Reforma zgjedhore, vettingu real i politikës

Arben Rrozhani

Të hënën e shkuar mbi 20 parti joparlamentare dhe përfaqësues të shoqërisë civile u mblodhën në një tryezë me kërkesën për zgjedhje të barabarta dhe të lira. Në tratativat për të bërë bashkë në një takim përfaqësues nga i gjithë spektri politik, një aktivist i njohur i shoqërisë civile, pasi e quajti të pamundur pjesëmarrjen falenderoi për ftesën duke u shprehur: “Me kryetarin e partisë ZGJIDHJA, z. Kokëdhima, ndaj domosdoshmërinë e një reforme zgjedhore”. Në fund të takimit mbi 90 minutësh, tryeza e partive joparlamentare doli edhe me një deklaratë që është bërë publike dhe ku shprehet qëndrimi se reforma zgjedhore është parësore dhe pa kryerjen e saj nuk do të ketë as hapje negociatash me BE-në në qershor 2019 dhe vendi nuk do të futet në rrugën e demokracisë. Momenti i mbledhjes së tryezës është kyç dhe afër një deadline për përfundimin me sukses dhe real të një reforme elektorale gjithëpërfshirëse, sepse pas pak muajsh nisin përgatitjet për zgjedhjet vendore të pranverës 2019. Skadimi i afateve kohore nuk është problem për partitë që komandojnë procesin zgjedhor në vend, PS dhe PD, madje ato po e shtyjnë për në momentet e fundit që të bëjnë një përmbyllje pa lavdi të procesit, por që u krijon mundësinë që asgjë të mos ndryshojë as në formë as në përmbajtje, duke ruajtur Kodin Zgjedhor në fuqi, por duke kënaqur elektoratin me një “sheqerkë”: mundësinë që të përfshihen në votime edhe emigrantët, që historikisht këto dy dekada nuk kanë votuar në asnjë sfidë zgjedhore.

Shqipëria gjendet përpara një udhëkryqi historik: Pas zgjedhjeve të para pluraliste të vitit 1991 të organizuara nga ish-Partia e Punës, asnjë proces i mëvonshëm zgjedhor nuk është certifikuar i rregullt dhe i ndershëm. Me kalimin e viteve, madje është bërë edhe më i pisët, më i trafikuar, më i politizuar, më përjashtues për qindra mijëra votues, më i abstenuar nga të zhgënjyerit që shprehen se është e kotë të hedhësh një votë që në fund deformohet dhe më përfitues për partitë që administrojnë zgjedhjet e kësisoj edhe më penalizues për partitë që janë jashtë komisioneve të votimit dhe të numërimit të votave. Përballë kësaj panorame që s’ka shoqe në Europën demokratike, qëndrimi i ndërkombëtarëve që asistojnë proceset tona zgjedhore kanë qenë sa hipokrit edhe aq i dënueshëm, sepse çdo raport i certifikimit të zgjedhjeve është mbyllur me frazën “hap përpara”, kur, në fakt, zgjedhjet shqiptare kanë bërë vetëm hapa pas drejt partisë-shtet që ka pushtetin dhe drejt marrëveshjes PS-PD që zëvendësoi republikën dhe sundimin e ligjit. Ata e dinë se zgjidhja është si në vendet nga vijnë dhe shumë e thjeshtë: të zhbëhet modeli antidemokratik alla-shqiptar dhe të bëhet një proces i lirë, i pastër dhe i barabartë për të gjithë. Që të arrihet kjo duhet t’u hiqet me ligj partive të mëdha mundësia e administrimit të zgjedhjeve, prej nga burojnë gjithë të këqijat. Në vend të tyre duhet të jetë një administratë zgjedhore shtetërore, e pavarur dhe jopartiake dhe çdo parti duhet të jetë e barabarta në raport me administratën dhe në procesin zgjedhor.

Futja e teknologjisë në votime, identifikimi biometrik i zgjedhësve dhe numërimi elektronik në qendrat e votimit do të heqë mundësinë e manipulimit flagrant dhe në shkallë e gjerë të votave. Shqipëria do të dilte nga harta e vendit të vetëm në botë që transporton kuti me vota të panumëruara, që trafikohen rrugës dhe vullneti i votuesve deformohet. Deri tani Reforma zgjedhore i është lënë në dorë një komisioni të posaçëm të bashkëdrejtuar nga PS-PD, që janë dakord për shumë çështje që asgjë të mos ndryshojë. Ato e kanë mbajtur procesin qëllimisht në terr informativ, vetë vendos dhe vetë vulos, kur është e domosdoshme që ky proces të jetë i hapur dhe gjithëpërfshirës dhe jo në dëm të partive të reja. Për ta thelluar edhe më tepër hendekun mes tyre dhe partive të tjera, PS dhe PD prej disa ditësh janë përfshirë në betejë deklaratash për të ashtuquajturin vetting në politikë, propozuar nga PD dhe pranuar me kushte nga PS, se kush del më i pastër prej sitës së vettingut. Në fakt duhet një vetting tjetër.

PS dhe PD, prej vitit 1991 kanë ndërruar pushtetin, por asnjëherë nuk e kanë lëshuar. Janë për rekord Gines, sepse në asnjë vend tjetër në rajon, apo më gjerë nuk ka rast të tillë dhe sot në Europë pushtetin e kanë parti dhe figura të reja politike. Nëse i ashtuquajturi vetting i klasës politike do të bëhet nga PS-PD, kjo do të përfundojë si reforma në drejtësi, si procesi i dekriminalizimit apo çdo lloj nisme dhe reforme që kanë trafikuar dy partitë kryesore. I vetmi vetting që çliron vendin nga monopoli politik, regjimi hibrid dhe rikthen republikën janë zgjedhjet e lira dhe të barabarta. Një leksion që vjen që nga Greqia e lashtë dhe jep fryte sot në të gjitë botën demokratike, fryte që duhet t’i shijojnë edhe shqiptarët që ende nuk janë takuar me demokracinë reale në vendin e tyre.

*Sekretar i Zgjidhja-s për PR

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet