Qeveria që kërkon gorrica në dimër!

Nga Sulejman Abazi

Pushteti sot në Shqipëri sundohet nga një pakicë e korruptuar. Bosët e rinj të parasë ndihen kërcënueshëm, duke kaluar nga një karrige tek tjetra, pa u hyrë gjemb në këmbë. “I vdekuri kap të gjallin”. Kjo shprehje e vjetër latine kërkon të thotë se, i vdekuri e kap të gjallin me duart e të gjallit, i cili vazhdon misionin e të vdekurit. Këta përfaqësues tipikë mafiozë nuk mund të jenë kurrësesi produkt i institucioneve shqiptare, por “rastësia” i nxori në krye të turmave, atëhere kur është dashur të ndodhte ndryshe. Sot ata janë kapur me thonj pas karrigeve të pushtetit deri në marrëzi. “Boshllëku” shpirtëror që i karakterizon këto monstra të periudhës djeshme e të sotme, duke justifikuar me paturpësi revanshin e tyre të pandalshëm, vazhdojnë të dhunojnë gjithçka në jetën social politike të shqiptarëve.

Kryeministrit të Shqipërisë duhet t’ia themi hapur dhe t’i mbushet mendja që, sot nuk ka tru special, por mendim të organizuar. “Gjeniu” për të ka kohë që ka vdekur, ai rron vetëm tek ideja progresive dhe puna e mirorganizuar me ekip. Historia jonë luftarake nuk mund të bëhet sintezë për kohën, pasi ajo sot po na deformon shumë gjëra. Lufta për mbijetesë na ka krijuar në mënyrë të imponuar psikologjinë “e njëshit”, pa të cilin ende nuk po bëjmë dot, as sot në një shoqëri të hapur demokratike. Dhe në fakt ja ku jemi, vazhdojmë të vuajmë pasojat. Më keq nuk bëhet, sa njerëzit me të drejtë po mendojnë, “ishim më mirë, atëherë kur ishim shumë keq”.

Mbetëm peng të binomeve “Sali – Fatos; Edi – Luli, e tërci e vërci”, duke na shkaktuar përçarjen kombëtare, mëritë, ndasitë, paragjykimet, humbjën e solidaritetit njerëzor, dhunimit në nënëvetëdije të dinjitetit njerëzor. Të ndarë tmerrësisht në dy falanga të mëdha militantësh dhe interesaxhinjsh, njerëzit vazhdojnë të bien përmbys për “liderët” e tyre, duke dhunuar paqen, harmoninë shoqërore, duke prishur miqësitë, marrëdhëniet dhe urtësinë njerëzore, vetëm për hatër të tyre. Kjo është një çmenduri njerëzore, saktësisht në delir. Çdo gjë e lidhur me rolin e partisë në pushtet, është një vlerësim i gabuar.

Roli primar i takon vlerësimit të ekonomisë. Jemi akoma në presione ku veprojnë ligje që përjashtojnë njeri – tjetrin në hapësira të gjera. Iku Tosi erdhi Sala. Erdhi Tosi mbasi doli nga burgu, na iku Sala. Tani iku prap Tosi e Sala dhe na erdhi Edi dhe Luli. Rrofshin “liderët”, se shqiptarët po tek këmba e urës mbetën. Megjithatë nuk është kjo e rëndësishme. Në këtë amulli veprojnë faktorë të drejtëpërdrejtë të lidhur me çështjen kombëtare. Do të ketë akoma “ngjarje” të tilla që shqiptarët të mos merren me çështjet konkrete të tyre. Të gjithë politikanët shqiptarë bëjnë sikur nuk e dinë këtë. Shqiptarët sot Europa “i fton” të antarsohen në BE, duke i joshur me deklarata “të petullave nga qielli”.

Kjo katrahurë politike çoroditëse, ktheje nga ta duash, nuk u shkon për shtat shqiptarëve, të cilët e kanë kuptuar që kanë mbetur vërtet në këto 27 vite tek këmba e urës, të varfëruar, të mashtruar, me sytë në emigracion. Ikje dhe braktisje për një jetë më të mirë. Në këtë vorbull vërtiten “ëndërrimtarët”, që do ta bëjnë Shqipërinë si tërë Europa. Gorrica në dimër! BE e ka zgjedhur rrugë e tij për shqiptarët. Veshi i djathtë ka filluar të tregohet me dorën e majtë. Ashtu si çdo herë, ka zgjedhur rrugën e “kulaçit dhe kërbaçit”, zvarritje e joshje. Kjo rrugë është e gjatë dhe në një kohë shumë të largët. Qëllimshëm (këtu nuk ka nevojë për koment, sepse fatin e shqiptarëve tashmë e shohim vetëm të lidhur me SHBA-të), pa shpjeguar shkaqet që çojnë në këtë rrugë raskapitëse.

Si Solana dikur edhe Mongherini sot, kanë harruar se bota sot shpjegohet vetëm me ligjësitë imanente, të brendëshme dhe jo mbi bazën e dëshirave të individëve, që tentojnë të bëjnë karrierë politike dhe të mbeten në histori, pa histori. Funksionarëve europianë nuk u shpëtojnë bilbilat dhe tymueset në parlamantet e Tiranës dhe të Prishtinës, as gjakosjet në Parmanetin e Maqedonisë. Porositë që na vijnë ngë komisionerët janë shumë sinjifikative: “Shqiptarët nuk duhet t’u bien bilbilave dhe të mos hedhin tymuese”, por “të merren vesh me njeri – tjetrin”, pasi po largojnë shumë atë datë fatlume të antarësimit në BE (!!).

E bukur edhe kjo. Po a dëgjojnë nga ai vesh politikanët shqiptarë, ca të kazanit, ca të Eskobarit, ca të çizmeve, ca të “gratacielave e bunkerëve” dhe ca të tjerë që i ka zënë halli “të vuajnë” sikletin e tyre në karriget e parlamentit?! Edhe prindërit në fëmijërinë tonë, na kujtonin gjithmonë policin, që të rrinim urtë. Vetëm Shqipëria dhe shqiptarët vazhdojnë të rropaten pa shpresë në honet e errëta qorre të tranzicionit, duke përjetuar dhunë psikologjike, varfëri, diskriminim, presione dhe gjithçka tjetër që u vijnë ndërmend “bilbilave” shqiptarë dhe komisionerëve babaxhanë. Këshillat dhe demagogjia politike janë njësoj si ato vijat shumëngjyrëshe për të na marrë mendjen, që ne shkelim çdo ditë në semaforët e Tiranës, por që nuk të japin as bukë e as gjellë.

Qytetari po e mat dhe duhet ta masë çdo gjë me ekonominë. I ka ikur koha “gjuhës së thonjve”. Këtë po bëjnë me marrëzi politikanët shqiptarë, të imunizuar tashmë në sindormin “nanoberish”.  Situata nuk mund të vihet nën kontroll me fjalime të kopjuara, apo retorika gënjeshtarësh,  sepse çdo “zgjidhje” që ofrohet sot në këto rrugë qorrsokaku, ka vetëm dështime. Qeveria “Rama 2”, po kërkon të hajë gorrica në dimër, si puna e ariut. Duhet të kërkojë akoma gorrica, pasi edhe mund t’i gjejë. Kjo duhet parë edhe nga opozita, që sot nuk di ku ka as kokën e as të ndenjurat. Sot nuk është më koha si më parë, që njerëzit e thjeshtë nuk dinin se çfarë të bënin dhe çdo fjalë që dilte nga goja e tyre u dukej sheqer. Njerëzit e thjeshtë e kanë kuptuar tashmë modelin e munguar dhe nuk pranojnë më të heshtin, sepse gjithçka po reflekton rëndë në buxhetin familjar.

Është koha t’i themi problemet në vijë të drejtë. Kush guxon sot të denoncojë, ka kuptuar se krimi pret me kopaçe pas dere për të goditur dhe vrarë shpresën. Koha na ka bindur se lufta brenda llojit ka ngrënë shumë syresh, të cilët sot kanë kaluar në harresë. Çdo herë nga politikanët aventurierë, janë sjellë e sajuar ngjarje të reja, për të harruar gjithçka dhe për të mos pasur më kohë për reflektime. Kjo metodë makiaveliste është bërë pjesë e terrorit psikologjik, të varfërimit, nëpërkëmbëjes, diskriminimit, për të humbur përfundimisht shpresën se, “kjo Shqipëria jonë nuk bëhet më”. Dhe në një farë mënyre, oligarkët e rinj ia kanë dalë të dhunojnë shpresën e shqiptarëve, duke e nxitur popullin, e veçanërisht rininë, të braktisë Shqipërinë.

Sot, ashtu si shqetësimi mbarë popullor, partia “Zgjidhja” denoncon dhe kërkon të vihet para drejtësisë bashkëpërgjegjësia e binomeve mafioze, të cilët në 26 vite të drejtimit të Shqipërisë, kanë kaluar pa u lagur. “Zgjidhja” objektin e denoncimit dhe të përgjegjësisë e ka të qartë dhe konkrete: Kush nuk e dëshiron dhe kush e pengon reformën në drejtësi? Kush mban përgjegjësi për dhunimin e pronës dhe katrahurën që çoi në një tragjedi dhe hakmarrje vetëgjyqësie? Kush e rënoi ekonominë shqiptare dhe kush grabiti pa hesap pjesë të pasurisë kombëtare?

Kush synon falimentimin e biznesit të vogël e të mesëm? Kush hapi rrugët që Shqipëria të kthehej në një vend tranziti dhe prodhuese e narkotikëve? Kush simuloi rrjetet e trafiqeve dhe të prostitucionit, duke e kriminalizuar jetën sociale të vendit në varfëri? Kush i futi me “lista kryetarësh” mafiozët dhe trafikantët në institucionet e shtetit deri në Parlament? Dhe në fund të fundit, kush janë të interesuar që Shqipëria të mos bëhet dhe të mos e ngrejë më kokën kurrë?

“Premtimi” ogurzi që, “Shqipërisë do t’i hap një gropë të zezë, që të mos e ngrejë më kokën kurrë”, është mbajtur. Nëse do të ishte për këtë klasë politike, sot Shqipëria do të ishte ndarë në vijë “kufitare” të Shkumbinit. Këtë e dinë mirë “dualistët siamezë e tërci e vërcit”. Ka kohë që në çatinë e rënuar të Shqipërisë, kanë ngritur foletë sorrat dhe laraskat, të cilat me dinakëri po vazhdojnë t’i lëshojnë edhe sot vezët e tyre në folënë e shqiponjës. Populli çdo ditë dëgjon vetëm klithmat e kobëshme dhe kararisjet e tyre nëpër tribuna e ekrane televizive. Ata kërkojnë të rrëmbëjnë pas njerëzit në nevojë, hallexhinjtë, të varfërit, po dhe interesaxhinjtë e militantët e joshur, për t’i bërë mish për top, për interesat e tyre kriminale.

Të gjithë synojnë pushtetin, “në emër të vullnetit të popullit”, për të realizuar strategjinë e tyre të shkatërrimit dhe të rënimit të shoqërisë dhe ekonomisë shqiptare. Të gjithë e duan pushtetin për të “garantuar” privilegjet, vjedhjet, grabitjet, krimet dhe tarafet antishqiptare.  Këto fenomene nuk janë të rastësishme. Ato synojnë përçarjen dhe diskriminimin total dhe meritojnë kundërvënien e opinionit të shëndoshë dhe institucioneve të përgjegjëshme, duke menduar më thellë, mbi atë se çfarë kemi të nevojëshme e të domosdoshme sot për të mirën tonë dhe të Shqipërisë. Përmbytja dhe mizerabiliteti politik kanë ndodhur.

Populli në hallin e tij, duhet “të ngul një gozhdë në tru”. Jeta jonë nuk mund të mbetet në pafundësi një laborator kozmik për aplikimin e skemave të shërbimeve inteligjente. Kjo është shprehja thelbësore e krizës politike, të sajuar dje dhe sot në Shqipëri. Përballë këtij fenomeni shkatërrues dhe vrasës, midis autoritarizmit dhe demokracisë, nuk duhet të njohin më militantizmin partiak, apo më keq, vullnetin e krerëve gënjeshtarë, mashtrues dhe të pabesueshëm, por duhet të bashkohemi në vullnetin qytetar, për të mbrojtur parimet demokratike të një shoqërie në zhvillim. Partia “Zgjidhja” mbështet çdo protest që do të orientohet kundër padrejtësive dhe dhunimit të shoqërisë, për ta rilindur Shqipërinë. Shqipëria bëhet duke mbrojtur demokracinë dhe interesat kombëtare.

Populli e ka kuptuar hilenë. Pije detin Ksanth. E gjithë kjo panoramë politike e traumatizuar na kujton një nga fabulat – dramë të Ezopit, ku “një mburravec i dehur nga pushteti vuri në bast gruan dhe tërë pasurinë, duke u mburrur, se ai ishte në gjendje ta pinte ujin e detit (daleni, daleni se nuk keni parë gjë akoma!!). Kur ja kërkuan këtë, ai me mburrje u tha: Juve pini ujin e tërë lumenjve, pastaj e pi unë ujin e detit. Kush të vret besimin, të ka vrarë një herë, kush të vret shpresën, të vret dhe të varros për së gjalli përjetësisht. Mjerë Shqipëria në çfarë duar ka rënë!!

*Autori është kryetar i Komisioni për Sigurinë Kombëtare në partinë ZGJIDHJA

Të tjera

Abissnet