitetin kulturor botëror

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet