Qeveria ndryshon buxhetin për vitin 2020 për shkak të COVID-19 (Dokumenti)

Pas publikimit të planit financiar nga Kryeministri Rama, Këshilli i Ministrave ka miratuar propozimet e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për të ndryshuar Buxhetin e Shtetit për vitin 2020. Kështu, qeveria, ka ndryshuar buxhetin e vitit 2020, për shkak të luftës me koronavirusin. Përmes një akti normativ bëhet i mundur alokimin e një Pakete Financiare prej 12 miliardë lekë për përballimin të situatës emergjente të krijuar nga Pandemia COVID-19. Ky Akt Normativ i miratuar nga Këshilli i Ministrave alokon fondet buxhetore drejt financimit të sektorit të shëndetësisë për pajisje, medikamente, materiale mjekësore dhe shërbimet e tjera te nevojshme, si dhe financimin e paketave sociale, në kuadër të saj.

Akti Normativ siguron:

a.6.5 miliardë lekë fond për Paketën Sociale anti-COVID.
Në mbështetje të punëmarrësve dhe shtresave të tjera të prekura nga pezullimi i proçeseve të punës në shkallë vendi duke përfshirë shtresat në nevojë, personat që humbasin punët dhe komunitetet, që do të rezultojnë më të dëmtuar.
b.2.5 miliardë lekë fond në mbështetje të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Strukturave Spitalore.
Për të siguruar furnizimin me medikamente, aparatura dhe urgjenca të ndryshme dhe në mbështetje të stafeve mjekësore.
c.2 milliardë lekë rialokim drejt një Fondi Emergjence.
Për të siguruar furnizimin me ushqim të komuniteteve të caktuara, që do të rezultojnë të prekura nga pandemia, apo për familje me ndihmë ekonomike dhe pensionistë të vetmuar që do të kene nevojë për ndihmë direkte. Gjithashtu fondi do të përdoret edhe për nevoja të ekipeve mjekësore, si në spitalet civile ashtu edhe në spitalin ushtarak.
ç.1 miliard lekë në drejtim të Fondit Rezervë të Buxhetit të Shtetit.
Për krijimin e hapësirës për financimin e shpenzimeve të domosdoshme me karakter të paparashikuar, për muajt në vijim.

Në vijim, Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të ndjekë me kujdes maksimal ecurinë e treguesve kryesorë, me objektiv primar përmirësimin e tyre gradual dhe ruajtjen e qendrueshmërisë fiskale. Parashikimet sasiore për impaktin negativ të COVID-19 në ekonomi, mbeten ende të paqarta edhe në Shqipëri. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka realizuar një vlerësim të impaktit që pritet në sektorët e turizmit, transportit, tregtisë, dhe ngadalësimin e përkohshëm të investimeve totale dhe eksporte.

Më poshtë mund të lexoni Aktin Normativ për të mësuar më shumë detaje rreth ndryshimit të Buxhetit të vitit 2020 :

Akti-Normativ

AKT NORMATIV Nr.6, datë 21.3.2020 

PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.88/2019, “PËR BUXHETIN E VITIT 2020” Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

Në ligjin nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa: Neni l Nenet 1, 2 dhe 5 ndryshohen, si më poshtë vijon: “Neni 1 Buxheti për vitin 2020 është: Të ardhurat 489 675 milionë lekë; Shpenzimet 558 374 milionë lekë; Deficiti 68 699 milionë lekë. Ai përbëhet nga buxheti i shtetit, buxheti vendor dhe fondet speciale, sigurimet shoqërore, sigurimet shëndetësore dhe kompensimi i pronarëve. Neni 2 Buxheti i shtetit për vitin 2020 është : Të ardhurat 358 706 milionë lekë; Shpenzimet 427 405 milionë lekë; Deficiti 68 699 milionë lekë. Neni 5 Buxheti i sigurimeve shëndetësore, për vitin 2020, është: Të ardhurat, gjithsej, 45 304 milionë lekë; Nga të cilat: – transferimet nga buxheti i shtetit 30 888 milionë lekë; – shpenzimet 45 304 milionë lekë. Fondi pёr rimbursimin e medikamenteve nuk tejkalon tavanin prej 11 000 milionë lekësh, përfshirë edhe detyrimet e prapambetura. Fondi për shërbimin spitalor detajohet dhe përdoret me vendim të Këshillit të Ministrave. Fondi antiCovid-19, prej 2 500 milionë lekësh, detajohet dhe përdoret me vendim të Këshillit të Ministrave, për shpenzime korrente dhe kapitale.”.

VENDIM Nr.240, datë 21.3.2020 

PËR NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2020, MIRATUAR PËR MINISTRINË E SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE, PËR MARRJEN E MASAVE PËR PLOTËSIMIN E NEVOJAVE PARAPRAKE PËR PËRHAPJEN E INFEKSIONIT TË SHKAKTUAR NGA COVID-2019

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936/2016, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave VENDOSI: 1. Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në buxhetin e miratuar për vitin 2020, në programin “Planifikim, menaxhim dhe administrimi”, i shtohet fondi prej 46 105 800 (dyzet e gjashtë milionë e njëqind e pesë mijë e tëtëqind) lekësh, për marrjen e masave për plotësimin e nevojave paraprake për përhapjen e infeksionit të shkaktuar nga COVID-2019, në kategorinë e shpenzimeve korrente. 2. Efekti financiar, prej 46 105 800 (dyzet e gjashtë milionë e njëqind e pesë mijë e tëtëqind) lekësh, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2020. 3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTËR Edi Rama

VENDIM Nr.241, datë 21.3.2020

PËR MIRATIMIN E KONTRATËS ME OBJEKT “BLERJE MATERIALE PËR MBROJTJEN PERSONALE (MMP) PËR COVID-19”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 6, të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, dhe në vijim të pikës 1, të kreut VII, të vendimit nr.203, datë 26.2.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat që përdoren për lidhjen e kontratave që diktohen nga interesa thelbësore të shtetit” me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave VENDOSI: Miratimin e kontratës me objekt “Blerje materiale për mbrojtjen personale (MMP) për COVID-19”, me palë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe bashkimin e operatorëve, shoqëria “Farma Net Albania”, sh.p.k. dhe shoqëria “Euromed”, sh.p.k., me vlerë 346 105 800 (treqind e dyzet e gjashtë milionë e njëqind e pesë mijë e tetëqind) lekë me TVSH, të zhvilluar me procedurën e drejtpërdrejtë me fond limit 307 864 333 (treqind e shtatë milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e treqind e tridhjetë e tre) lekë pa TVSH, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet