“Qeveria nuk e mbron fermerin shqiptar, jemi të zhytur në borxhe”

Nga Lindita Bushgjokaj

Kryetari i Sindikatës së Fermerëve të Duhanit, Petrit Paja, tha se është përgjegjëse Ministria e Ekonomisë për pagesën e fermerëve pasi ka kontratë drejtpërdrejtë me firmën “Mika Korça”. Fermerët janë katandisur në borxhe dhe Dumreja në vend që të ishte kryeqytet i duhanit është kthyer në kryeqytet të shejtanit

Kryetari i Sindikatës së Fermerëve të Duhanit, Petrit Paja, tha në një intervistë për “Shekulli”-n, se kompania “Mika Korça”, e cila është aksionere me Ministrisë e Ekonomisë ka falimentuar dhe nuk përgjigjet ndaj borxhit 150 milionë lekësh kundrejt fermerëve të duhanit. Ai gjithashtu, tha se ka dërguar shumë peticione Ministrisë së Ekonomisë, por nuk ka marrë përgjigje dhe shteti ka qëndruar indiferent ndaj shqetësimit të tyre. Ndërsa ligji ekzistues nuk i mbron, por po i lë në kthetrat e importuesit dhe synon që të varfërojë fermerin shqiptar, shprehet Paja.

Z.Paja, kush është përgjegjës për pagat që nuk merrni nga kompania “Mika Korça” dhe si e ka ushtruar aktivitetin e saj në Shqipëri?

Zona e Dumresë me gjithë qarkun e Elbasanit ka 1500 fermerë të duhanit. Në vitin 2016 nuk janë paguar 100%, bëhet fjalë për shifrën 1 miliard e 500 milion lekë të vjetra, që duhet t’i kthejë kompania “Mika Korça” fermerëve, të cilët kanë marrë shumë kredi. Kompania “Mika Korça” është një shoqëri aksionere me Ministrinë e Ekonomisë, me bashkëpronar shtetin. Kjo kompani është e falimentuar, jo e shpallur zyrtarisht, por e heshtur dhe kemi 3 vjet që presim të paguhemi.

Ju kishin njoftuar që është një kompani drejt falimentimit?

Jo, nuk e kanë shprehur fare. Kemi bërë kërkesa me shkrim te Ministria e Ekonomisë dhe e Bujqësisë, të cilat na kanë mbyllur derën për takime, konkretisht Niko Peleshi dhe Arben Ahmetaj. Për lekët e papaguara është përgjegjëse Ministria e Ekonomisë, sepse ka kontratë drejtpërdrejt me “Mika Korçën”, si shoqëri aksionere, kurse Ministria e Bujqësisë duhet të përgjigjet për ligjshmërinë. Ligji ekzistues nuk e mbron fermerin, përkundrazi e lë në “kthetrat e importuesit”. Po na sorollatin dhe nuk po gjejmë zgjidhje.

Keni protestuar më përpara?

Po kemi bërë protesta në rang vendor, kemi dërguar peticione dhe letra, por s’kemi asnjë përgjigje. I kërkojmë ndihmë deputetit Musa Ulqini, i cili jo vetëm hesht, por e mban veten si hero të shpëtimit.

Si e merr fitimin fermeri?

Pagesa është kontraktuale deri në 60 ditë dhe firma nuk është përgjigjur asnjëherë brenda afatit ligjor. Vitet e fundit i ka paguar me këste, ndërsa në vitin 2016 dha rreth 25% të pagesës për fermerët, më pas e ndërpreu 100%. Fermerët vrapojnë nëpër banka për të zënë radhën. Ky dokument që kam në dorë është një zotim i zotit deputet Musa Ulqini për avancimin e duhanit në Dumre, i cili është kryeqytet i duhanit në Shqipëri, ndërsa sot kemi arritur në kryeqytetin e shejtanit. Kjo është gjendja jonë.

Të gjithë banorët e Dumresë jetojnë me këtë lloj punë?

Jemi zonë tipike. Nuk bëjnë asnjë lloj punë tjetër. Vetëm bashkia e Belshit ka rreth 56 mijë banorë dhe 70% e fermerëve deri sot kanë mbjellë duhan, sepse ishte më fitimprurës dhe kishte shpenzime më të pakta. Nga pamundësia ekonomike për mjete transporti, fermerët i kanë bërë të gjitha me punë krahu. Dua të shtoj diçka dhe për subvencionet, të cilat nuk i kanë marrë asnjëherë fermerët, por vetëm oligarkët, ata që kanë investime të mëdha. Nuk subvencionohet bujku i thjeshtë që punon me djersë. Subvencionet nga shteti janë të paarritshme, sepse nuk kemi sipërfaqe të mëdha toke. Propagandohet që do marrin subvencione 5 dynymë e lart, në kohën që të gjithë fermerët i kanë tokat 2-3 dynymë. Ky ligj që po propagandohet si i suksesshëm, po e varfëron fermerin shqiptar. Ne jemi të katandisur, jo 100%, por akoma më poshtë.

Ndaj kujt e keni kauzën tuaj?

Ndaj shtetit, sepse duhet të mbrojë fermerin. Firma e cila ka ushtruar aktivitetin në Shqipëri nuk erdhi nga ajri, por nëpërmjet ligjit dhe kërkojmë zbatimin e tij. Ligji për duhanin nuk na mbron ne, ndërsa ligji i ri që është në përpunim po pengohet në Ministrinë e Bujqësisë. Për ne pengesa është një arsye; ligji cenon firmat importuese që ne të ngelim të varfër, ata duan të marrin prodhimin e gatshëm dhe mos të na japin lekët. Ligji sanksionin detyrat e prodhuesit dhe të importuesit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Libri që jeton

Natasha Lako Nuk e di përse, para se të flas për Panairin e sivjetmë të librit, veçoj menjëherë nga shkrimtarët…

Abissnet