“Rai” vendos: Ermal Meta mbetet në garën e Sanremo 2018

Publikuar më 08. 02. 2018 nga Eno Shkëmbi

Më në fund “Rai” ka vendosur që kantautori me origjinë shqiptare Ermal Meta dhe këngëtari tjetër në duet, Fabrizio Moro, të mbeten në garën e Sanremo 2018.

Pas vlerësime të bëra, Departamenti Ligjor i “Rai”-t del në përfundimin se “kënga ‘Nuk më keni bërë asgjë‘, nuk duhet të përjashtohet nga kompeticioni, pasi është në përputhje me kërkesat e reja të rregullores”. Në komunikatë bëhet me dije se kënga e Ermal Meta dhe Fabrizio Moro, nuk përmban fragmente nga kënga “Heshtje” e prezantuar në Sanremo në vitin 2016.

Në komunikatë shpjegohet se “nga analiza e thellë u konstatua se të dy pjesët kanë skica, kohëzgjatje, tekste dhe melodi të ndryshme”.

Kënga pjesëmarrëse në festival, që erdhi si duet i Metës dhe Moros, u shoqërua me polemika të shumta duke u pezulluar nga gara, pas akuzave për plagjaturë. Dyshohej se kënga e Metës është e përafërt në fragmente të caktuara me këngën “Heshtje”, e prezantuar në  “Sanremo Giovani”, të vitit 2016 nga Ambra Calvani dhe Gabriele De Pascuali.

Në vend të dy artistëve të pezulluar, mes 10 emrave të mëdhenj të interpretuan mbrëmjen e kaluar, doli në skenë Renzo Rubino.

Reagimi i Ermal Metës: Ne nuk kemi ardhur në Festival për t’u tallur me njerëzit

“Është koha të themi tonën. Kemi dëgjuar të flitet për plagjiaturë përsa i përket këngës sonë pjesëmarrëse në Sanremo dhe kënga e ngjashme në fjalë është e shkruar nga Andrea Febo që e ka prezantuar në Përzgjedhjet e Sanremos për kategorinë e të rinjve 3 vjet më parë, ajo u eliminua dhe nuk u komerçializua Kurrë. Fabrizio, unë dhe Andrea kemi ruajtur një pjesë të asaj kënge për të mos sakrifikuar diçka të bukur dhe të tre së bashku kemi shkruar një këngë të re me një kuptim krejtësisht të ndryshëm.

Plagjiaturë do të thotë të kopjosh, por është tërësisht qesharake duke konsideruar se Andrea Febo e ka shkruar së bashku me mua dhe Fabrizio-n këngën “Nuk më keni bërë asgjë”. Ndërkohë të dy jemi autorë prej shumë vitesh dhe kemi shkruar shumë këngë duke kontribuuar në suksesin e të tjerëve dhe tonin. Kush na njeh e di. Kur vendosëm të rrëfejmë një gjendje shpirtërore të përgjithshme me këtë këngë nuk e kemi bërë tu prezantuar në Festival, por për të folur për paqen. Na vjen shumë keq për këtë që po ndodh, sepse ne nuk kemi ardhur në Festival për t’u tallur me njerëzit, por për t’i përqafuar. Jemi të sigurt se gjithçka do të shkojë mbarë”, tha Meta në një reagim për mediat.