Ramadani: Luftëtari do të rikthehet bindshëm

Publikuar më 11. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Mesfushori i skuadrës së Luftëtarit, Behar Ramadani është kthyer në formën më të mirë pas dëmtimit që e la jashtë fushave të lojës për disa javë. Ai shprehet se gjirokastritët kanë grumbulluar në këtë fazë më pak pikë se sezonin e kaluar pasi nuk u përgatitën si duhet në fillim të sezonit. “Është e vërtetë se në këtë fazë kemi grumbulluar më pak pikë, krahasuar me një vit më parë. Po kështu, duhej të kishim shënuar më shumë gola. Këto mangësi e kanë një shpjegim dhe për mendimin tim e filluam kampionatin të papërgatitur si duhet.

Vonesa në kohë në grumbullim, por edhe cilësia e stërvitjes, bashkë me përgjegjësinë tonë në disa ndeshje, na pozicionuan në fundin e renditjes, e cila do të jetë e përkohshme”, shprehet Ramadani. Ai beson se në sfidat e radhës, Luftëtari do të marë rezultate pozitive.

“Jo vetëm dy ndeshjet e radhës që do t’i luajmë në fushën tonë, por në vazhdim do të jemi edhe më rezultativë se në sezonin e kaluar. Mungesa e fitoreve në disa takime, që i konsideronim si të fituara, na krijuan një ngërç psikologjik. Të godasësh pesë herë shtyllat apo të shpërdorosh raste ideale për gol, nuk është e lehtë”, përfundon Ramadani.