Reforma në Akademi të Shkencave duhet bërë rrënjësisht

Mark Tirta (profesor- doktor –akademik)

Ka gjëra që prej shumë vitesh nuk ecin mirë në shoqërinë shqiptare, për të mos thënë se ato janë rrufe shkatërruese për punën në specialitetet e për jetesën e njerëzve. Këtu po flasim për Akademinë e Shkencave, për punën kërkimore shkencore, por e veçanta kurrsesi nuk mund të ndahet nga e përgjithshmja. Në kohët para viteve të fillimit të proçeseve demokratike, nga Akademia e Shkencave e nga institucionet e tjera të kërkimit shkencor, pati disa arritje të dukshme, po pati edhe shumë mangësi e shtrembërime të të vërtetave shkencore. Duhej bërë kërkimi shkencor e duheshin zbërthyer dukuritë shoqërore, mbështetur në ideologjinë komuniste, në orientimet e Partisë Shtet në Shqipëri. Shumë dukuri nga shkencat albanologjike jepeshin përciptazi apo kalimthi, po disa liheshin krejt në errësirë nga që nuk përputheshin me ideologjinë e kohës, po edhe nga që autori i shkrimeve historike të etnokulturës, të folklorit, kishte ndonjë zezomë në biografi. Prej kësaj mund të hidhej në greminë. Në kohën e regjimit totalitar, shumë figura të mëdha të historisë kombëtare, të letërsisë, të eksplorimeve e të studimeve, në histori, në letërsi, etnokulturë (folklor e etnologji), në sociologji, me veprimtari të madhe në atdhetarizëm, në ngritje në këmbë të kombit shqiptar, u përbaltën, u poshtëruan në shkrimet e kohës. Të tillë ishin Eqerem Bej Vlora, Mit’hat Frashëri, Lef Ndoci, Kristo Floqi, Aqif Biçoku, At Prend Doçi, Prengë Bibë Doda (kapidan i Mirditës), Ernest Koliqi, Ali Bej Këlcyra, Mehmet Bej Konica e shumë të tjerë.

Disa përmendeshin në shkrime të ndryshme kulturore, letrare, shkencore, krejt shkarazi, sa për të kaluar murin ndarës. Për këta përmendeshin gjëra të mira, po, nga ana tjetër jepeshin edhe gjëra poshtëruese për ta, siç ishte: Faik Konica, Fan S.Noli, Bernardin Palaj, e Donat Kurti, Tajar Zavalani e me radhë. Për këta njerëz e studimet e tyre, ka nevojë të domosdoshme kultura dhe shkenca shqiptare, për t’i çuar ato më përpara. Në institutet e ndryshme të shkencave shoqërore kanë punuar disa studiues shumë të përgatitur e të përkushtuar me shpirt e me zemër në kërkimet shkencore. Synimet e tyre shkencore, librat me shumë vlerë që ata kanë bërë janë të pavdekshme. Janë mbështetëse që pasardhësit në specialitetin përkatës, ta çojnë më tej kërkimin shkencor, me shkrimet e librat me të cilat ndriçojnë ato që kanë mbetur, deri në kohën e tyre pa u zbuluar. Duhet theksuar se në institucionet e kërkimit shkencor në shumë raste merreshin në punë njerëz krejtësisht të paaftë, që nuk kishin lexuar asnjëherë libra e revista shkencore e kulturore, madje disa herë viheshin edhe në drejtim të institutit a të sektorit përkatës, se aty ishte rroga e tyre më e madhe. Këto veprime janë dëshmuar qartë në Institutin e Kulturës Popullore ku kohë pas kohe punësoheshin njerëz që edhe pse kishin grada e tituj, në këtë vend të kërkimit shkencor ishin krejtësisht jashtë specialitetit të tyre. Shkruanin duke kopjuar studime në shqip ose rusisht. Ata, në pjesën më të madhe të tyre nuk kanë bërë asnjëherë eksplorime shkencore në terren, gjë që është e domosdoshme në fushë të etnologjisë e të folklorit. Këto punësime me nepotizëm bëheshin, diku më pak e diku më shumë në tërë institutet e kërkimit shkencor; shtysa ishte “është i imi”, “është djali i mikut tim”, “është i anës prej nga e kemi prejardhjen unë e miku im”. Në këtë mes luante rol të madh të qenit sa më afër në politikën e kohës e sa më të njësuar me politikanët që kishin pozita të larta në shtet. Dua ta theksoj, për të mos u keqkuptuar, se në Institucionet e kërkimit shkencorë kanë ardhur dhe jo pak njerëz shumë të përgatitur në kërkim shkencor, por me kusht që të mos kishin cene biografike. Për këto emërime nepotike të të paaftëve në Institute të Kërkimit shkencor mban përgjegjësi edhe stafi drejtues i Akademisë së Shkencave. Por edhe këta drejtues jo çdo gjë e kishin në dorë të tyre në emërimet e të paaftëve, sepse rolin kryesor e kishte politika. Në jo pak raste edhe nuk i njihnin nëse kuadrot që emëronin ishin të aftë apo të paaftë. Në disa raste edhe në stafin drejtues të akademisë ka pasur jo pak akademikë të paaftë, edhe këta të fundit kanë ardhë në ato pozita drejtuese me nepotizëm.

Në këtë çerek shekulli të proçeseve demokratike janë bërë disa ndryshime. Fjala e lirë në kërkimin shkencor ka sjellë mjaft dukuri të reja në punën e institucioneve përkatëse. Figura të shquara në histori, kulturë, në letërsi, në atdhetarizëm e që në të kaluarën ishin lënë në errësirë, ishin përbaltur e poshtëruar, tani kanë filluar të vlerësohen ashtu si e kërkon e vërteta e kërkimit shkencor. Duhet kuptuar në thellësi e gjithanshmëri se e kaluara (është fjala për kohën e diktaturës komuniste) rëndon mbi të tashmen në metodë kërkimi, në interpretime, në sqarimin si duhet të të vërtetave historike, shoqërore, etnokulturore e në letërsi. Nuk duhet shkruar e interpretuar se “ashtu më pëlqen mua”, por të zbërthehen dukuritë me saktësi, me argument bindës. E veçanta nuk shpjegohet pa të përgjithshmen e as e përgjithshmja pa të veçantat. Të vërtetën e nxjerr në dritë kush punon më shumë e jo kush flet më shumë. Vërehen raste kur në studime gjërat tjetërsohen. Dikur politizoheshin gjërat ashtu si e urdhëronte Partia Shtet e sistemit komunist e sot disa kërkues shkencorë bëjnë politizime në të kundërtën.

Dëgjova në një emision televiziv ku një historian u shpreh: Reformën Agrare e paska bërë A. Zogu. Në letër atë e bëri, po në zbatim nuk u vu aspak në kohë të tij. Në atë kohë u hap shkolla e Fulzit në dy a tre qendra, shkolla franceze në Korçë e Gjirokastër, shkolla të Françeskanëve të Jezuitëve në Shkodër. U hapën nga shteti i atëhershëm edhe disa shkolla në qytetet kryesore të Shqipërisë, po populli në përgjithësi ishte analfabet, përjashto klerikët e si njerëz të veçantë, më tepër nga familjet e pasura që u arsimuan jashtë. Është e vërtetë që A.Zogu dërgoi një grup djemsh për të studiuar jashtë shtetit. Disa djem shkuan edhe në Akademinë ushtarake në Itali; natyrisht aty u arsimuan, po ishin pak. Kjo nuk është aspak arsimim i përgjithshëm i popullit. Atëherë kishte edhe kryetar komunash (bashkishë) që ishin analfabetë. U tha në atë emision se elektrifikimi i vendit u bë në kohën e A.Zogut. Kjo nuk është e vërtetë. Në atë kohë kishte vetëm çentrale elektrike me naftë në qytetet kryesorë të Shqipërisë, po edhe kjo, ashtu si ma kanë thënë njerëz që jetonin në qytete në atë kohë, që këtë lloj drite nuk e kishte e tërë popullsia e qytetit; ato në rrethina të qytetit nuk kishin dritë. Në atë kohë kishte vetëm një çentral elektrik me ujë në një fshat të Korçës. Elektrizimi i përgjithshëm i vendit me hidrocentrale u bë vetëm pas vitit 1950, natyrisht jo menjëherë, por për disa dhjetëvjeçarë. Këto vepra të mëdha që u bënë pas vitit 1945 historiani nuk i përmendi fare. Zogu jetonte edhe në atë kohë por jashtë shtetit me thasët me para që i mori nga Banka e Shtetit kur iku jashtë, gjashtë prill 1939. Akademia e Shkencave është shumë e nevojshme në shërbim të zhvillimit të mëtejshëm të kombit tonë. Por ajo duhet reformuar në thellësi që t’i shërbejë dijes ndër shqiptarë. Është katandisur në këtë humnerë nga që ata që e kanë drejtuar kanë qenë të paaftë për të bërë ato që duhen. Në specialitetin e tyre ku janë ushqyer për gjysëm shekulli, ndoshta dhe kanë qenë të aftë, të formuar për kërkim shkencor, po për të drejtuar Akademinë nuk kanë qenë aspak të aftë.

“Më thuaj me kë rri të të them kush je”, e thekson me të madhe mençuria popullore. Shkëputja e Instituteve të kërkimit shkencor nga Akademia e Shkencave qe një varfërim e poshtërim i saj. Kjo sëmundje truri duhet shëruar menjëherë. Akademia e Shkencave duhet t’i zhvillojë veprimtaritë e saj bashkë me pedagogët më të mirë nga tërë Universitetet e Shqipërisë. Duhet t’i zgjidhin bashkë problemet e kërkimit shkencor, po dhe për specializimin sa më të thelluar të kuadrove të reja. Të ndërpritet me rreptësi marrja e kuadrove me nepotizëm e të paaftë e t’i vendosim si specialistë në kërkimin shkencorë. Të marrim mësime dobiprurëse nga Akademitë e Universitetet e vendeve të përparuara të botës. Ata në shumë raste, që kur i kanë studentë i përcaktojnë dhuntitë e veçanta të tyre shndritëse për t’u marrë me kërkime shkencore. Këta të rinj student i drejtojnë në rrugën e formimit të tyre si dijetarë të kërkimit shkencor. Në biografinë e Branisllav Malinovskit që është një antropolog e etnolog nga më të shquarit e kohës së tij shënohet gjithnjë emri i udhëheqësit shkencor që e ka drejtuar për t’u formuar si dijetar marramendës në kërkime shkencore, ekspozime, në vepra me vlerë botërore. Klod Levi Strosin që konsideronte si etnologu e antropologu më i madh në botë në shek. XX, në biografinë e tij shënohet se e ka udhëhequr për t’u bërë shkencëtar i madh, Marsel Mosi, ish- rektori i Universitetit të Parisit. Akademia Shkencore duhet të kujdeset me projekte të caktuara; në bashkëpunim me Universitetet, të bëjnë që studentë me shumë dhunti të kualifikohen për t’u bërë dijetarë në fusha të caktuara të kërkimit shkencor. Udhëheqësi shkencor në këtë vështrim ka një peshë shumë të madhe në formimin e studentëve ekselentë për t’u bërë dijetarë të kërkimit shkencorë në fusha të caktuara. Pra në këtë drejtim duhet të ndërhyjë edhe Akademia edhe Institutet e kërkimit shkencor. Kam vënë re se jo në pak raste vihen udhëheqës shkencorë njerëz krejtësisht të paaftë edhe pse mbajnë tituj e grada shkencore. Për udhëheqësin shkencor, ose thënë ndryshe “mentor”, duhet të ketë një kod të caktuar, ku dorën e saj ta ketë edhe Akademia e Shkencave në formimin e kuadrove të reja të kërkimit shkencor.

Të mos lejohet të vihen udhëheqës shkencorë kot së koti, doemos edhe me nepotizëm në jo pak raste. Është me shumë vlerë organizimi i tryezave të rrumbullakëta siç emëroheshin në Helene e në Romakë, pra tryeza debati shkencor për shumë dukuri që nuk janë të qarta për studiuesit. Në kohën e sistemit totalitar çdo gjë politizohej ose lihej në errësirë se ashtu e donte regjimi në fjalë. Po e shohim që sot secili po i trajton dukuritë historike sipas mendjes së tij. Duhen bërë tryeza debati mes specialistëve të së njëjtës fushë, përfshirë Akademinë, Institutet e Kërkimit Shkencor, po edhe specialistë të fushës nga universitete, ku të rrihen problemet e kërkimit shkencor, të bërjes së librave për mësimdhënie në fushat përkatëse. Me këto debate mund të sqarohen më së miri dukuritë e ndryshme me të vërtetat e tyre. Këto debate duhen bërë edhe në fushën e e etnologjisë, të sociologjisë, të folklorit. Duhen diskutuar edhe lidhjet e brendshme, ose anësore mes historisë, etnologjisë, sociologjisë, psikologjisë sociale e me radhë. Këto fusha të ndryshme të shkencës sqarojnë njëra-tjetrën si teori e si funksione në kërkimin shkencor. Pra gjërat do të sqaroheshin si duhet me tryeza debatesh mes specialistëve të këtyre fushave të kërkimit shkencor. Vërehet që pedagogët bëjnë tekste historie ose edhe ligjërojnë në fakultet, secili sipas mendjes së tij, në disa raste edhe duke qenë krejtësisht i mangët në njohjen e historisë për atë periudhë që jep mësim. Dukuri të tilla janë shumë të dëmshme në formimin e gjeneratës së re si specialistë në fushat përkatëse. Me këto problem duhet të merren edhe Akademia e Institucionet përkatëse të kërkimit shkencor, për ta përmirësuar gjendjen. Për këto probleme duhen hartuar edhe kohë detyruese edhe të zbatohen me rreptësi.

Në asnjë universitet në Shqipëri nuk kemi Departament të Etnologjisë e as të Folklorit, thënë ndryshe: Sektor të veçantë të këtyre specialiteteve; ne kemi Institut ku studiohet trashëgimia etnokulturore shqiptare, pra etnologjia e folklori. Pyes: si formohen specialistët që japin etnologji a folklor në Fakultete? Si formohen specialistët e këtyre fushave që merren me kërkime shkencore, me studime në këto specialitetet shumë të rëndësishme? Pra ata formohen në këto raste si autodidaktë, pa u formuar me shkollim të veçantë, si specialistë në këto dukuri shkencore të trashëgimisë etnokulturore. Pse studion në formim universitar e pasuniversitarë në fushë të historisë nuk bëhesh etnolog; nëse studion në fushën e letërsisë nuk bëhesh folklorist. Akademia e Universitetet mbajnë shumë përgjegjësi për mungesën e degëve të formimit shkencor në këto fusha. Në universitete të ndryshme të Europës, çka i kam parë me sy, kudo ka departamente të etnologjisë e të folklorit. Pse jo te ne? Për këtë mangësi kam shkruar disa herë në organe të ndryshme të shtypit, por askush nuk e ka vënë ujit në zjarr për këtë. Për këtë mungesë është fajtore Akademia, por edhe Universitetet e Shqipërisë.

Institutit të kulturës popullore i kanë ndërruar dy herë emrin. I vunë së fundmi emrin “Instituti i Antropologjisë”. Ky është term krejt i gabuar. Antropologjia kulturore merret me studimin e popujve parakë; këtu nuk hyn vetëm etnokultura, po si një e tërë hyn dhe gjuhësia, historia, sociologjia. Ne për gjuhësi kemi degën e gjuhësisë, për histori kemi historianët, për sociologji kemi sociologët. Ne në këtë fushë studiojmë vetëm etnokulturën e jo më tej. Akademia duhet të kishte ndërhyrë për të mos u bërë këto shtrembërime, këto pasaktësi, këto rrënime. Problemet e kërkimit shkencor me pasaktësi e mangësi, për të cilat Akademia e Shkencave mban përgjegjësi, janë të shumta, po këtu po e mbyllim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet