Qeveria vret shtresën e mesme

Nga Enkel Demi

Damian Gjiknuri e dha një tjetër Partneritet Publik Privat për ndërtimin e rrugës Orikum – Llogara me vlerë 130 milionë euro. S’ka gajle që FMN ka muaj që kërkon ndalimin e PPP-ve, qeveria që mban në bark Damianin ecën përpara nga “fitorja në fitorje”. Teksa Edi Rama vazhdon i bindur në shtegun e tij koncesionar, arka e shtetit boshatiset dhe shpesh kjo qeveri duhet të kërkojë burime alternative për të paguar pagat a faturat mujore që ka çdo shtet. Në fund të vitit vonoi rrogat e mësuesëve gati një muaj. Këtu hyn në lojë gjeniu i financave anglishtfolëse, Arben Ahmetaj. Meqë paratë shkojnë lumë nga thesari i tij në drejtim të familjarëve apo klientëve të qeverisë, Arbeni paguhet, madje si frëngu pulën, për të shpikur udhë të reja që shtrëngojnë fort litarin në fyt.

Të fundit që shpiku kjo mendje pjellore e lyer me këna, ishte haraçi që duhet të paguajnë të dypunësuarit. E thënë thjeshtë, ata që bëjnë dy ose më shumë punë, do jua mbledhim pagat në një dhe do të paguajnë si gjithë pagat e mëdha, 23 për qind. Por, cilët janë ata që punojnë në dy vende? Është një pakicë që ka vendosur të jetojë ndershëm me djersën e ballit, përndryshe shtresa e mesme që sa më shumë na udhëheq Edi Rama me të tijtë, aq më shumë tretet si kripa në ujë. Këta janë njerëz, të cilët kanë vendosur të grabisin vetëm një gjë në këtë botë, vjedhin kohën e tyre. Nuk punojnë 7 ose 8 orë, por 12 deri në 14 orë në ditë.

E bëjnë këtë, sepse me siguri kanë marrë një kredi për shtëpi apo një makinë dhe duhet të paguajnë këstet, faturat mujore të shtëpisë, që t’u mbetet një gram dhjamë sa për 10 ditë pushime aty afër rrugës Orikum – Llogara. Këta, ndryshe nga Arbeni i qeverisë, kur nuk u del të paguajnë faturën e dritave dhe të ujit që ka rritur zotëria i shampos “kokëziu” (Schëarzkopf), nuk vjedhin fqinjin, por shtojnë orët e punës. Sak këta do të rëndojë edhe më shumë qeveria jonë. Arsyeja? Që të paguajmë pasunarët e rinj të familjes apo klientelës, godasim shtresën e mesme. Me të njëjtën logjikë u vendos TVSH-ja për biznesin e vogël, sepse për hir të “konkurencës së ndershme” e kërkuan pasunarët e rinj, të cilët i quajmë me përkëdheli “oligarkë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet