Reforma Zgjedhore/ Kume: Ndryshimet të mundësojnë zgjedhjet e parakohshme

Kristaq Kume, drejtori i Institutit Shqiptar për Zhvillimin e Sistemit të Zgjedhjeve, në një intervistë për gazetën “Shekulli” shprehet skeptik mbi realizimin e plotë të reformës zgjedhore, pasi palët u ulën në tryezën e bisedimeve. Eksperti evidenton dy probleme kryesore që janë mungesa sovranitetit të popullit dhe listat e hartuara nga kryetarët e partive

Xhesian Shazimani

Procesi i diskutimit për reformën zgjedhore u zhvendos në një tryezë jashtë Parlamentit, për herë të parë me praninë e të gjitha palëve politike, me kërkesën e opozitës së bashkuar për të dalë në një draft përfundimtar, i cili të miratohet pa asnjë ndryshim dhe me konsensus të plotë në seancë plenare në Kuvend jo më vonë se 15 marsi.

Dy përfaqësuesit e mandatuar të opozitës së bashkuar, Petrit Vasili nga LSI dhe Oerd Bylykbashi nga PD, u ulën në një tryezë me dy bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, DamianGjiknuri dhe Rudina Hajdari. Në një dokument të dakordësuar mes tyre, u vunë “piketat” për vijimin e punës, si dhe u institucionalizua një Këshill Politik që do të mandatojë punën për reformën. Për publikun, ky takim ishte i papritur, por në prapaskenat politike, gjithçka ishte dakordësuar dhe bërë gati.

Për këtë takim dhe zhvillimet që mund të ndodhin më tej, gazeta “Shekulli” zhvilloi një intervistë me ish-kryetarin e Komisionit Qendrortë Zgjedhjeve. Kume shprehet se takimi i para dy ditëve, është një takim që duhej të ishte zhvilluar para disa kohësh dhe se e sheh si një realizim i synimeve të dy partive kryesore. Këtë takim ai e shikon si meritë e faktorit ndërkombëtar. Ai gjithashtu thotë se reforma zgjedhore nuk duhet të ngushtohet vetëm tek dekriminalizimi i zgjedhjeve, por duhet t’i mundësoj qytetarëve të ushtrojnë sovranitetin që i ka munguar deri më sot. Sipas Kumes kjo reformë do të rregullonte një pjesë të mirë të legjislacionit zgjedhor, por që më e mira do të ishte që të ndryshohej sistemi në tërësi. Ndërsa për zgjidhjen e krizës ai thotë se duhen zgjedhje të parakohshme sa më shpejt të jetë e mundur.

Intervista

-Në këndvështrimin tuaj do të prodhojë gjë marrëveshja e djeshme?

Kume: Marrëveshja përbën lajm, por nuk ka pse te konsiderohet si një ngjarje qe duhet te përshëndetet dhe te vlerësohet si  sukses i  partive politike sepse, në fund të fundit, ato nuk bënë as më shumë e as me pak  përveçse detyrën që duhet ta kishin bërë kohë më parë. Për më tepër, vlerësoj se është e vështirë që kjo marrëveshje të këtë si rezultat të saj realizimin e pritshmërive te publiku. Ajo që ka më tepër mundësi të ndodhë është që edhe kësaj radhe partitë politike do të përpiqen të arrijnë rezultate që të jenë sa më shumë në favor të interesave të tyre politik.

-Në marrëveshje thuhet se reforma duhet të përfundojë në 15 mars të këtij viti, ju si mendoni do të zbatohet kjo datë?

Kume: Në vlerësimin tim, palët u ulën jo se donin të uleshin, por se i ulën. Ishte presioni i shtuar  ndërkombëtar, kërkesat këmbëngulëse të tyre për dialog midis partive politike shqiptare, si kusht i domosdoshëm i tyre për angazhimin në trajtimin pozitiv të kërkesës sonë për të marr ftesën për çeljen e negociatave, janë 9 kushtet e Budestagut dhe pamundësia e klasës sonë politike për t`i anashkaluar, që i detyruan palët të fillojnë dialogun, me objekt reformën zgjedhore. Edhe 15 marsi, si afat i dakordësuar për përfundimin e reformës zgjedhore, është pasojë e këtij presioni. Samiti i Zagrebit është shumë afër dhe ne nuk mund të shkojmë atje dhe të kërkojmë që të trajtohet kërkesa për çeljen e negociatave duke u paraqitur si të pazotë që të dialogojmë me njëri-tjetrin. Unë pres që në 15 mars të arrihet dakordësia për ndryshimet që duhet të bëhen në Kodin zgjedhor, duke synuar pasqyrimin në të të rekomandimeve të misioneve të vëzhguesve ndërkombëtar të OSBE/ODIHR. Kjo besoj se do të mjaftoje për të treguar se klasa e jonë politike është e angazhuar në plotësimin e kërkesave të vendosura nga ndërkombëtarët, por theksoj se kjo nuk mjafton dhe, për asnjë arsye dhe asnjë argument nuk mund të konsiderohet dhe të deklarohet si realizim që zgjidh problemet komplekse dhe krizën e demokracisë me të cilën është përballur vendi dhe shoqëria e jonë. Për të arritur këtë objektiv është e domosdoshme që të bëhet një reformë e thelle legjislative. Është e domosdoshme që Kushtetuta të rikonsiderohet duke patur si objektiv kryesor largimin prej saj të ndryshimeve që u bënë në 2008-n. Kjo është e domosdoshme sepse ndryshe faktorët që prodhojnë krizat e demokracisë tek ne do të vazhdojnë të mbeten aktiv.

-Si e shikoni vullnetin e politikës për reformën zgjedhore, do ketë ndryshime thelbësore?

Kume: Në se i referohemi deklaratave të drejtuesve të lartë politik të partive kryesore të vendit, çfarë parashikohet të behet deri në 15 mars pavarësisht se, besoj dhe shpresoj se do të jetë një zhvillim pozitiv ne procesin e dekriminalizimit të zgjedhjeve, nuk ka për të arritur të realizohet si një reformë që do të sjellë ndryshime thelbësore në legjislacionin tonë zgjedhor. Edhe këtë e them sepse, siç edhe është deklaruar nga palët, ato nuk do të kenë objekt punë gjatë kësaj periudhe edhe sistemin zgjedhor. Kjo do të thotë që në kuadrin legjislativ zgjedhor dhe mënyrat e zbatimit të tij, të mos bëhet asnjë ndryshim i cili do të krijonte kushte mbështetëse efektive për zbatimin e parimit kushtetues sipas të cilit populli është sovran dhe sovranitetin e tij e shpreh nëpërmjet zgjedhjes së përfaqësuesve të tij, me procese zgjedhore të lira dhe në standardet demokratike. Është e pamundur të realizohet një gjë e tillë nëse do të mbetemi vetëm të dekriminalizojmë zgjedhjet.

-Meqenëse keni qenë edhe kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që do të thotë se e njihni mirë përmbajtjen e legjislacionit të këtij institucioni, cilat janë mangësitë më të mëdha që sipas jush duhet të jenë në kodin e ri zgjedhor?

Kume: Për t’ju përgjigjur kësaj pyetje, mund t’i referohemi asaj çka është vendosur në mbledhjet e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore gati dy vite përpara dhe që, sipas marrëveshjes të pak ditëve më parë, Këshilli politik do të punojë në përputhje dhe zbatim të platformës dhe programit të punës të miratuar në atë kohë. Në këtë platformë parashikohen, punët që duhen bërë për zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, pjesë e të cilit janë problemet që lidhen me shitblerjen e votës, me mënyrën e financimit te fushatave zgjedhore, problemet e interferimit të botës së krimit dhe parave “të pista” në proceset zgjedhore, probleme që kanë të bëjnë me ankimimin dhe trajtimin e tyre, dhe problemi shumë i rëndësishëm që ka të bëjë me depolitizimin e administratës zgjedhore. Theksoj se në atë kohë, u ra dakord që në platformën e punës së Komisionit për reformën zgjedhore të bënin problemeve që kanë të bëjnë me votimin e emigrantëve, përdorimin e teknologjisë së informacionit në zgjedhje, dhe bashkë me to trajtimin e problemeve të sistemit zgjedhor. Të shohim ne se do të jene të gjithë këto probleme pjesë e programit të punës për Këshillin politik.

-Z. Kume duhet ndryshuar sistemi?

Kume: Patjetër! Duhet ndryshuar sistemi, jo sepse këtë e kanë kërkuar disa nga forcat politike, por këtë e kërkon pjesa jo politike e shoqërisë. Ndryshimi kushtëzohet prej nevojës për ta bërë funksionale demokracinë përfaqësuese në vendin tonë.  Sistemi që ne kemi, proporcionali me lista të mbyllura dhe mënyra se si ky sistem zbatohet, ku këtu kam parasysh dy momente, Kodin zgjedhor dhe sjelljen e të subjekteve politike ndaj këtij sistemi, ka bërë që tek ne të shfaqen dy probleme të rëndësishme. E para kemi shmangie nga zbatimi i parimit kushtetues që lidhet me sovranitetin e popullit, ku ligji i tanishëm nuk i krijon mundësi zgjedhësit shqiptar të shprehet me votë se kush person do ta përfaqësojë. Si dhe e dyta, listat i kanë krijuar kryetarëve të partisë që të emërojnë deputetët në Kuvendin e Shqipërisë, ku na kanë sjellë pasojat që ne jemi përplasur deri më sot. Listat proporcionale dhe të mbyllura zbatohen dhe në vende të tjera dhe nuk kanë të këtilla probleme, ndërsa tek ne nuk ka funksionuar ngaqë ne nuk jemi në nivel të kulturës demokratike dhe të sjelljes që të mund të zbatojmë me korrektes këtë sistem. Neve nuk kemi parti politike me kulturë demokratike, për pasoj reflektohet në problematikat që jemi përballur.

– Si e shikoni situatën politike në vijim?

Kume: Unë pres që me këtë marrëveshje të vonuar, të shkojnë drejt shmangies se situatës së krizës. Shoh fillimin e një procesi që do të bëjnë të mundur minimizimin maksimal të efekteve të kësaj krize politike dhe krijimin e kushteve që mos të përsëriten kriza të tilla. Kjo nuk zgjidhet me atë se çka mund të vendoset deri në 15 mars, por nëse miratohen këto ndryshime deri në këtë datë, them se do jenë baza për zhvillime të mëtejshme. Këto ndryshime duhet të mundësojnë edhe zgjedhjet e parakohshme sepse, ndryshe mundësitë për riciklim të krizës janë të mëdha. Sa më shpejt të bëhen zgjedhjet, për Kuvendin dhe organet e pushtetit vendor, aq më mirë do të jetë dhe kjo jo për pushtetin që synojnë partitë politike, dhe për qytetarin, për ne që popullin që në fillim të viteve `90 vendosem që të qeverisemi si një shoqëri demokratike, me një shtet ligjor dhe të të drejtës, në një ekonomi të tregut dhe iniciativës së lirë.

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet