Qeveria tërhiqet para 23 mijë mësuesve, firmoset kontrata

Nga Lindita Bushgjokaj

Sindikatat e pavarura të arsimit shqiptar nënshkruajnë kontratën kolektive deri në vitin 2022, fitojnë shpërblimet e fundvitit.

Shpëtojnë mësuesit me institut pedagogjik, iu rinovohet kontrata. Sindikatat marrin përsipër të ndihmojnë “reformën”

Pas një periudhe gati dyvjeçare nënshkruhet Kontrata Kolektive e Mësuesve të arsimit parauniversitar. Më në fund, MASR nënshkruan kontratën me sindikatat e arsimit, e cila përfshin disa risi dhe shmang periudhat boshe për mësuesit, pasi me mbarimin e kontratës dhe deri me nënshkrimin e kontratës tjetër ju njihen të drejtat dhe detyrimet që burojnë në kontratën e vjetër.

Sindikatat e arsimit pohuan për gazetën “Shekulli”, se kjo kontratë, përmban nene që rregullojnë të drejtat e mësuesve për të përfituar shpërblime për festat e fundvitit, por edhe duke hequr shqetësimin e shumë mësuesve me arsim pedagogjik 3 vjeçar.

Kjo kategori mësuesish para disa ditësh u “kërcënuan” nga ministria që do të dilnin nga sistemi, pasi nuk ju njihet masteri duke i penalizuar në paga dhe detyruar të paguajnë masterin, ndërsa në këtë kontratë ka nene të posaçme që njeh të drejtat e mësuesve me sistem tre vjeçar të gëzojnë punësim të përhershëm, pa penalizime. Së fundmi, kontrata parashikohet të mbarojë me datë 31 dhjetor të vitit 2022.

Kontrata

Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, pasi ka nënshkruar marrëveshjen për kontratën kolektive, saktëson detyrimet që kanë mësuesit e arsimit parauniversitar, si dhe frymën që karakterizon lidhësit e kësaj kontrate.

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në emër të punëdhënësit, dhe dy sindikatat FSASH e SPASH në emër të punëmarrësit, hartuan kontratën e radhës. Lindita Nikolla, ministre e arsimit, dhe krerët e dy sindikatave Arjan Dyrmishi e Novruz Kaptelli me hedhjen e firmave në këtë Kontratë mbyllën një periudhë të gjatë të negociatave dhe deklaratave nervoze. Afati i kontratës kolektive mes sindikatave të arsimit dhe ministrisë së Arsimit kishte skaduar më datë 31 maj të vitit 2017, duke lënë në pritje mbi 23 mijë mësues të anëtarësuar në 2 sindikatat, që kanë nënshkruar kontratën kolektive me ministrinë e Arsimit.

Juridikisht, kontrata kolektive ruan statusin e të punësuarit me kontratë për një kohë të pacaktuar, ndërsa mbrojtje ligjore në lidhje me marrëdhëniet e punës u sigurohet vetëm mësuesve që janë të anëtarësuar në një nga sindikatat e arsimit, nënshkruese të kontratës kolektive. Sipas kontratës kolektive, një mësues nuk mund të shkarkohet nga detyra pa shkaqe të arsyeshme, por nëse kjo ndodh punëdhënësi është i detyruar ta dëmshpërblejë. Kontrata kolektive parashikon gjithashtu që rritja vjetore e pagës për mësuesit të mos jetë më e ulët se përqindja zyrtare e inflacionit në vend.

Por, në faqen e parafundit të kontratës kolektive thuhet se kjo kontratë mund të zgjidhet nga secila palë nëse koha e vlefshmërisë së saj ka mbaruar. Sipas burimeve nga ministria, sindikatat përveç detyrimit për përmirësimin e kushteve të punës e rritjen e nivelit ekonomik të punëmarrësve, angazhohen në gjithë ecurinë e reformave, si  në kualifikimin e mësuesve, në luftën kundër braktisjes së shkollës dhe projekte të tjera të dobishme për arsimin. Për probleme madhore sindikatat do t’u kërkojnë anëtarëve të tyre (mësues cilësor) të pranojnë pozicione drejtuese kur është e nevojshme dhe e arsyeshme.

Tregu i punës

Prej riformatimit të tregut të punës ka lindur si nevojë që të rimodelohet lista e profesioneve në Shqipëri. Me zhvillimet e fundit teknologjike, por edhe hapjen e kufijve dhe rritjen e bashkëpunimit me kompani të huaja, listës së profesioneve duhet t’i shtoheshin profesione të reja, të përditësoheshin profesione ekzistuese, si dhe të shpalleshin disa të pavlefshme.

Së bashku me Forcat e Armatosura janë dhe 9 kategori profesionesh, ku përfshihen: Menaxherët; Specialistët me arsim të lartë; Teknikë dhe specialistë në zbatim; Nëpunësit; Punonjës të shitjeve dhe shërbimeve; Punonjës të kualifikuar të bujqësisë së pyjeve dhe peshkimit; Zejtarë, artizanë dhe profesione të lidhura me to; Punonjës të montimit dhe përdorimit të makinerive dhe pajisjeve dhe Punëtorët (profesione elementare).
Sipas strukturës së publikuar janë 10 grupe të mëdha profesionesh, ku përfshihen 43 nëngrupe të mëdha, 133 grupe të vogla, 480 grupe njësi dhe 5489 punë.

Grupet që kanë numër më të madh punësh janë specialistët me arsim të lartë, ku sipas strukturës, në të përfshihen 1281 punë të ndryshme, Zejtarët, artizanët dhe punë të lidhura me to, ku përfshihen 1102 punë, Teknikë dhe specialistë në zbatim me rreth 1021 punë, ndjekur nga punonjës të montimit dhe përdorimit të makinerive dhe pajisjeve, ku përfshihen rreth 772 lloje punësh.

Nevrus Kaptelli: Kontrata e mësuesve, detyre e qeverisë nga Europa për integrimin në BE

Nevrus Kaptelli, kryetari Sindikatës së Arsimit parauniversitar në një intervistë për gazetën “Shekulli” tha se pas një periudhë gati dyvjeçare nënshkruhet kontrata kolektive për mësuesit e arsimit parauniveristar. Sipas Kaptellit, kjo është një detyre ligjore e ministres së Arsimit dhe qeverisë, pasi janë detyra që lidhen me integrimin tonë në BE. Në këtë bisede për “Shekulli”-n, kreu i sindikatës, tha se në këtë kontratë mësuesve ju njihen disa të drejta, rregullon marrëdhëniet e punës dhe të pagave, ndërsa parashikohet të mbarojë me datë 31 dhjetor 2022.

Z.Kaptelli, si u arrit marrëveshja me MASR për nënshkrimin e Kontratës Kolektive të Punës për mësuesit e arsimit parauniversitar?

Ajo u zgjat më shumë se një vit. Një shqetësim që u evidentua edhe te ndërkombëtarët ku jemi anëtarësuar. Sindikatat botërore të arsimit ka kërkuar MASR përmes një shkresë zyrtare që të nënshkruanin kontratën kolektive. Këto janë detyrime që ka MASR dhe qeveria, që ne të bëhemi pjesë e Europës. Janë të drejta që rrjedhin nga konventa ndërkombëtare e punës. Ne ishim në të drejtën tonë dhe MASR e ka detyrim ligjor nënshkrimin e kontratës kolektive të mësuesve. Po të shikosh ligjin 69.2012 neni 1 pika 18 thuhet: partnerë socialë janë sindikatat e arsimit me të cilët MASR nënshkruan kontratën kolektive të punës.

Ne ishim në të drejtën tonë legjitime që i kishim kërkuar ministres që para një viti, pa mbaruar kontrata e mëparshme për të filluar negociatat për kontratën e re, dhe kishim paraqitur të gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe dy dokumentet e tjera ligjore të parashikuara në Kodin e Punës. Pas kësaj, u zgjat shumë periudha për të përcaktuar, se cilët ishin palët më të përfaqësuara. Ministrja e Arsimit nxori urdhrin dhe përcaktoi dy sindikatat e pavarura, FSASH dhe SPASH për nënshkrimin e kontratës së re të punës. Pas kësaj, filluan negociatat e gjata me afro 1 mujore dhe në fund ramë dakord të dyja palët me draftin që kemi nënshkruar.

Cilat janë të drejtat ligjore që burojnë në këtë kontratë për rregullimin e marrëdhënieve të punës për mësuesit e arsimit parauniversitar?

Ne kishim përgatitur një draft, të bazuar në kontratat e mëparshme dhe të përmirësuara sipas ndryshimeve në legjislacion dhe në qeverisjen vendore.  Me nënshkrimin e kësaj kontrate të gjithë punonjësit, që aktualisht kanë një vend punë në sistemin e arsimit parauniversitar dhe që plotësojnë kritere të përcaktuara neni 57, pika 1 shkronja b, pika 2 dhe 3  neni 72, pika 5, ligji 69.2012 dhe neni 4 pika 4 i kësaj kontrate, ruajnë statusin e të punësuarit në kontratë për një kohëzgjatje të pacaktuar. Këtë të drejtë e gëzon çdo i punësuar që është brenda sistemit, të cilët përmes kësaj kontrate ruajnë të drejtën e tyre të punës. Në kontratë ka nene të veçanta për punësimin në sistemin arsimo parauniversitar, si: ndryshimi i vendeve të punës, koha e pushimit, kushte e punës, kualifikimi i mësuesve, sistemin e pagave dhe të shpërblimeve.

Çfarë përfitojnë mësuesit nga kontrata e re kolektive?

Përfitojnë të gjithë mësuesit e sistemit parauniversitar që janë në varësi të MASR, përjashtohen mësuesit e arsimit profesional. Kontrata i shtrin efektet e saj mbi personelin arsimor të punësuar në sistemin publik parauniversitar, përfshirë mësuesit e arsimit fillor, mësuesit arsimit të mesëm të ulët dhe arsimit të mesëm të lartë. Dispozitat ligjore të kësaj kontrate janë të detyrueshme për zbatim nga gjitha nivelet e tjera, që legjitimohen për nënshkrimin e kontratës kolektive në nivel vendor, për arsimin parashkollor dhe arsimin profesional.

Në kuptimin që këto subjekte nuk mund të përfshijnë në kontratë më pak të drejta për punëmarrësit, sesa legjislacioni shqiptar dhe kjo kontratë kolektive. Kohëzgjatja e kontratës është deri me 31 dhjetor 2022. E reja e kësaj kontratë që kemi vuajtur vazhdimisht është, se kur mbaronte afati i kontratës duhej shumë kohë që të nënshkruhej kontrata e re, ndërsa në këtë kontratë kemi vendosur një dispozitë, ku thuhet shprehimisht: bazuar në nenin 175 pika 2 e ligjit 79/61 datë 12.7.95 kodi i punës në Republikën e Shqipërisë i ndryshuar, MASR Sindikata e Pavarur e Shqipërisë dhe SPASH, dakordësohen që marrëdhëniet kontraktuale midis tyre, edhe pas përfundimit të afatit të kësaj kontrate kolektive vazhdojnë të rregullohen nga dispozitat e kësaj të fundit, deri në nënshkrimin e kontratës së re kolektive. Kjo do të thotë, që mësuesit nuk do të kenë më periudha boshe, sepse kur përfundonte kontrata nuk kemi mundur që të kishim një kontratë të re.

Çfarë parashikon ligji për shpërblimin e mësuesve dhe festat e fundvitit?

MASR e ka pranuar në një pikë të veçantë që do të konsultohet me sindikatat për shpërblimet që mund të jepen. Ne, sindikatat për këtë punë jemi, që të jemi gjithnjë kërkues ndaj punëdhënësit që të respektojë çdo pikë që vetë ka rënë dakord për zbatimin e kontratës, jo vetëm liritë dhe të drejtat sindikale, por edhe të tjera.

Mësuesit e arsimit parauniverisitar të sistemit tre vjeçar MASR i nxori nga sistemi, sepse nuk iu njihte masterin. A ka një dispozitë ligjore në këtë kontratë që rregullon këtë problem?

Të gjitha këto i ka rregulluar ligji i arsimit parauniversitar. Kur është miratuar ligji, ne kemi këmbëngulur që të përfshihen në ligjin parauniversitar. Disa mësues e kanë lexuar në ligjin e arsimit të larte. Nuk ndodh që mësuesit e arsimit parauniversitar me sistemin pedagogjik tre vjeçar të largohen nga sistemi, sepse neni 72 i ligjit ka të përcaktuar qartë kriteret, ashtu siç kemi të pacaktuar kriteret e punësimit dhe kush gëzon të drejtën e punësimit të përhershëm në arsim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet