Rama shemb Teatrin Kombëtar

Foto 1 nga 5 Pas Para

Nga Valeria Dedaj

Godina ekzistuese e Teatrit Kombëtar do të shembet. Brenda tre viteve do të ndërtohet ndërtesa e re bashkëkohore. Arkitekti Bjorke Ingles prezanton projektin për Teatrin e ri Kombëtar. Artistët që u ngjitën në skenën e godinës 73-vjeçare, do kujtohen në një kënd 

Godina e vjetër e Teatrit Kombëtar do të shembet. Natyrisht, sipërmarrësit, kompania nuk do të vijë që të bëjë teatrin dhe të shkojë në falimentim. Në pjesën tjetër do të bëjë zhvillimet e veta, që do të jenë pjesë integrale e zhvillimit të qendrës së re të kryeqytetit”. Kjo frazë e thënë nga kreu i shtetit, Edi Rama, i parapriu prezantimit të projektit për Teatrin e ri Kombëtar dje në ambientet e COD në kryeministri. E mesa duket, është e qartë që kompanitë dhe sipërmarrësit nuk do të shkojnë në falimentim, sepse do të ketë bare, restorante dhe dyqane, të cilat do të kufizojnë teatrin e ri bashkëkohor, që mendohet të ndërtohet brenda tre viteve të ardshme nga arkitektët e studios daneze “Bjarke Ingels Group”.

Një ndërtesë, jo vetëm për ata që blejnë një biletë për të parë teatër, por edhe për të hyrë dhe dalë për dëshirë. Mund të zgjidhni teatrin, por mund të zgjidhni edhe baret”. Ky është koncepti për identitetin e ri të Teatrit Kombëtar, shpjeguar dje nga arkitekti danez Bjorke Ingles. Dy salla “Black box” për shfaqje eksperimentale nga të cilat mund të vëzhgohen jo vetëm nga brenda, por edhe nga jashtë nëpërmjet xhamit. “Qarkullim publik, që jep askes deri në çati. Pesë hapësira për shfaqjet që programohen në të njëjtën kohë, njësoj si një makineri e madhe. Nuk do të mungojnë hapësirat për restorante, dyqane të vogla, tarraca të ndryshme dhe dhoma ndenjje, siç nuk do të mungojë as këndi i atyre që kanë ndërtuar historinë e këtij teatri. Në çati mund të shihet një restorant apo një bar, por, mund të shihen edhe 1000 njerëz, që mund të shikojnë shfaqjet”, shpjegoi dje gjatë prezantimit të projektin e Teatrit Kombëtar në kryeministri për artistët arkitekti Bjorke Ingles.

Bjorke Ingles, projekti i Teatrit të ri Kombëtar 

Shtëpia e re e aktrimit është konceptuar të jetë, si zemra kulturore e Tiranës dhe e gjithë Shqipërisë dhe e dedikuar vetëm për art. Projekti i prezantuar nga një studiot më të mëdha ndërkombëtare të arkitekturës në botë, “Bjarke Ingels Grop” me qendër në Danimarkë, ofron një godinë të arkitekturës me dizajn modern dhe që krijon një hapësirë unike në qytetin e Tiranës, duke ofruar të gjitha kushtet e nevojshme dhe frymëzuese për zhvillimin e talentit të aktrimit, ashtu edhe për vet publikun, i cili mund të angazhojë imagjinatën. Projekti gjithashtu garanton një akses të këmbësorëve që udhëtojnë nga rr. “Sermedin Said Toptani” në rrugën paralelë me të. Hyrja kryesore në teatër është e mundur përmes shëtitores “Murat Toptani”, ndërsa hapësira e sheshit publik në nivelin përdhes, siguron hyrje të mbuluar në teatër, së bashku me hapësirën publike për mbledhje, ose argëtim. Godina është organizuar me dy pjesë, ku njëra i është dedikuar tërësisht administratës dhe aktorëve dhe pjesa tjetër publikut. Të dyja pjesët duket se ndërveprojnë mes tyre nëpërmjet sallës së madhe të teatrit, si dhe dy sallave Black Box që janë kushtuar shfaqjeve. Duke krijuar një triptikë të vendtakimeve, bëhet e mundur që mekanizmi përpara godinës të jetë shumë i thjeshtuar. Godina është parashikuar si një makinë efikase, por poetike e teatrit. Të gjitha programet janë vendosur në mënyrë optimale në aspektin e funksionalitetit, ndërsa krijojnë një përvojë spektakolare për spektatorët në teatër. Një hyrje e madhe ndahet midis tre sallave të performancës dhe nëse është e nevojshme, hapësirat mund të ndahen për shfaqje të shumta që ndodhin në të njëjtën kohë. Qarkullimi është gjithmonë i ndarë nga publiku. Punonjësit kanë akses nëpërmjet ashensorëve të tyre primarë dhe të mallrave, si edhe korridoreve private. Personeli administrativ futet në godinë nëpërmjet parkingut ose nën harkun. Pasi të futen brenda, ata kanë bërthamat e tyre të qarkullimit. Zyrat administrative ndodhen në katet e sipërme pjesën veriore me pamje nga qyteti. Furnizimi dhe shërbimet mbështetëse ndodhin nëpërmjet ashensorit të mallrave dhe kanë rrugë të dedikuara për punëtorët, si dhe Black Box në verilindje.

Aktorët qëndrojnë në një ndërtesë të ngjashme me atë të personelit administrativ. Sapo të hyjnë brenda, ata kanë dhoma zhveshjeje dhe zona të tjera mbështetëse pranë auditorit. Rrugët e dedikuara sigurojnë që ata kurrë nuk kalojnë në zonat ku kalon publiku, kur udhëtojnë ndërmjet reparteve të ndryshme dhe hapësirave të teatrit. Publiku hyn në ndërtesë nga niveli i tokës, ose nga fasada në anën jugore, ose nën hark. Biletaritë janë të rrethuara nga dy shkallët e mëdha, që të pranishmit t’i tërheqin në pjesën e hollit.

Ambientet për shfaqjet edhe aktorët, 750 metra katror auditor me mbi 600 vende

“Janë 300 metra, që njerëzit mund të ecin, në parqe, rrugë, shëtitore, sepse ndodhemi realisht në zemër të qendrës së qytetit. Prandaj synojmë që projekti të bëhet një urë për të lidhur ndërtesat e ndryshme, të cilat ekzistojnë në të gjitha anët”, thotë arkitekti danez. Ideja e tij është që baraket e ndërtuar nga ushtarët italianë, që kanë shërbyer për shumë vite për teatër tani të kthehen në hapësira të klasit botëror për shfaqje të ndryshme. “Ndërtesat e ndryshme ekzistuese nuk janë të afta për të akomoduar një Teatër Kombëtar. Ideja jonë është që të krijojmë një auditor të ri të madh, dy teatro “Black box” për shfaqje eksperimentale, që të japim shfaqje moderne. Në pjesën e përparme për të akomoduar audiencën është bari… Jemi përpjekur që të shohim konfigurime të ndryshme për të parë se si të mund që të krijojmë vendet më ideale për shfaqjet. Testuam disa ide, kur bëhet fjalë për pamjen nga njëra anë do të sugjeronim që të krijohej një lloj larmishmërie për shfaqjet, që është pjesa e skenës, mbiskenën, që do të qarkullojë gjatë shfaqjes, që sheh nga ‘Reja’ etj”, shpjegon më tej arkitekti.

Në atë nivel, vizitorët mund të vazhdojnë deri në shkallët në ulëset e ballkonit dhe në çati, ose të marrin shkallët alternative deri në ambientet e shërbimit. Ndërkohë, që hapësira në nivelin zero (kati përdhes) krijon një vend për argëtim joformal, ose për performancë të planifikuar publike. Hapësira në pjesën ballore të Shtëpisë i shërben drejtpërdrejtë hapësirës kryesore të auditorit, me akses në të dy sallat “Black box”. Çatia gjithashtu ofron hapësira publike për shfaqje informale ose specifike dhe me pamje mbi Parkun e Besimit.

Teatri i ri do të ketë të dedikuar disa ambiente të posaçme për shfaqjet dhe aktorët. Më konkretisht do ketë një hapësirë prej 750 metra katror auditor dhe me mbi 600 vende, me ballkon. Gjithashtu do të ketë një skenë teatri prej 630 metra katror dhe dy salla “Black box” prej 200 metra katror secila. Gjithashtu për artistët do të ketë një hapësirë prej 200 metra katror që do përdoret si sallë ndërrimi, një sallë provash prej 200 metrash katror, tualete dhe dushe si dhe një dhomë të gjelbër. Në shërbim të shfaqjeve të ndryshme artistike do ketë një dhomë instrumentesh muzikore, një depo materialesh skenike, një depo dekori, sallë teknikësh, etj. Gjithashtu do të ketë sallë kursesh dhe të gjitha facilitetet për publikun.

Artistët e pranishëm

Në mjediset e kryeministrisë, ku u prezantua projekti i Teatrit të ri Kombëtar, që sipas prezantimit ka për qëllim që të jetë një godinë me arkitekturë moderne, që do të krijojë një hapësirë të veçantë lidhëse në qendër të Tiranës, duke ofruar të gjitha kushtet e nevojshme dhe frymëzuese për zhvillimin e talentit të aktrimit, kërcimit ashtu edhe për vet publikun, i cili mund të angazhojë imagjinatën, duke mos munguar as ambientet relaksuese, si baret dhe restorantet. Të pranishëm për të dëgjuar prezantimin e projektit ishin të ftuar pedagogë të Universitetit të Arteve, drejtues të institucioneve të kulturës (, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, drejtori i Teatrit Kombëtar, i Arkivit të Filmit, i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit) dhe ikonat e skenës së teatrit dhe kinematografisë shqiptare, si Tinka Kurti, Robert Ndrenika, Piro Milkani, Gëzim Kame, Kujtim Çashku dhe arkitekti Maks Velo.

Artistët të tjerë, si Altin Basha, Kastriot Çaushi, Vasjan Lami, Artan Imami, Hervin Çuli, Iris Elezi, Armando Bora, Laert Vasili, Gazmend Paja, Gent Hazizi, Petrit Malaj, Milto Kutali, Olta Daku, Lulëzim Zeqja edhe artistë të TKOB-së, si Zana Çela, Etrita Ibrahimi, Abigiela Voshtina, Gerti Druga etj.

Ndërsa, nuk janë ftuar artistët që gjatë këtyre ditëve kanë qenë kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, qoftë anëtarë të Sindikatës së Artistëve të Skenës dhe Ekranit, si Kastriot Çipi, Romir Zalla apo edhe të Shoqatës së artistëve të pavarur të Teatrit Kombëtar, si Arben Derhemi etj.

Të tjera

Abissnet