Qytetarja denoncon: Policët e “Lali Lekut” gjobitin edhe me fasule

Një qytetare denoncoi sot një akt të pastër korruptiv të policëve të Bashkisë së Tiranës. Ata po i vinin gjobë një shitësi në një rrugë të Tiranës, kur ai është detyruar që t’u japë një thes me fasule që të mos i merrnin mallin që shiste në cep të rrugës.

Qytetarja postoi edhe një foto të makinës së Policisë Bashkiake të Tiranës, me të cilin qarkullojnë policët gjobëvënës të Erion Veliajt.

Denoncimi i qytetares

Si këmbësore që jam kam patur fatkeqësinë që të jem dëshmitare okulare në disa raste kur tregtarë të mjerë, ilegalë, rrugëve dhe rrugicave të Tiranës, bien pre e kontrolleve të Policisë Bashkiake. Jam dakort që Tirana duhet formalizuar, tregjet duhen disiplinuar, prodhimet të çfrëdolloji qofshin të mos shiten mbi pllaka trotuaresh. Por më dhemb në shpirt gjobvënia ndaj atyre fakirëve që dalin aty për të kursyer taksën e tregut, trajtohen si lecka dhe lënë gati përherë më shumë se sa duhet të paguanin në shtet.

Para pak orësh isha dëshmitare e një skene tjetër gjobëvënieje të policëve Bashkiakë të “Lali Lekut”. Në orën 11.06, një pick up “Ford” i policisë bashkiake, me targë TR6721K, ndalon në rrugën “Gjin Bue Shpata”, mes zyrave qendrore të Tatim-Taksave dhe anës lindore të stadiumit “Selman Stërmasi”. Zbresin tre policë. Vjen një burrë i imët, që prej vitesh shet te qoshja dhe fillon t’u lëpihet policëve harbutë. Ata nuk e qasin fare. Burri i trembur përpiqet t’i marrë me të mirë, të kërkojë falje, por ata hiç. Shefi i tyre nxjerr bllokun e gjobës dhe nis ta mbushë. I kërkojnë llogari pse nuk e ka paguar gjobën e mëparshme te zyrat e Postës nr.8, pak metra më tutje, por ndërkohë i bëjnë gati tjetrën. Burri i shkretë lëviz si pula pa kokë. Shikon disa dhjetra kile mall që ka stivosur sipër rrethimit të Tatim-Taksave dhe tenton t’i afrohet shefit që mbush gjobën, por ai e sikteris: Mos m’u afro!

Burri i shkretë vrapon te pallati përballë dhe mban një makine te parkuar merr një thes të bardhë. Një e treta e tij është e mbushur me fasule të bardhë. Një prej policëve e sheh dhe i thotë sa është kilja, kuptohet për sy e faqe se ka njerëz rrotull që shikojnë skenën. Pastaj e merr dhe e çon të makina. Shefi vijon të mbushë gjobën. Burri i lehtësuar disi kthehet te malli, arra 500 lekë, lajthi 700 lekë etj dhe kokëulur vijon të shesë për njerëzit që presin.

M’u dhimbs ky burrë me theks jugor, me shtatin e imët përballë tre policëve si zdapa, i kapur në “krim” dhe që paguan edhe gjobën në lekë për shtetin, por edhe gjobën në natyrë për policët e “Lali Lekut”. Ata nuk kanë faj. Kanë në krye një kryetar që i ka dalë nami se bën kërdinë me fondet e bashkisë. Ndaj ata bëjnë namin nëpër Tiranë me njerëzit e pambrojtur dhe vënë gjoba edhe me fasule dhe Veliaj na mbeti ditë-natë nëpër ekrane si çun punëtor dhe që mendon për këtë popull.

Të tjera

Një farsë kosovare

Nga Agron Bajrami Në Kosovë, ka kohë që nuk përbën kurrfarë befasie kur politikanët shkelin fjalën e dhënë, abuzojnë me…

Abissnet