
Shkollat e arsimit parauniversitar u hapën sot, pas vendimit të ministres së arsimit që i mbylli ato për datat 24-26 janar. Sipas ministres Evis Kushi, shkaku ishte moti i acartë, por më pas, ndërroi alibi, duke thënë se do të ngrinte uji në depozita dhe rrugët nga do të kalonin nxënësit. Por, motivi i vërtetë është mungesa e ngrohjes nëpër shkolla, kopshte dhe çerdhe, edhe pse buxheti i shtetit ka dhënë çdo vit dhjetra milionë euro për ngrohjen.
Në Tiranë, përveç 29 milionë eurove tendera nga taksat publike, të harxhura në vitet 2015-2020 vetëm për sistem ngrohje në shkollat e arsimit 9-vjeçar, qytetarëve u është zhvatur dhe “Taksa e Arsimit”, për plotësim kushtesh mësimi normal. Taksa e vendosur nga kryebashkiaku Erjon Veliaj, e përfshirë në faturën e ujit, është 1800 lekë të reja në vit për familjarët, 4000 lekë të reja për biznesin e vogël dhe 37 mijë lekë për biznesin e madh; ndërsa në total, është mesatarisht 6 milionë euro të ardhura në vit.
Qysh prej muajit shkurt 2016, kur nisi pagesa e deri më 30 qershor 2021, rezulton se me këtë taksë, Erjon Veliaj u ka marrë qytetarëve 31 milionë euro, ose baraz me fondin e 1 viti buxhet që qeveria i jep Bashkisë Tiranë. Mirëpo këtë të hënë, shkollat dhe kopshtet e Tiranës u kyçën, sepse nuk kanë ngrohje, ndërkohë që kur e vendosi këtë taksë, ai deklaroi, se duhej si kontribut që fëmijët në kopshte e shkolla të kishin ngrohje e të mos bënin mësim veshur me xhupa e mbështjellë me batanije. Taksa e Arsimit është zhvatur, por nuk është investuar për të siguruar ngrohjen në shkolla, mbasi sipas Auditit të Ministrisë së Financave, 17 milionë Euro nga të ardhurat e kësaj takse, janë përdorur për paga punonjësish shtesë në administratën e Bashkisë dhe për propagandë e argëtim. Ndërsa për 14 milionë Euro, nuk ka pasqyra shpenzimesh nga Bashkia, ndërkohë që Ujësjellësi-Tiranë ia ka transferuar rregullisht taksën, sipas numrit të faturave të paguara nga qytetarët e bizneset, madje me tatim 20% TVSH, që është vjedhje mbi vjedhje pasi taskat nuk taksohen.
Nga ana tjetër Ministria e Arsimit, në vitet 2015-2020, ka harxhuar 67 milionë euro me tendera, për sistem të plotë ngrohje në shkollat e Dibrës, Kukësit, Matit, Korçës, Lezhës, Shkodrës, Gjirokastrës, Vlorës etj., por ngrohje nuk ka.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/
Leave a Reply