Raketat hipersonike me aftësi të dyfishtë, kërcënim i madh global

Teknologjitë e reja që përdoren për prodhimin e raketave, përfshirë të ashtuquajturat sisteme hipersonike të afta për të fluturuar me një shpejtësi 25 herë më të madhe sesa shpejtësia e zërit, po ndezin një garë të re botëre armatimesh thuhet në një raport të publikuar rishtazi. Sipas tij prishja muajin e kaluar e Traktatit të Armëve Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë është vetëm shembulli më i fundit i presionit në rritje ndaj sistemit të sigurisë botërore. Raporti sugjeron nënshkrimin e traktateve të reja si një nevojë urgjente për të luftuar kërcënimin që vjen për shkak të zhvillimeve teknologjike. Ndiqni për më shumë korrespondetin e Zërit të Amerikës Henry Ridgwell.

Rusia kreu një fluturim provë me raketën e saj hipersonike “Avangard” dhjetorin e kaluar. Moska pretendon se shpejtësia e saj i kalon të 11 mijë kilometrat në orë dhe se është në gjendje të shmangë sistemet e mbrojtjes raketore, siç tregon ky animacion i përgatitur nga Ministria ruse e Mbrojtjes.

Sistemi që lëshon këto raketa, i njohur si mjeti rrëshqitës hipersonik, do të jetë në gjendje të pajiset me mbushje bërthamore e konvencionale. Rusia thotë se “Avangard” po prodhohet tashmë në seri.

Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Australia po prodhojnë gjithashtu sistemet e tyre, thotë autorja e raportit Katarzyna Kubiak që përfaqëson Rrjetin Evropian të Udhëheqjes.

Këto do të tejkalojnë sistemet ekzistuese raketore si për sa i takon shpejtësisë, ashtu edhe mundësive për të manovruar. Do të jenë në gjendje të anashkalojnë çdo sistem ekzistues të mbrojtjes ajrore apo nga raketat për shumë vite me radhë. Krahas kësaj do të shohim gjithashtu kërkime të fushën e teknologjisë anti-satelitore ku përfshihen edhe raketat“, thotë Katarzyna Kubiak, Rrjeti Evropian të Udhëheqjes.

Zhvillimi i raketave me aftësi të dyfishtë, të cilat mund të pajisen me mbushje konvencionale apo bërthamore, ka krijuar një nivel të ri paqartësie dhe potencialin për llogaritje të gabuara me efekte shkatërruese.

Në një situatë krize ushtria vepron nën një presion shumë të madh. Dhe duke mos ditur se çfarë lloj rakete po u vjen, ata mund të supozojnë ose skenarin me të keq ose të keqkuptojnë një situatë, e cila më pas mund të çojë në një përshkallëzim të paqëllimshëm“, shton Katarzyna Kubiak.

Prova e dështuar me një raketë në pjesën ruse të Arktikut në fillim të këtij muaji vrau të paktën pesë persona të angazhuar me provën dhe çoi në rritje të niveleve të rrezatimit në atë zonë. Kjo gjë u dha zë shqetësimeve botërore rreth përpjekjeve të Moskës për prodhimin e raketave me mbushje bërthamore.

Zonja Kubiak thotë se për shkak të shtimit të prodhimit të raketave, sistemi global i sigurisë ndodhet nën një presion të fortë dhe kjo po nxitet fuqishëm nga përparimet në fushën e teknologjisë.

Përllogaritjet që lidhen me sigurinë do të bëhen edhe më të vështira, ndërkohë që janë të ndërlikuara. Prodhimi i pakufizuar i raketave do të përkeqësonte konkurrencën mes shteteve, do të rriste kostot e ruajtjes së stabilitetit rajonal e global si dhe do të rriste kostot dhe rreziqet e përplasjeve ushtarake“, thotë ajo.

Në raport thuhet gjithashtu se bashkësia ndërkombëtare duhet urgjentisht të vendosë në krye të axhendës politike çështjen e raketave. Kjo do të përfshinte forcimin e masave ekzistuese të mos përhapjes së tyre si dhe marrjen e masave e kryerjen e negociatave transparente për të adresuar çështjet që lidhen me teknologjitë e reja për prodhimin e raketave. /VOA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet