Referendumi në Luginën e Preshevës, 26 vite pas!

Nga Sevdail Hyseni

Në këto ditë, kur dimri ka mbuluar me borë dhe akull Luginën e Preshevës, popullata e saj kujton me krenari 26 vjetorin  e Referendumit, të vitit 1992, kur para 26 vjetësh, pikërisht, më 1 dhe 2 mars, shprehu vullnetin politik, se në çfarë bashkësie do të jetojnë në të ardhmen. Rreth 97 për qind e votuesve shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të shpërndarë në 71 vendbanimeve, u deklaruan “PËR”: “Autonomi politiko-territoriale me të drejtë bashkimi Kosovës!”. Një marsi i para 26 vjetësh, vërtet, ishte një ditë gëzimi për shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët për herë të parë gjatë historisë, në mënyrë dinjitoze prisnin në radhë për ta votuar Referendumin, nëpër vendvotimet e stolisura me posterë dhe flamuj kombëtarë. Ata kishin arsye pse i gëzoheshin kësaj dite madhështore, ngase shprehin një akt të lart politik për bashkim me Kosovën, pjesë integrale e së cilës kishin qenë gjithmonë, gjatë historisë, mirëpo Serbia, i aneksoi për t’i administruar deri në ditën e sotme. Regjimi i atëhershëm i Milosheviqit, nuk e ndaloi Referendumin e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, përpos disa incidenteve gjatë procesit të votimit në Medvegjë, por nuk lejoni realizimin e tij, duke e injoruar, përbuzur e nënçmuar me metodat më primitive.

U mbushën 26 vjet Referendum e statusi politik i shqiptarëve të Luginës, mbeti po ai i mëparshmi. Mosrealizimi i Referendumit dhe presionet e pandërprera të regjimit të Beogradit, pas 8 vjetësh plasi kryengritja e shqiptarëve të Luginës për liri, duke u organizuar rreth luftës së Ushtrisë Çlirimtare për Preshevës, Bujanoc dhe Medvegjë UÇPMB-së. Referendumi, lufta çlirimtare dhe ndërkombëtarët sollën Marrëveshjen Paqësore të Konçulit, më 2001, duke sensibilizuar çështjen shqiptare në Luginë të Preshevës, por nuk e zgjidhën në esencë problemin shqiptar në Serbi. Shqiptarët e Luginës, gjatë këtyre viteve kanë fituar vetëm pushtetet lokale, në Preshevë, Bujanoc e pjesërisht në Medvegjë, pa ndonjë përfaqësim adekuat në Kuvendin republikan të Serbisë dhe të Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Po gjendja e shqiptarëve të Luginës edhe në këtë përvjetor të 26-të të Referendumit, mbetet e brishtë dhe me probleme politike dhe ekonomike. Edhe pas kaq vitesh nuk është zgjidhur akoma me ligj përdorimi i lirë i simboleve kombëtare, nuk është zbatuar në praktikë dygjuhësia, madje Lugina e shqiptarëve vazhdon të jetë e mbërthyer me forca të shumta të xhandarmërisë, ushtrisë dhe policisë. Gjithashtu edhe më tej vazhdon të jetë aktuale migrimi i popullatës në perëndim, për shkak varfërisë ekstreme dhe papunësisë, pasivizimit të vendbanimeve dhe shlyerjes së shqiptarëve nga regjistrat e gjendjes civile, me tendencën e ndryshimit të hartës demografike, në llogari të elementit serb, i cili në këto hapësira ka qenë gjithmonë pakicë.

Spektri politik shqiptar, shoqëria civile e mbi të gjitha populli i Luginës së Preshevës edhe pas 26 vjet të Referendumit, nuk ka hequr dorë nga përpjekjet e kauzës kombëtare për liri, demokraci dhe pavarësi. Proceset politike, ndonëse, kanë ngecur rreth zgjidhjeve së çështjes shqiptare në këto komuna të banuara me shumicë shqiptare, synimet për realizimin e idealeve kombëtare e qytetare nuk kanë pushuar kurrë. Klasa politike shqiptare e këtij rajoni, në objektivat e saj, ka për synim realizimin e verdiktit të popullit, të shprehur në Referendumin e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992, “për një Autonomi politiko-territoriale me të drejtë bashkimi Kosovës”. Kjo është rruga më e drejtë dhe më e qëndrueshme e realizimit të aspiratave shekullore të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, për të cilën rrugë u flijuan djemtë dhe vashat më të mira të kombit tonë.

Në zonën lindore të Dardanisë antike, shtrihet: Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, përkatësisht të Luginës së Preshevës, me një sipërfaqe tokësore prej 1249 km2 dhe 139 vendbanime. Popullata shqiptare e kësaj zone me rreth 100 mijë banorë paraqet etnikumin më të vjetër të territorit të Dardanisë. Kjo zonë kufitare nga më të bukurat të Ilirisë, përbën strategjinë e tokave shqiptare, patriotizmin dhe fisnikërinë si dhe begatinë e pakrahasueshme të monumenteve historike, kulturore, arkeologjike etj. E vërteta historike se rajoni i Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës paraqet tërësinë tokësore gjeografike dhe gjeopolitike me Kosovën, buron nga e dhëna arkivore se ky rajon ka qenë gjithmonë pjesë e pandarë e Vilajetit të Kosovës. Pas Kongresit të Berlinit, më 1878, kufiri midis Vilajetit të Kosovës dhe Serbisë kalonte nëpër Ristoc, përgjatë Bujanocit dhe Vrajës. Para dhe gjatë 1878, rajoni i Preshevës dhe Bujanocit me rrethinë njiheshin si qendër e administratës otomane. Pas vitit 1918 këto dy komuna ngelin si qendra rrethi në Zhupën e Shkupit. Më 1945, kur mbaroi Lufta e dytë Botërore, popullata shqiptare e këtyre komunave e përjetoi edhe një ndarje tragjike. Këto komuna arbitrarisht u shkëputën nga Kosova për të mbetur si qendra rrethi ose komunash në kuadër të Serbisë. Pavarësisht nga kufijtë politikë, popullata shqiptare falë sakrificës dhe patriotizmit arriti ta ruajë së pari bërthamën njerëzore, traditën, zakonet e mbi të gjitha dinjitetin kombëtar. Këta kufij politikë nuk arritën ta ndërpresin lidhjen fizike dhe shpirtërore të kësaj pjese të cunguar të Atdheut me zonat e Karadakut dhe Gollokut, që shtrihen në Kosovë dhe Maqedoni. Lidhjet jetësore midis shqiptarëve të kësaj ane me vëllezërit e tyre në Kosovë edhe sot ruhen dhe begatohen me devotshmëri, pavarësisht nga ndarjet me kufij politikë.

Të tjera

Abissnet