“Reforma” e qeverisë/ Uji i pijshëm, pritet rritje çmimi dhe ndëshkime

Publikuar më 07. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Enti Rregullator i Ujit pritet të marrë vendim për rritjen e çmimit të ujit në kryeqytet, pas votimit të këshillit bashkiak në korrik, që miratoi ndryshimin në 65 lek/m3 nga 45 lekë që është aktualisht. Kaosit dhe ankesave të përditshme për mbifaturime, lidhje të parregullta, ujë të ndotur etj., pritet t’i shtohet edhe çmimi i kripur i faturës që nis nga janari 2018. Edhe pse vendimi pritej të merrej nga ERRU në muajin shtator, 4 anëtarët e këtij enti Silvana Simaku, Riza Ajdini, Fatime Imeraj dhe Ndriçim Shani pritet të japin miratimin për rritjen brenda nëntorit.

Kërkesa e Ujësjellës-Kanalizime, Tiranë për rritjen e çmimit të ujit për banorët e kryeqytetit mbart shkelje të procedurave dhe afateve kohore të përcaktuara në rregulloret e Entit Rregullator të Ujit, megjithatë, kryetari i Entit, Ndriçim Shani tha në korrik se ai vetë qe i vendosur të shqyrtonte kërkesën pavarësisht shkeljeve, duke i konsideruar afatet dhe procedurat e shkelura si probleme jo të rëndësishme. Gjatë këtij viti, Enti ka miratuar tarifa të reja për Durrësin, Beratin, Kuçovën e Gjirokastrën, të cilat kishin kërkuar rritjen në vitin 2016. Në zyrat e ujësjellës-kanalizimeve Tiranë qytetarët të shumtë ankohen, kryesisht për shkak të mbifaturimeve. Ndërsa të tjerë qytetarë ankohen se faturimet janë plotësuar pa parë sahatin, dhe se fatura nuk ka shkuar asnjëherë në banesën e tyre.

Aksioni

Ndërkohë, dje kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar për një aksion kombëtar që u bën thirrje qytetarëve që abuzojnë të vetërregullojnë matësit, brenda 90 ditëve përndryshe do të ndiqen penalisht. Vetëm gjatë këtyre tre muajve të parë, prerja e lidhjeve të paligjshme do të jenë pa penalizime. Por, një nga pikat që duket se është risi për sektorin, por që pritet të shkaktojë edhe reagim është ajo e puseve të ujit. Sipas kryeministrit, tashmë çdo individ që do të dojë të përdorë ujin e pusit, qoftë dhe në oborrin e tij, duhet të pajisjet me autorizim. “25 mijë puse rezultojnë të hapura në Shqipëri nga të cilat vetëm 265 kanë leje. Një barbari më vete. Barbari 30-vjeçare braktisje detyre nga ana e shtetit. Brenda 2018 çdo konsumator që përdor apo dëshiron të përdorë ujërat nëntokësore, duhet të ketë leje autorizimi për ta përdorur”, tha Rama.