Reforma Zgjedhore gati brenda 15 marsit, ndërhyn OSBE kur nuk ka konsensus

Pas disa muajve rezistencë dhe pas presionit ndërkombëtar, Partia Socialiste ka rënë dakord që diskutimet kryesore për reformën t’i bëjë një grup pune me përbërje të barabartë prej 4 anëtarësh. Ata janë bashkëkryetarët e Komisionit për Reformën Zgjdhore, Damian Gjiknuri, Rudina Hajdari, si dhe përfaqësuesit e koalicionit opozitar, Oerd Bylykbashi, Petrit Vasili.

Komisioni i Reformës Zgjedhore nuk do të jetë vendi ku do të arrihet konsensusi mes qeverisë dhe opozitës për reformën zgjedhore. Këtë e përcakton “Kuadri i Bashkëpunimit për Reformën Zgjedhore”, i dakordësuar mes qeverisë dhe opozitës.

Propozimi që diksutimet për reformën zgjedhore të bëhen jashtë komisionit për reformën zgjedhore ishte pikë kyçe në dokumentin me 5 pika që opozita i paraqiti qeverisë në muajin tetor, në të cilin komisioni i reformës cilësohej si ilegjitim.

Përfaqësuesit e partive kanë rënë dakord për një tekst të përbashkët me 8 pika, ku janë reflektuar kërkesat e opozitës për ecjen përpara me reformën zgjedhore.

Konkluzionet e plota:

  1. Formohet Këshilli Politik me përfaqësues të opozitës, drejtuesve të Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe përfaqësuesve të grupeve parlamentare në Kuvend.
  2. Këshilli mblidhet brenda muajit janar 2020 dhe autorizon platformën e punës së procesit të Reformës Zgjedhore si më poshtë:
  3. Një përfaqësi politike, (2 persona) nga opozita jashtë-parlamentare dhe ekspertë të saj, do të punojnë me dy bashkë-kryetarët e Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe ekspertët e atashuar pranë saj.

Tryeza për Reformen Zgjedhore

-Çështjet që do të adresohen caktohen në vendimin e Kuvendit, nr 102/2017, i amenduar. “për ngritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore”, përfshirë dhe planin e punës së miratuar me konsensus nga Komisioni në vitin 2017 si dhe çdo problematikë tjetër zgjedhore që palët bien dakord me konsensus me qëllimin e arritjes së standardeve zgjedhore ndërkombëtare.

-Palët e përfshira angazhohen të adresojnë me konsensus të gjitha çështjet e administrimit të zgjedhjeve, objekt i punës së Reformës Zgjedhore, përfshirë edhe rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe për çështjet që nuk gjendet dakordësi do të kërkohet mendim dhe asistencë nga ekspertiza ndërkombëtare OSBE/ODIHR me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme.

-Për të ndihmuar këtë proces, Komisioni për Reformën Zgjedhore do të kërkojë zyrtarisht asistencën e OSBE/ODIHR, përfshirë dërgimin e ekspertëve nëse kjo është e mundur që do të bashkëpunojnë me përfaqësues politikë dhe ekspertët e përcaktuar në paragrafin e parë të kësaj pike, me qëllim për të lehtësuar procesin e diskutimit dhe hartimit të projekt-propozimeve përkatëse.

-Projekti përfundimtar i dakordësuar mes palëve, sipas këtij dokumenti, do të miratohet nga Kuvendi në përputhje me procedurat parlamentare. Shumica angazhohet që të mos kryejë ndryshime në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe në seancë plenare, në tekstin e miratuar, të dakordësuar mes palëve sipas këtij dokumenti.

-Palët angazhohen që Reforma të përfundojë jo më vonë se 15 mars 2020.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet