Rama, grabitja tjetër me karburantet

Arben Rrozhani

Sekretar për PR i partisë ‘Zgjidhja’

Prej fundkorrikut, kryeministri i ka gjetur punë vetes duke prezantuar dhe premtuar ‘Stop informalitetin” në tregtimin e karburanteve, krahas spastrimit të plazheve publike nga zaptuesit privatë. Pas qindra minutave dalje televizive me ministret dhe drejtorët, qeveria premton se deri në tetor do të vendosë ligjin në sektorin e tregtimit dhe rritjen e cilësisë së naftës dhe benzinës, me taksat e të cilave nuk ka të ngopur buxheti i shtetit dhe tregtarët e mëdhenj.

Mashtrimi i radhës? Po të rikthehesh pak vite pas në kohë, kështu duket. Ta ilustrojmë me disa premtime të nisura që nga viti 2015:

“Konsumatori do të shohë dhe do të ndjejë në vijimësi një përmirësim rrënjësor të cilësisë dhe të kontrollit nga shteti të të gjitha pikave të karburanteve. Investimi në këtë laborator na siguron që të kemi një strukturë shumë kompetente për të luftuar çdo spekulim me cilësinë e naftës. janë planifikuar një sërë hapash të tjerë për kontrollin online për të shmangur evazionin dhe manipulimin me cilësinë. Në fund të këtij viti do të mund t’i themi shqiptarëve se makina e tyre nuk është më ë kërcënuar nga mungesa e cilësisë së karburantit”. (Rama, janar 2015)

“Industria të kuptojë që ne do mbështesim këto që bën në këtë sektor dhe në gjithë sektorin e energjisë së vendit, por ne nuk do të pajtohemi me asnjë sipërmarrje që shkel ligjin, historitë që u kanë ndodhur qytetarëve të thjeshtë me shkatërrimin e automjeteve të tyre, apo në zona ku kjo insustri ka bërë dëme duhet të marrë fund, dhe ne duhet ti japim fund kësaj duke i dhënë secilit hakun që i takon. Nuk mbështesim asnjë që shkel ligjin. Produktet e naftës do t’i nënshtrohen kontrollit rigoroz. Rafinerita e naftës do ‘ti nënshtrohen një kontrolli rigoroz që do të jetë ajo që shkruhet në ligjet e qeverisë. Më tej tregtimi me shumicë, tregtimi me pakicë, procedurat e kontrollit, asiro, cilësor dhe fisak lnë ras të eksportit vendas dhe sigurisht, edhe shoqëritë e prodhimit të naftës bruto të cilat duhet ta marrin mesazhin se toleranca do të jetë zero.” (Rama, prill 2015)

Po në maj 2015, Rama njoftoi se do të nisë një aksion për kompanitë e prodhimit të naftës dhe pikave tregtare që shesin karburant jo cilësor. “Përballja me ligjin ndaj abuzuesve të naftës, do të jetë edhe më e ashpër se asnjëherë tjetër. Aksioni që pritet të nisë shumë shpejt ka rëndësi jetike për ekonominë dhe mjedisin e vendit. Kemi një plan të detajuar për mënyrën e prodhimit të naftës bruto në vend”.

Këto pak shembuj tregojnë shumë. Qeveria bën fushata dhe aksione, por gjendja bëhet edhe më e rëndë.

Një fakt që prek të gjithë poseduesit e mjeteve motorrike, që dëmtohen nga mungesa e cilësisë së karburanteve. Nga 1 korriku 2016, shumica e automjeteve kthehen mbrapsht në pikat e monopolit qeveritar të kolaudimit për nivelin e ndotjes që vjen nga gazrat. Kjo lidhet direkt me cilësinë e ulët të karburantit. Sipas specialistëve, qeveria nuk merr përsipër të kontrollojë pikat e karburanteve, për të garantuar cilësinë, por urdhëron koncesionarin që të skualifikojë automjetet.

Karburanti pa cilësi, jo vetëm dëmton makinat dhe buxhetet familjare, por shkakton ndotje masive dhe shton sëmundjet. Mjekët pneumologë thonë se ndotja nga karburantet ka ndikuar në rritjen e numrit të të sëmurëve me kancer në mushkëri apo sëmundje të tjera respiratore dhe në një vit shtohen rreth 600 raste me kancer mushkërie.

Shqipëria ka edhe karburantet më të shtrenjtë në Europë. Rreth nesh, në Kosovë ajo kushton 143-151 lekë, ndërsa në Maqedoni 137-153 lekë për litër për shkak te taksave që janë shumë më të ulëta. Qytetarët shqiptarë paguajnë 8 taksa mbi çmimin e karburanteve, një rast i paprecedentë, jo vetëm në Evropë, por edhe në botë. Qeveria mbledh 37 lekë akcizë, 27 lekë taksë qarkullimi, 3 lekë taksë karboni dhe 7 deri në 10 lekë taksë rilicencimi, që shkojnë në buxhetin e shtetit, ndërsa tarifa e markimit dhe ajo e skanimit që kushtojnë 3 lekë në çdo litër karburant u shkojnë kompanive koncesionare, të cilave do t’u shtohet edhe taksa e re prej 2 lekë për litër e kontrollit të pompave, që iu dha në korrik një kompanie private, duke ia marrë Drejtorisë së Metrologjisë. Barra totale e taksave që qytetarët paguajnë për një litër naftë është 112 lekë.

Ky nuk është fundi i çmendurisë qeveritare me çmimet e karburantit. Qeveria ka vendosur ngritjen e një agjencie shtetërore, që do të blejë, menaxhojë dhe tregtojë një sasi të caktuar rezerve karburanti në rast krize. Kjo nismë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë sanksionon se për çdo litër karburant do të vilet një tarifë që do të përcaktohet me VKM që do të shkojë për krijimin dhe mbajtjen e rezervës dhe do të menaxhohet nga një agjenci e re. Paratë do t’i paguajnë sërish shqiptarët. Me paratë dhe jetët e tyre. Rama do të vjelë edhe më shumë fonde nga karburantet dhe do të kujtohet sërish që të bëjë aksione ‘Stop informalitetit’, siç po bën tani, për spektakël. Kjo është një politikë zhvatëse dhe e pamëshirshme e horrave të pushtetit.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet