“Qeverinë s’e rrëzon një pederast”, reagime të shumta mbi deklaratën e Zaev (VIDEO)

Deklarata e kryeministrit Zoran Zaev, se ai nuk do të lejojë disa kriminelë, një gazetar me ego dhe një pederast ta rrëzojë qeverinë po e trondit publikun. OJQ-të i mbrojnë të drejtat e homoseksualëve. Drejtoresha Ekzekutive e Komitetit të Helsinkit, Urania Pirovska reagoi në facebook.

“E neveritshme për shumë arsye! Kaq nga pranimi i diversitetit dhe respekti për ta!”
“Jo, Zoran Zaev, komuniteti LGBTI nuk do ta falë!”.

Nga Rrjeti Kombëtar Kundër Homofobisë dhe Transfobisë, ku bëjnë pjesë diku 20 organizata, thonë se të jesh një pederast në Maqedoninë e Veriut do të thotë të jetosh me liri të kufizuar. Ata i bënë thirrje Kryeministrit të kërkojë falje, siç thuhet në njoftim, pas arsyeve edhe më ofenduese dhe të vazhdojë të promovojë të drejtat e komunitetit.

“Komuniteti LGBTI në ju dhe në partinë tuaj pa dhe ende sheh një aleat. Ne nuk mund të mohojmë që janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të drejtat e grupit LGBTI: miratimi i Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, Marrja përsipër e Financimit të Programit HIV, Ndryshimet në Kodin Penal në fushën e veprave për urrejtje, organizimi i Paradës së parë së krenarisë”, thuhet në reagimin e LGBT-së.

Në deklaratën e djeshme kryeministri Zaev tha:

“Sigurisht, nuk do të lejoj disa kriminelë, një gazetar me suetë/ ego dhe të më falë komuniteti LGBT, një pederast, ta rrëzojë këtë qeveri”.

Ai kërkoi më pas falje dhe shkroi në Tvitter:

“Komuniteti LGBT ka respektin tim të madh. Kështu që para se ta shqiptoja fjalën “pederast” kërkova falje. Unë e përdora atë fjalë për të dhënë një veti të karakterit, dhe jo për të shënuar përkatësi seksuale. Kërkoj falje për njerëzit e LGBT-së. Unë do të luftoj për të drejtat e tyre, si deri tani”.

Ndaj deklaratës së Zaevit reagoi edhe gazetari Branko Geroski i cili e filloi aferën “Reket “. Në FB profilin përveç se në maqedonisht, ka shkruar edhe në gjuhën angleze se ndjehet i kërcënuar dhe i pasigurt, por edhe i shokuar. Ai gjithashtu kërkoi një reagim nga bashkësia ndërkombëtare.
“Nuk prisja deklaratë të këtillë nga një kryeministër që angazhohet për demokraci, tolerancë ndaj dallimeve në shoqëri dhe sidomos për lirinë e shprehjes dhe mendimit”, deklaroi Branko Geroski, Gazetar.

Shoqata e Gazetarëve e dënoi deklaratën dhe i bëri thirrje Kryeministrit të kërkojë falje publikisht.

“Një fjalim i tillë agresiv ndaj gazetarëve nga kryetari i Qeverisë, sipas SHGM-së, mund të nxisë dhunë ndaj gazetarëve”, thonë nga SHGM-ja.

Por, në mbrojtje të Zaevit, doli sekretari gjeneral i LSDM-së, Ljupço Nikollovski. Deklarata nuk është skandaloze, shkroi ai në fb.

“Dhe kur një njeri është luftëtar dhe arrin ta udhëheqë vendin përpara, atëherë kriminelët dhe armiqtë do të bashkohen kundër përparimit …”, shkroi Ljupço Nikollovski.

Dhe as sot, nuk u ndalën përplasjet partiake midis VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së. Fokusi ishin “gazetarët”, kush çfarë raporti ka ndaj tyre.

“Gazetarët janë zëri i qytetarëve dhe nuk guxojnë tu nënshtrohen presioneve dhe kërcënimeve të kriminelit të falur. Censura është një turp për çdo vend”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Nga LSDM-ja dolën me kundër reagim.

“Publiku, qytetarët dhe gazetarët e dinë shumë mirë se kush abuzon me ndërhyrjen e policisë në televizion privat, kush nxiste sulme fizike ndaj gazetarëve, kush fuste në burg gazetarë, kush nxiste dërgimin e kurorave në raste vdekjesh në adresat e shtëpive të gazetarëve” thuhet në deklaratën e LSDM-së. /Alsat-m/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Vija fatale e Ballkanit

Blerim Latifi Gjatë historisë, njerëzit në Ballkan kanë vuajtur nga një lloj fataliteti gjeopolitik. Ky fatalitet ka të bëjë me…

Abissnet