Reforma, peng i frikës së ndëshkimit

Publikuar më 26. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Sulejman Abazi

Armiqësia e “fronteve” në Shqipëri me ngjarjet e fundit politike është shfaqur ekstremisht dhe po dëmton rëndeë interesat shtetërore dhe kombëtare. Skema e përplasjeve politike është bërë shumë e ngatërruar, ku elementët thelbësor të kësaj përplasje nuk duken, përkundrazi, punohet intensivisht nga forcat politike kryesore që t’i fshihen opinionit shqiptar mbi të vërtetën e tyre. Njerëzit vazhdojnë të jetojnë paralelisht me një “kronikë të zezë”, e cila përveç natyrës së saj kriminale, po shfaq element thelbësor të jetës shqiptare, ku korrupsioni politik, moral dhe ai financiar dominojnë, duke goditur shumë rëndë shëndetin moral të shoqërisë.

Ngjarjet jo të rastësishme, e ngatërrojnë aq shumë jetën në Shqipëri, sa që është arritur të marrë përparësi më shumë sensacioni politik, se sa vet thelbi i krizës së thellë morale, politike dhe financiare që ka kapur shtetin. Tymnaja më e madhe përhapet dhe vepron për të justifikuar analizën e munguar politike, aspak trasparente, e cila vazhdon të mbulojë dhe të justrifikojë interesat individuale e klanore në pushtet, duke e çorientuar opinionin publik dhe duke rritur elementët e pasigurisë së jetës. Situata kaotike ka sjellë mosbindjen e qytetarëve ndaj shtetit dhe ligjeve. Populli rezulton për shumë arësye, të vazhdojë të mbetet i armiqësuar me shtetin.

Jemi nga të rrallët popull në Europë që nuk e duam shtetin tonë. Kjo deri tani, po rezulton të jetë fatale. Ky nuk është modeli i shtetit të së drejtës që aspirojmë. Synimi politik është i qartë dhe i dukshëm: Të nxirret reforma në drejtësi dhe çështjet e dekriminalizimit të pushtetit dhe administratës publike e shtetërore, në plan të dytë. Synimi drejt realizimit të reformimit të thellë, veçanërisht të Sistemit të Drejtësisë, me sa duket po tmerron klasën politike, pasi ky sistem është një “tërheqje litari” për shumë figura politike të korruptuara, që kanë ushqyer dhe mbështetur në vijimësi këtë sistem drejtësie të korruptuar. Përball kësaj situate, klasa politike po vepron me kujdes, për të mos lejuar daljen e situatës nga kontrolli, dhe këtë e bën për të shpëtuar lëkurën e saj.

Me sa duket, kundërshtarët politikë, janë edhe “armiq edhe aleatë” me njeri – tjetrin. Falsiteti i vendimarrjeve dhe kundërshtimi ndaj tyre për interesa utilitare të pushtetit, nuk mund të kamuflohet dot, kur në heshtje veprojnë marrëveshje, që nuk sjellin asgjë të re në jetën e popullit, përkundrazi, mbajnë peng shtetin dhe pushtetin. Kryministri aktual nuk vjen nga rrethi i politikës dhe nuk tregon bindje dhe vullnet për zgjidhjet afatgjata mbi plagët e rënda që trashëgon dhe përjeton shoqëria shqiptare.

Deri tani shfaqet si një demagog me shumë fjalë e fjalime dhe shumë pak ndryshime. Ai po shfan shumë raste i trembur, dhe vet ai e di se si e justifikon këtë gjendje. Disa mbiemra rrotull tij, që u imponuan (apo i mbajti me vetëdije) në kabinetin e ri, nuk janë asgjë në raport me funksionimin e shtetit, por problemi qëndron në faktin që, ku e kanë siguruar mbështetjen këta njerëz që iu imponuan Kryeministrit përsëri në kabinet, edhe pse ndaj tyre ka pasur kontestime shumë të forta për aferat korruptive dhe paaftësinë institucionale. Këtë trasparencë mbi kabinetin e ri qeveritar, shqiptarët nuk e dëgjuan asnjëherë nga goja e Kryeministrit.

Ndryshimet janë sipërfaqësore dhe ato nuk ndryshojnë thelbin e sistemit politik dhe ekonomik që dëshirojmë. Në të gjithë rastet e “përplasjes” politike, lehtësisht dallohet personalizimi i problemeve, që shfaq hapur frikën e mjaft emrave të spikatur në kupolën e shtetit, parlamentit dhe të institucioneve të tjera qëndrore, ndaj veprimit të drejtësisë mbi ta. Opinioni në Shqipëri është kthyer me imponim në një spektator i rëndomtë dhe nuk ka asnjë atribut që të marrë pjësë realisht në reformimin e shoqërisë dhe të sistemit. Ai në hështje përballet me pasojat e kriminalizaimit të jetës dhe vetëm vuan pasojat.

Kjo është fyerja më e rëndë publike që realizohet në mënyrë institucionale. Sot është kuptuar, që në Shqipëri po veprojnë “dy shtete”; shteti qe kemi votuar në shumicën parlamentare, i pafuqishëm që të realizsojë detyrat e tij në zbatim të verdiktit të popullit dhe shumicës, si dhe “shteti brenda shtetit”, që ha, gërryen dhe saboton gjithçka që mund të prek interesat klanore në zhvatjen e pasurisë kombëtare. Në mënyrën se si po operohet deri tani, në pengesat legjislative, në mungesën e vullnetit për t’ia nënshtruar “drejtësinë – drejtësisë”, në përplasjen e fortë politike frontale, është kuptuar tendenca e dyanëshme pozitë – opizitë për ta realizuar reformën në mënyrë selektive, e cila nuk do të arrijë të godasë rrënjët e vërteta të korrupsionit të thellë që ka kapur shtetin dhe shoqërinë shqiptare.

Loja që po bëhet në raport me ndikimin e faktorit ndërkombëtar në këto reforma, shfaq paaftësinë e klasës politike, natyrën e saj kapitulluese, kompromentimin e saj moral, frikën dhe servilizmin, për shkak të problemeve korruptive që mbartin secili mbi vete në aktivitetin e tyre politik. Klasa politike ziliqare, e pangopur, që po shfaq çdo ditë e më shumë përversitete mentale dhe skizofreni politike.

Të gjithë flasin për parime, frymë paqësore, ndonjëri edhe për frymë hyjnore, por ajo që ka mbetur dhe mbizotëron mes nesh, është pangopësia e tyre në zhvatjen e pasurive kombëtare, armiqësia, konflikti, paragjykimet, zilia, hipokrizia dhe mashtrimi i opinionit shqiptar. Kriza e rëndë e besimit ndaj politikës, vazhdon të ushqejë me dhunë mendimin antikombëtare që, “kjo Shqipëri nuk bëhet më me këta njerëz”. Ky terror psikologjik po e zbarz vendin nga kapacitetet që përfaqësojnë energjinë tonë kombëtare. Ky agresion që po realizohet shkallë – shkallë kundër interesave të Shqipërisë, duhet të ndalet.

*Drejtor i Departamentit të Sigurisë Kombëtare në partinë “Zgjidhja”