Reciprocitet për mbrojtjen e shqiptarëve të Serbisë  

Nga Muharrem Saljihu

Integrimi i shqiptarëve si komb në bashkësinë evropiane, pavarësisht emrit të shtetit ku ata jetojnë, nuk duhet të kryhet në kurriz të shqiptarëve autoktonë të Serbisë. Presidenti i Kosovës që po udhëheq negociatat mes Kosovës dhe Serbisë, mbi detyrimin moral, politik dhe kombëtar mund të ketë në fokus të punës së tij edhe mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të bashkësisë shqiptare në Serbi, të cilët vijojnë të pësojnë dhe të jetojnë pasojat e dëmshme të marrëveshjeve të deritanishme, të realizuara mes Kosovës dhe Serbisë.

Nuk e teprojmë aspak që ti drejtohemi në këtë mënyrë faktorit politik shqiptar në Kosovë, pasi lidhja shpirtërore, fizike e gjeografike e popullsisë shqiptare në dy anët e kufirit është një realitet tipik, me dy pamje të kundërta që e kanë të nevojshme të balancojnë marrëdhëniet ndërshtetërore me interes të përbashkët. Sot qyteti i Gjilanit në Kosovë dhe në rrethinat e tij, është bërë porta e pritjes dhe e paqes, për shumë familje të shpërngulura nga tre komunat shqiptare nën Serbi, të cilat për motive të ndryshme, veçanërisht politike, kanë lënë vatrat e tyre përkohësisht. Mbi këtë realitet, fakt është që marrëveshjet e arritura deri me sot mes dy palëve, po zbatohen në mënyrë të njëanshme, duke shkarkuar pasojat mbi popullsinë shqiptare dhe serbe të zonës, për shkak të një izolimi të ri dhe të pashpallur, por që realisht vepron me efekte dhe pasoja negative. As më shumë e as më pak, larg paragjykimeve dhe nocioneve nacionaliste, çështja shtrohet në një pamje të qartë, mbi një realitet që nuk mund të tolerohet, kur është fjala për respektimin e standardeve të shtetit të qytetarit.

Zelli i madh dhe nxitim i kahershëm shfaqet në zbatimin e elementëve që dëmtojnë dhe diskriminojnë veçanërisht shqiptarët në Serbi, përballë propagandës që bëhet “mbi suksesin e bisedimeve”, duke mos marrë parasysh reciprocitetin dhe detyrimet institucionale për të krijuar një klimë paqësore në të dy anët e kufirit Kosova – Serbi. Nuk mund të kalohen këto çështje delikate në heshtje, ndërsa ndodh që për mbrojtjen e të drejtave të popullsisë shqiptare që jetojnë brenda shtetit të Serbisë, kërkesat e marrëveshjeve fokusohen brenda kufijve të Kosovës dhe as bëhet fjalë që të drejtat njerëzore të zbatohen nga pala serbe, si një shtet që aspiron drejt BE-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet