Qeveria pezullon kalimin në pronësi të tokave të ish-ndërmarrjeve bujqësore

Qeveria ka vendosur pezullimin e përkohshëm të kalimit në pronësi të përfituesve të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore si dhe të regjistrimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi në zonat me rëndësi për fondin e mbështetjes së investimeve strategjike.
Vendimi u mor dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 7, të ligjit nr.171/2014, “Për përfundimin e procedurave ligjore të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve”, të ndryshuar, të nenit 9, të ligjit nr.9948, datë 7.7.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar, të neneve 25 e 45, të ligjit nr.33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar, dhe të neneve 27 e 31, të ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
Vendosi:
1. Pezullimin e përkohshëm të vijimit të procedurave të kalimit në pronësi të përfituesve të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore dhe të regjistrimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi, në zonën me rëndësi për fondin e mbështetjes së investimeve strategjike, sipas hartës bashkëlidhur këtij vendimi, publikuar edhe në Gjeoportalin Kombëtar, të administruar nga Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), deri në krijimin e Fondit të Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike, sipas nenit 31, të ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”.
2. Njësitë e vetëqeverisjes vendore, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, territori administrativ i të cilave përfshihet në hartën e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, të pezullojnë procedurat e kalimit në pronësi të tokës së ish-ndërmarrjeve bujqësore dhe të regjistrimit të akteve të marrjes së tokës, në zonën me rëndësi për fondin e mbështetjes së investimeve strategjike, pavarësisht nga faza procedurale, menjëherë me hyrjen në fuqi të këtij vendimi.
3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe bashkitë Shkodër, Lezhë, Kurbin, Durrës, Kavajë, Rrogozhinë, Divjakë, Fier, Vlorë, Himarë, Sarandë dhe Konispol për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Të tjera

Abissnet