Rama dhe Nikolla takim me Senatin e UT: Nuk tërhiqemi nga ligji i arsimit të lartë

Publikuar më 14. 02. 2018 nga Eno Shkëmbi

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla po zhvillojnë sot një takim me Senatin e Universitetit të Tiranës në Kryeministri. Takimi po mbahet pas shqetësimeve të ngritura nga pedagogët pas vonesave të pagave dhe kundërshtive të tyre lidhur me ligjin e ri të arsimit të lartë.

Në fjalën e saj Nikolla justifikoi praninë e përfaqësuesve të pushtetit vendor dhe biznesit në universitete.

“Brenda shkurtit ne përmbyllim 100 për qind aktet nënligjore. Në kërkesat që bëjnë profesorët, ka edhe një kërkesë që qeveria duhet të shkarkojë tre pjesëtarët e vet në Bordin e Administrimit. Kjo nuk është çështje ultimatumesh apo kokëfortësie. Kjo është çështje qëndrimesh reciproke në bazë të ligjit. Qasja e arsimit të lartë ka qenë që ne të kemi përfaqësues të pushtetit vendor, të biznesit për të diversifikuar financimin”, tha Nikolla.

Ndërkaq Rama nuk sheh asnjë problem në ligjin e ri të arsimit të lartë, duke thënë se askush s’e merr dot peng reformën.

“Ata që kërkuan takim nuk janë prezentë dhe nuk e di pse. Askush nuk e merr dot peng reformën. Shqetësimet sado legjitime të jenë duhet të shprehen në rrugën e kësaj reforme. Problemi që universiteti ka sot e ka me vetveten. Pati një kosto, rektori e konsideroi si ‘kosto të bukës së gojës’, që ishte pak poetike dhe emocionale”, tha ai.