Qeveria nuk ndal sulmet në drejtësi

Kryeministri Edi Rama, adresoi sërish akuza të pa mbështetura në fakte për disa prokurorë dhe gjyqtarë, që nuk kanë kaluar në vetting. Pak ditë më parë KLP kritikoi drejtuesit e qeverisë për sulme paragjykuese që cenojnë  drejtësinë

Lindita Bushgjokaj

Kur dukej se do të ishte një seancë e qetë e Parlamentit, i mbledhur këtë mërkurë dhe jo të enjten tradicionale, për shkak të mbledhjes së Komisionit të Venecias, kryeministri Edi Rama ka ndërhyrë për të diskutuar në Parlament përpara votimit të projektligjeve për diskutuar rreth asaj që debatohet në Parlamentin e Holandës dhe për reformën në drejtësi. Me tone të forta kryeministri Edi Rama akuzoi opozitën se ka bërë çdo përpjekje për të mos çelur negociatat me Bashkimin Europian. Duke komentuar diskutimet e zhvilluara një ditë më parë, ai tha se debati nuk ka të bëjë fare me ato çfarë ka arritur Shqipëria, por se është vetëm një debat i brendshëm politik. Kryeministri, Edi Rama, adresoi sërish akuza ndaj sistemit të drejtësisë. Duke përmendur rastin me drejtorit të Kadastrës në Durrës, Rama tha se Kuvendi duhet të shpallë në kërkim grupin e prokurorëve dhe gjykatësve KÇK(kap ça të kapësh). “Ka ardhur koha të reagojmë me forcë ndaj prokurorëve dhe gjykatësve që nuk e kanë kaluar vettingun, që e dinë që nuk e kalojnë vettingun dhe që kanë nxjerrë dhe një togfjalësh KÇK. Këtë grup ky parlament duhet ta shpallë në kërkim me çdo mënyrë, duke ushtruar pushtetin e sovranit këtu. Është e kotë ti bëjmë njëri-tjetrit predikime dhe nga tryezat e opozitës të ngrihemi dhe të fajësojmë qeverinë këtu,  apo nga tryeza e qeverisë të ngrihemi këtu dhe të justifikojmë. Vetingu kërkon disa vjet dhe nuk mund të durojmë që prokuror dhe gjykatës si ato të Durrësit të bëjnë kërdinë. Ka njerëz që po capërlohen në prokurori dhe gjykata”.

KÇK-, term i ri kundër reformës drejtësi: Kap ça të kapësh

Pjesa e dytë e fjalimit të Ramës u përqendrua padyshim te reforma në drejtësi dhe te prokurorët e gjyqtarët që sipas tij janë të paprekshëm. Ai u përqendrua konkretisht te rasti i prokurorit të Durrësit, ndërsa nënvizoi se drejtori i Hipotekës po dënohet se doli kundër bandave. Rama i cilësoi këta persona me inicialet “KÇK”, që nënkuptonte “Kap Ça të Kapësh”. Sipas kryeministrit, “KÇK” duhet të shpallet në kërkim nga Parlamenti, ndërsa deputetët duhet të ushtrojnë funksionin e tyre dhe jo të presin përfundimin e vettingut. “Këtë grupin “KÇK”, ky Parlament duhet ta shpallë grup në kërkim. Duhet ta shpalli në kërkim me çdo mënyrë duke ushtruar pushtetin e sovranit këtu. Është e kotë t’i bëjmë njëri-tjetrit predikime dhe nga tryezat e opozitës të ngrihemi të fajësojmë qeverinë dhe nga tryeza e qeverisë të justifikohemi. Procesi i Vettingut do të vazhdojë për disa vjet, por ne nuk duhet të lejojmë që prokurorë dhe gjyqtarë si ata të Durrësit të vazhdojnë të bëjnë kërdinë çdo ditë”, theksoi Rama. Kryeministri theksoi se “shpallja në kërkim e KÇK është objektiv që duhet të kemi si Parlament dhe duhet të miratohet ndonjë ligj special, duke mos pritur pafund mbylljen e procesit të Vettignut”. “Nuk ka asgjë që na justifikon përpara njerëzve. Nuk mjafton më t’u themi “reforma”. Ajo kërkon kohë dhe gjatë kësaj kohe janë çdo ditë viktima në katër anët e Shqipërisë të kësaj organizate kriminale “KÇK”. Ne bashkërisht, si Qeveri dhe opozitë, si përfaqësues të këtyre viktimave në Parlament, t’u japim mesazhin me ligj që janë në kërkim. Kush na pengon? Holanda apo Franca? Është grupi më i madh kriminal në Shqipëri, me fakte. Prokurorë dhe gjykatës që e dinë që Vettingun nuk e kalojnë dot”, theksoi Rama. Ftesës për reformat në drejtësi dhe miratimin e reformës zgjedhore, opozita iu kundëpërgjigj me idenë e realizimit të ndryshimit të sistemit zgjedhor në Shqipëri. Myslim Murrizi, deputet i opozitës, gjatë replikës ndaj qëndrimeve të kryeministrit, u shpreh se Gjermani ka vënë dy kushte. “Kap hajdutët në qeveri dhe reformë zgjedhore ka kërkuar Bundestagu, nuk ka thënë KÇK, e cila është sindikata më e madhe, është aleanca më e madhe që me 800 gjyqtarë e prokurorë; ka edhe në këtë sallë anëtarë të KÇK, kanë edhe te PPP anëtarë KÇK-ja”, replikoi Murrizi. Ai u shpreh se ligjet e reformës në drejtësi u votuan në korrik dhe se nuk ka nevojë për ligje të tjera vettingu.

Reagimi

Kujtojmë se tre ditë më parë, pas akuzave të Kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëskryeministrit Erion Braçe ndaj prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja, për procedurat ligjore të ndjekura prej tij në çështjen gjyqësore ku është marrë si i pandehur Drejtori i Kadastrës Durrës, Liridon Pula, ka reaguar vetë Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Përmes një deklarate për mediat, KLP ka thënë se është e ngarkuar nga Kushtetuta me detyrën për të garantuar pavarësinë, llogaridhënien dhe statusin e prokurorëve të Republikës së Shqipërisë. “Këshilli i Lartë i Prokurorisë është institucioni shtetëror i ngarkuar nga Kushtetuta me detyrën për të garantuar pavarësinë, llogaridhënien dhe statusin e prokurorëve të Republikës së Shqipërisë. Në ushtrim të kësaj detyre, ne ndjekim me vëmendje çdo reagim publik lidhur me punën e institucionit të prokurorisë dhe të prokurorëve të veçantë. Në këtë kuadër, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka ndjekur me vëmendje deklarimet publike të drejtuesve të qeverisë në lidhje me procedurat ligjore të ndërmarra nga Prokuroria dhe Gjykata e Shkallës së Parë Durrës për caktimin e masës së sigurisë ndaj drejtorit të Drejtorisë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës”, thuhet në deklaratën e KLP-së.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet