Redi Hasa, violonçelisti që i dhuroi publikut shqiptar një “përrallë” mesdhetare

Foto 1 nga 10 Pas Para

Instrumentisti me famë ndërkombëtare Redi Hasa performon në trio “Përrallë mesdhetare”. Publiku e rikthen dy herë në skenë violonçelistin, që bashkëpunoi me Robert Plant në “Carry fire”

Anila Dedaj

Ka prekur skena prestigjioze e udhëtuar në terrene të largëta, por asnjë tokë nuk i është më e ëmbël se Shqipëria. Jeton prej 20 vitesh në Salerno të Italisë dhe largësia ia shton edhe më mallin Redi Hasës… Miq e dashamirës të muzikës së tij, një shishe verë e një shportë me fruta në një tryezë të vogël, dhe ai nuk mund ta mohojë se “i duket vetja si në shtëpi”.  Ndërsa, Metropoli është stolisur me motive tradicionale për t’i mirëpritur, ai tregon me thjeshtësi se: “Donim të bënim diçka shumë familjare”. Me vete në kuadër të “Metro Sounds”, artisti kreativ, ndër më të mirët në Evropë në violonçel ka marrë miqtë e tij, këngëtaren Rachele Andrioli dhe firzamoniçtin Rocco Nigro, jo vetëm për të performuar, por edhe për t’u treguar nga afër “rrënjët”, për të cilat nuk resht së foluri me krenari.  Ata vijnë në Shqipërinë e vogël, pas një turi në Paris dhe së bashku me Hasën sjellin me vete edhe energjinë e vendeve të tjera, duke e ftuar publikun në një përrallë nga ato që të tronditin shpirtin e të bëjnë përmes tingujve të prekësh realitete muzikore. Një “Përrallë Mesdheu”, që publiku pati mundësi ta përjetoj këtë fundjavë përmes një udhëtimi në një varkë jo të zakontë, varkë tingujsh që buronin nga shpirti. Për Redin të performojë në Shqipëri mbetet gjithmonë një emocion i madh. Edhe pse luan në skena të mëdha, ambienti eksperimental i Metropolit për një ngjarje të tillë i duket nga më të ngrohtit që ka prekur. Vlerëson gjithçka, fjalët përshëndetëse, një shtrëngim dore, përpjekjet e organizatorëve dhe falënderon me përulësi, ashtu siç artistët e mëdhenj dinë të bëjnë. Është krenar që ka sjellë dy nga muzikantët më të mirë të Italisë së Jugut: “Janë ndër profesionistët më të mirë me të cilët kam pasur mundësi të shkëmbej muzikë edhe miqësi”. Rachele-n dhe Rocco-n i njeh prej afro 2 dekadash, që në vitet e para në Lecce. Ndaj është i lumtur që miqtë e tij në Shqipëri do të përshkojnë “Përrallën mesdhetare” edhe me ta. Për të ky koncert që nisi në Tiranë për të vijuar në Korçë me muzikë shqiptare dhe këngë italiane, është një udhëtim sa muzikor edhe shpirtëror. “Përmes tingujve bëjmë që publiku të ndalojë në ato vende të Mesdheut që ne ‘fotografojmë’, të rrugëtoj bashkë me ne. Përmes një varke imagjinare, si ajo që ndërtonim kur ishim fëmijë”. Hasa në fjalët e tij, duket se ka ruajtur brenda vetes fëmijën, sinqeritetin e ndjeshmërinë, çka krijon një urë më shumë mes muzikës së tij dhe njerëzve, e pasuron muzikën e tij. Ndodh kështu edhe në marrëdhënien që ka me violonçelin e tij. E trajton si të ishte një njeri, madje ka edhe një emër. E quajnë Sofia dhe për të ka vlera të forta sentimentale, pasi i përket mamasë së tij, e cila siç Hasa tregon ka qenë mësuese për 45 vite rresht. Në shtëpinë e tij, në vegjëli vinin për mësim nxënësit e saj të shkollës së muzikës “Kongresi i Përmetit”, nga ana tjetër i vëllai Eklandi (sot pianist i njohur) që ushtronte në piano e bënin shtëpinë një strehëz të vogël tingujsh, prej të cilës duket se Redi nuk mund të dilte i paprekur. Një dashuri të fortë për muzikën tradicionale ia ka ushqyer edhe i ati, balerin në TKOB, i cili do ta njihte fillimisht violonçelistin e ardhshëm me magjinë e skenës, të kostumografisë, duke e marrë me vete në prova e shfaqje. Ai ende sot kujton baletet “Lola”, “Romeo dhe Zhuljeta” etj. Pavarësisht kësaj, asokohe Redi tregon, se nuk ëndërronte muzikën, por dalëngadalë tingujt e violonçelit do të mbërrinin në shpirtin e tij duke krijuar një “duo” të pandashme. Sot ai pohon, se nuk mund ta imagjinojë jetën e tij pa të. “Është pjesë e imja”. Ashtu siç rrëfen, se është edhe kjo tokë ku lindi, me të cilën ka një lidhje të fortë emocionale. Do ta gjente atë edhe në Italinë e Jugut, ku në 98-ën pas trazirave shkoi për të gjetur një shteg, për të mos ndalur edukimin e tij si muzikant, në një kohë që në Shqipëri mundësitë ishin të vakëta. “Nga Otranto, në Santa Maria di Leuca (Lecce), kur ajri është i kthjellët mund të shikohen rrugët, shtëpitë e vogla”, tregon Redi, ndërsa shton, se me kureshtje e shohin Shqipërinë matanë edhe italianët, tek të cilët gjen tipare të ngjashme me shqiptarët. “I japin rëndësi mikpritjes, shoqërisë gjëra që kanë shumë vlerë në jetë”. Nuk i kanë munguar gjatë rrugëtimit jetësor dhe profesional edhe momentet e vështira, të cilat sipas tij, njerëzit duhet t’i kthejnë në forcë për të bërë përpara. Kështu me këtë objektiv, kur ai do të mbaronte konservatorin “Tito Schipa” në Lecce (të drejtën e studimit e fitoi falë një burse) do të kuptonte, se ai dhe instrumenti i tij i përzgjedhur mund të bënin më shumë, edhe pse kishte studiuar muzikën klasike. “Violonçeli ka një diapazon të madh, tingulli i tij është i ngjashëm më zërin e njeriut”. Ndërsa, njerëzit përgjithësisht janë mësuar ta shikojnë violonçelin si pjesë të muzikës klasike, solos apo muzikës së dhomës, Hasa zbuloi se me të mund të bëhej edhe më shumë, mund të eksperimentohej. Një proces ky, që vijon edhe sot. “Nuk mbaron asnjëherë, violonçeli të jep mundësinë të zbulosh gjithnjë e më shumë, ka një liri të brendshme për t’u admiruar”.

“Muzika shqiptare në diskun tim”

Kur Redin e pyesin se cila është pjesa e tij e preferuar ai buzëqesh lehtë, zgjat duart drejt violonçelit dhe luan “Pranvera filloi me ardhë”. Një pjesë, që siç tregon, e sjell në Shqipëri sa herë që mallohet për njerëzit, vendin ku është rritur. Muzikën tradicionale shqiptare e konsideron si një xhevahir të çmuar, ndaj edhe i jep asaj “krahë”, duke e bërë pjesë të diskut të tij, që pritet të dalë në mars. Regjistrimet i ka bërë në Londër në “Real World” në studion e  kantautorit anglez Peter Gabriel, dhe siç tregon në të jetësohen kujtimet e tij. Një proces pune, që ka qenë më shumë shpirtëror. “E ndieja të nevojshme të kthehesha këtu, të kujtoja nga fëmijëria, duke zgjuar gjërat që më kanë mbetur brenda, momentet më të çmuara. Sepse, vrulli i jetës shpesh na bën të harrojmë shumë gjëra, nuk të lë të marrësh frymë lirisht”. Kështu artisti vendos që për muzikën, brendinë e tij “të ndalë” kohën dhe të kthehet fëmijë. Duke ardhë në shtëpinë e tij të vegjëlisë, ku do të dedikonte pjesë për pemën e vjetër të qershisë, malin e Dajtit, rrugicën ku luante nw fëmijëri me topin prej lecke. Gjëra që i mungojnë dhe e bëjnë nostalgjik, një nostalgji pozitive që ai e shndërron në art. “Asokohe shumë gjëra nuk i kishim, por zotëronim një liri shpirtërore të jashtëzakonshme. Më mungojnë ato kujtime, ndaj e ndiej shpesh nevojën për t’u rikthyer dhe fotografuar”.

Redi Hasa në “Carry fire” të Robert Plant

Edhe pse aktualisht po përjeton momente të shkëlqyera në karrierë, ku përfshihen angazhime me emra të njohur të muzikës, ai gjen kohë dhe rikthehet në vendin e tij, si të ishte për të një katalizator shpirtëror. Ndihet i kënaqur për arritjet e tij, mundësitë që falë talentit i janë ofruar. I tillë është bashkëpunimi me kompozitorin dhe pianistin e famshëm italian Ludovico Einaudi, i cili shkruan pjesë edhe për filma e teatro.  “Tani është duke shkruar për një operë bashke me orkestrën e Palermos, për këtë ishim teatrin ‘Massimo’”.  Me Einaudin artisti shqiptar do të performojë në 21 mars në teatrin “Carlo Felice” në Xhenova. Një tjetër bashkëpunim shumë i frytshëm që lë gjurmë në karrierën e artistit shqiptar është ai me Robert Plant, këngëtarin e grupit të famshëm “Led Zeppelin”. “Kam regjistruar për të, një eksperiencë e mrekullueshme për mua, pasi ne jemi rritur me atë muzikë dhe ta takosh nga afër, me ato kaçurrelat e verdha, siç e mbaja mend ishte një emocion i jashtëzakonshëm”. Në albumin e 11-të legjendës së “Led Zeppelin”, “Carry Fire”, violonçelisti shqiptar i është bashkuar bandës në tre pjesë, bashkë me instrumentistin e njohur Seth Lakeman në violë dhe violinë.  Krahas sukseseve të prekura jashtë, koncerti në Shqipëri e bën edhe më shumë entuziast. Në Tiranë publiku e riktheu në skenë dy herë, ndërsa në Korçë ka planifikuar që bashkë me kolegët të qëndrojë 4 ditë. “Shpresoj të rrimë më shumë, dua t’u tregoj Roccos dhe Racheles serenatat për të cilat u kam folur, vendin”. U është mirënjohës miqve të tij, pasi siç tregon në dyert që janë hapur kanë ndikuar edhe eksperiencat muzikore që ka pasur me ta. Me vete do të marrë duartrokitjet, mallëngjimet, shikimet e fjalët e ngrohta, dashurinë e njerëzve dhe aromën e Shqipërisë, atë që fshihet në më të mirat vlera e tradita. Janë këto e të tjera që e bëjnë të rikthehet sa herë që mundet, për t’i dhuruar shqiptarëve nga arti i tij, për të marrë nga emocionet, reagimet e tyre, kur energjia e muzikës ngacmon telat e shpirtit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet