I quajti “media kazan”, gazetarja italiane i kthehet Edi Ramës: Do na e dëgjosh zërin

Publikuar më 13. 11. 2017 nga Eno Shkëmbi

Gazetarja italiane e emisionit prestigjioz “Le Iene” Alice Martineli është kundërpërgjigjur pas akuzave të kryeministrit Edi Rama, pas reportazhit ku ajo sjell pamjet e mjerimit në Bulqizë, ku fëmijët nxjerrin krom.

Rama e cilësoi televizionin italian “Italia Uno” nga “kazan” gjatë një dreke në Bulqizë.

Reagimi i gazetares italiane, Alice Martineli:

 Dikujt, shërbimi ynë për fëmijët shqiptarë që mbledhin krom, i ka dhënë besdi. Edi Rama, kryeministri shqiptar, gjatë një paserele para kamerave thotë se Le Iene është “një program plehrash” dhe na akuzon se kemi realizuar “një reportazh m… me pamje të vjetra, mbi një fenomenet që nuk ekziston më”.

I dashur kryeministër Edi Rama, e kuptoj që reportazhi ynë nuk ju ka pëlqyer, por për diçka duhet të jeni i qetë: Është xhiruar midis 14 e 17 tetorit 2017, as një muaj më parë. Nëse pamjet që keni parë nuk ju mjaftojnë (në 90% të tyre shfaqem unë, si mund të jetë shërbim i vjetër?), kemi të gjitha provat që e demonstrojnë: filmime e fotografi me data, kuponë e fatura nga qëndrimi ynë.

Por më thoni, meqënëse mund t’jua demonstrojmë që gjithçka është e vërtetë dhe aktuale, ju tani do të bëni diçka për fëmijët e Bulqizës dhe familjet e tyre? Sepse ne i pamë me sytë tanë teksa mbledhin gurë për t’i shitur më pas me 10 cent kilogrami.

Ashtu siç pamë që, kur bie nata, një pjesë e qytetit është krejtësisht në errësirë. Dhe që kushtet strukturore dhe higjienike të disa shtëpive janë të tmerrshme.

Ju çfarë mendoni të bëni?

Alice Martinelli